/ Jeta Shpirtërore / Vdekja !Vazhdim nr 2

Vdekja !Vazhdim nr 2

Vdekja !Vazhdim nr 2

 

Përderisa fenomeni i vdekjes është i përgjithshëm, a nuk është vallë që në fillim brenda natyrës sonë? Lind pyetja: A e krijoi Perëndia vdekjen?

    Shkrimet, Tradita dhe vetë natyra jonë përgjigjen negativisht. Liturgjia e Vasilit të Madh hedh poshtë kategorikisht dhe me stil konciz, kur bën një përshkrim të shkurtër dhe përmbledhës të historisë tragjike të gjinisë sonë -dhe në fund jep zgjidhjen e dramës. “Uron prifti fshehtazi: …’Kur krijove njeriun, mbasi more baltë prej dheut [d.m.th. me kujdes të veçantë dhe jo si krijove natyrën tjetër] dhe e nderove me ikonën tënde, o Perëndi, e vendose në Parajsën e dëfrimit, pasi i premtove pavdekësinë e jetës dhe shijimin e të mirave të përjetshme, po të ruante porositë e tua. Por meqenëse nuk të dëgjoi ty, Perëndinë e vërtetë, që e krijove dhe u tërhoq nga mashtrimi i gjarprit e iu dorëzua vdekjes nga fajet e veta, me gjykimin tënd të drejtë, o Perëndi, e dëbove nga Parajsa në këtë botë, dhe e ktheve në dhe prej të cilit u mor [Gjen. 2.7-3.24], duke i përgatitur atij shpëtimin me anën e rilindjes që është në vetë Krishtin tënd”.

    Janë të thella kuptimet e uratës së shkëlqyer. Le t’i analizojmë pak gjërat.

    Urtësia e Solomonit deklaron se “Perëndia nuk e krijoi vdekjen, dhe as kënaqet me humbjen e të gjallëve” (1:13). Me të vërtetë, si mundej që Zoti njeridashës të ishte zemërlig dhe të gëzohej në zhdukjen e krijesës së Tij? “Këto thotë Zoti, ‘Nuk dua vdekjen e ateistit ashtu [sikundër dua] të kthehet ateisti nga rruga e tij dhe të jetojë… Pse vdisni, o shtëpi të Izraelit?” (Jezek.33:11). Dhe nëse Krijuesi nuk do vdekjen shpirtërore (d.m.th. ndarjen dhe largimin e njeriut nga Vetë jeta, Perëndia) nuk do as vdekjen biologjike, përderisa e “krijoi njeriun për paprishjen”, siç thotë Urtësia e Solomonit (2:23).

    Por nëse kështu është e vërteta, si depërtoi vdekja në rrugën e njeriut? Në vazhdim Urtësia e Solomonit sqaron: “Perëndia krijoi njeriun për paprishje dhe e bëri ikonë të veçorisë së tij. Ndërsa vdekja hyri në botë nga zilia e djallit” (2:23-24) në ato çaste kaotike të mosbindjes së të parakrijuarve. Ramë në grackën e mekanizmave që intrigoi djalli urryes, përderisa “njerivrasës ishte që nga fillimi” (Joani 8:44).

    “Sepse nëse siç bëri Perëndia të vdekshme natyrën [me mundësi të bëhej e vdekshme], nëse kështu bëri edhe vdekjen, nuk do ishte [nuk do vinte] me anë të mosbindjes vdekja. Dhe nëse Perëndia mosbindjen [që shkaktoi vdekjen] nuk e bëri, pra as vdekjen [nuk e bëri]” (Amfvivallomena Iustinu Apokrisis Orthodh. 32). Por edhe vetë natyra jonë tregon se vdekja nuk është diçka e qenësishme. Dëshira e madhe për jetën, mospëlqimi dhe neveria ndaj vdekjes tregon qartë se vdekja është fenomen i huaj, i papërshtatshëm dhe pa diskutim jo i familjarizuar me ne.

