E 7 e Llukait Ungjilli
41Edhe ja tek erdhi një njeri që quhej Jair – dhe ky ishte i pari i sinagogës, – e ra ndër këmbët e Jisuit, e i lutej të hynte në shtëpinë e tij; 42sepse kishte një bijë të vetme, rreth dymbëdhjetë vjeç, edhe ajo po vdiste.
Edhe ndërsa ai ishte duke shkuar, turmat po e shtrëngonin. 43Edhe një grua, që kishte rrjedhje gjaku që prej dymbëdhjetë vitesh, e cila kishte prishur gjithë pasurinë nëpër mjekët, po nuk mundi të shërohej as prej ndonjërit, 44u afrua nga prapa dhe preku cepin e rrobës së tij; edhe menjëherë u ndal rrjedhja e gjakut të saj. 45Edhe Jisui tha: Kush qe ai që më preku? Edhe ndërsa po mohonin të gjithë, Pjetri dhe ata që ishin bashkë me të thanë: Mjeshtër, turmat të shtypin e shtrëngojnë, edhe thua: Kush qe ai që më preku? 46Po Jisui tha: Dikush më preku, sepse unë kuptova se një fuqi doli prej meje. 47Edhe gruaja kur pa se nuk u fsheh, erdhi duke u dridhur, edhe i ra ndër këmbë, e i rrëfeu përpara gjithë popullit për çfarë shkaku e preku, edhe si u shërua përnjëherë. 48Edhe ai i tha asaj: Ki guxim, bijë, besimi yt të shpëtoi; shko në paqe.
49Edhe kur ai po fliste ende, vjen një njeri prej të parit të sinagogës e i thotë se jot bijë vdiq; mos e mundo mësuesin. 50Po Jisui kur dëgjoi, u përgjigj: Mos ki frikë; veç beso, edhe do të shpëtojë. 51Edhe si erdhi në shtëpi, nuk la asnjë të hynte brenda, përveç Pjetrit dhe Joanit dhe Jakovit, dhe të atit të vajzës dhe së ëmës. 52Edhe të gjithë po qanin e ulërinin për atë. Edhe ai tha: Mos qani; nuk vdiq, por po fle. 53Edhe e përqeshnin, duke ditur se vdiq. 54Po ai, si i nxori jashtë të gjithë, e kapi prej dore, dhe thirri duke thënë: O vashëz, ngrihu. 55Edhe asaj iu kthye fryma prapë, dhe u ngrit përnjëherë; edhe Jisui urdhëroi t’i jepnin asaj të hajë. 56Edhe prindërit e saj u habitën; po ai i porositi të mos i thonë njeriu se ç’u bë.
Kisha Orthodhokse
Autoq efale Shqipërisë
http://orthodoxalbania.org/