    Tregon me hijësi edhe një mit ezopik – më poshtë do mësojmë të vërteta shtesë edhe nga një tekst tjetër i lashtë me humor. Kështu një plak, që priste dikur dhe transportonte drutë, u lodh, ndaloi në rrugë, e hodhi poshtë barrën dhe i rraskapitur ftoi vdekjen. Ajo u paraqit dhe e pyeti se për çfarë e donte. Plaku u frikësua, por nuk u hutua. Menjëherë iu përgjigj se e kishte thirrur që t’i ngrinte barrën! (Ragavi, Elliniki Kristomathia fq. 33).

    Ne bëjmë çdo gjë që t’i shmangemi vdekjes. Për shembull na shqetëson seriozisht çështja e shëndetit tonë. Pse? Sepse qoftë edhe sëmundjet më të lehta janë paralajmëtare të vdekjes – Sipas një fjale të urtë të lashtësisë “[Edhe vetëm] nga thoi [kuptojmë] luanin” (vdekjen që shqyen të gjithë).

    Vdekja pra invadoi në një çast të caktuar të historisë sonë, “dhe thumbi i vdekjes është mëkati” (1 Kor.15:56).    Të gjitha deklarojnë se mëkati u bë shkaku i vdekjes së Adamit; “sepse pagesa e mëkatit [është] vdekja” (Rom. 6:23), që atëherë, në kohën e Adamit dhe në vazhdim, sipas shembullit të keq të Adamit…

    Saktësisht pra përfundon Gojarti  i shenjtë: “As vdekjen të kemi frikë, por mëkatin. Sepse nuk lindi vdekja mëkatin, por mëkati lindi vdekjen; ndërsa vdekja është bërë ilaç i mëkatit”  . Po si u kthye vdekja në ilaç kundër mëkatit? Në fillim le të kujtojmë se i vdekuri nuk iu nënshtrohet shkeljeve të reja, “sepse i vdekuri është çliruar nga mëkati”(Rom. 6:7). Por kryesisht, vdekja me një mënyrë tjetër u shndërrua në ilaçin dhe antidozën ndërnjerëzore kundër mëkatit. Çliroi njeriun jo vetëm nga rëniet pas vdekjes, por edhe nga faji dhe dënimi i të gjitha mëkateve para vdekjes.

    Kur ndodhi kjo? U arrit kur njeriu më i shquar, më perfekti i të gjithë shekujve, korifeu, unikali ynë, ‘i biri i njeriut’ (Matth.12:8; Mark.2:28) “tha, ‘Mbaroi’, dhe duke përkulur kokën dha frymën”(Joani 19:30) dhe më vonë “u ngjall së vdekurish; me vdekje vdekjen shkeli edhe të varrosurve jetën u fali” (Ngjalljesore). Përdëllimi i Tij, ngjalli edhe vëllezërit e Tij (shih Matth.12:49-50; Joani 20:17) dhe shokët e Tij (shih Lluk.12:4; Joani 15:14-15). “Sikundër me anë të një njeriu hyri mëkati në botë edhe me anë të mëkatit vdekja. kështu edhe me anë të bindjes së një njeriu [d.m.th. me anë të Pësimit dhe Ngjalljes së Jisuit] të drejtë do bëhen të shumtët. për jetë të përjetshme”(Rom.5:12-21).

    Dhe përsëri lindja jonë, rilindja dhe ngjallja jonë në jetën e lartë qiellore nëpërmjet Ekonomisë Hyjnore (plani i parajetës për shpëtimin tonë me anën e Krishtit). Pra thërret melodikisht dhe në mënyrë panagjirike Joan Damaskini në Shërbesën e Varrimit: “Vdekja jote, o Krisht, u bë shkak pavdekësie” (Lavdia e Idhiomeleve). Të njëjtën gjë përsëris edhe në Shërbesën Ngjalljesore të së dielës: “Kryqi yt, o Zot, është jetë dhe ngjallje për popullin tënd” (Lavdërime Ting. Tërthor II).

    Thamë për Adamin se sa herë e imitojmë për sa i përket mosbindjes së tij tek vullneti hyjnor, vdesim. Plotësojmë tani se sa herë nga ana tjetër e imitojmë bindjen e Jisuit, rrojmë. Shfuqizimi i vdekjes është Ngjallja e Zotit dhe jeta e besimtarit e ringjallur në Krishtin.

 

Kisha Orthodhokse

Autoq efale Shqipërisë

http://orthodoxalbania.org/

 

Vdekja !Vazhdim nr 2