/ Predikime-Katekizma- Artikuj / Kontributi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë pas viteve ’90

Kontributi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë pas viteve ’90

Kontributi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë pas viteve ’90

Fjala Kishë kupton ata që janë thirrur si një popull i veçantë për të kryer një detyrë të caktuar. Kisha e krishterë është asambleja e popullit të zgjedhur të Perëndisë, e thirrur për të mbajtur fjalën e Tij dhe për të bërë punën dhe vullnetin e Tij në botë dhe në mbretërinë qiellore. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, pas një rrugëtimi të gjatë e aspak të lehtë në shtigjet e historisë ka arritur të triumfojë edhe pse në heshtje disa herë. Pas rënies së diktaturës së egër komuniste, Kisha u gjend e rrënuar, e shpërbërë dhe në një gjendje të mjerueshme. Për ta ringritur atë e për ta ripërtëritur duhej një mrekulli. Por Perëndia nuk e braktis popullin e vet. Kështu që, mrekullia ndodhi. Patriarkana Ekumenike zgjodhi fillimisht si Ekzark Patriarkal (janar 1991) dhe më pas si Kryepiskop të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë (24.06.1992), Fortlumturinë e Tij, Imzot Anastas Janullatosin. Që atëherë e deri më sot përpjekja hierapostolike dhe baritore vazhdon pa e ndërprerë vrullin e saj duke ringjallur shpresën e humbur dhe duke ripërtërirë Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

                    Kisha është pjesë e shoqërisë dhe rrjedhimisht ringritja e saj ka ndikuar në shoqërinë shqiptare. Kisha jonë ka kontribuar në suksesin e Shqipërisë duke inkurajuar virtytin. Hulumtimet e shkencave sociale kanë treguar, gjithashtu, se Kisha ofron përfitime ekonomike e sociale për komunitetet dhe mbarë shtetin. Ajo ofron kontribute të vlefshme ndaj shtetit në fushat e kontributeve të drejtpërdrejta ekonomike, shërbimet sociale dhe vullnetare të komunitetit, edukimin dhe trajnimin e aftësive qytetare, si dhe redukton nivelet e devijimit.               Këto përfitime përmirësojnë pozitivisht shoqërinë në mënyrë direkte dhe indirekte. Në kuadrin e Festave Kombëtare të Nëntorit është mirë të theksohet edhe roli që luan Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë në mbarëvatjen dhe mirëqenien e shtetit shqiptar. Kontributi i Kishës Orthodhokse pas viteve ’90 e deri më sot nuk mund të përmblidhet në kaq pak rreshta. Megjithatë, me kohën që kemi në dispozicion, do të përpiqemi të japim një vështrim të përgjithshëm duke përmbledhur një vepër gjigande 23 – vjeçare.                Fillimisht le të shohim kuptimin e fjalës kontribut. Sipas fjalorit të gjuhës standarde shqipe kontribut – i m. (lat. Contributio – dhanti, ndihmë) 1. ndihma që jep secili për të kryer një punë a një vepër të dobishme shoqërore; 2. sasia e të hollave që jepet për një investim a shpenzim të përbashkët me dobi shoqërore; 3. diçka e çmueshme që jep dikush në një fushë të veprimtarisë shoqërore.                Prania e kishave në komunitet sjell përfitime të drejtpërdrejta ekonomike në zonat lokale. Kisha siguron vende pune për komunitetin. Ajo inkurajon rritjen e komunitetit, krijimin e vendeve të punës dhe vitalitetin e përgjithshëm ekonomik. Personat e punësuar me rrogë në sektorë të ndryshëm dhe në institucionet e Kishës sonë janë mbi 750 vetë (v. 2012) dhe qindra të tjerë punojnë në vepra ndërtuese dhe programe me afat të kufizuar. Kisha, me anë të iniciativave të shumëllojta, ka luajtur një rol të veçantë në lehtësimin e varfërisë në vend dhe në krijimin e infrastrukturave për luftimin e saj.                Përtej përfitimeve ekonomike, Kisha Orthodhokse, gjithashtu, ofron përfitime sociale që kanë vlerë ekonomike. Disa studiues kanë identifikuar përfitimet sociale që Kisha i sjell komunitetit, duke përfshirë: dhënien e ndihmës ndaj individëve të varfër dhe të pambrojtur, përmirësimin e marrëdhënieve martesore, uljen e nivelit të dhunës, duke rritur detyrimet morale të komunitetit dhe duke promovuar kontributet bamirëse dhe vullnetare. Duke qenë një anëtar i një komuniteti fetar dikush, rrit përgjegjësinë e tij për t’i shërbyer të tjerëve në komunitet. Kisha Orthodhokse ndihmon në realizimin e  projekteve të rëndësishme jetike shoqërore, për të cilat qeverisë do t’i duhej të financonte nëse Kisha nuk siguronte një mbështetje të tillë. Ky është një lehtësim për shtetin. Gjatë krizave të ndryshme që ka kaluar vendi ynë (1992, 1994, 1997) dhe kur mbërritën mijëra refugjatë nga Kosova në vitin 1999, Kisha Orthodhokse ka zhvilluar një veprimtari të gjerë sociale e humanitare, duke siguruar e duke shpërndarë mijëra tonë ushqime, veshmbathje, ilaçe etj. Janë realizuar dhe vazhdojnë të realizohen projekte të ndryshme zhvillimi për zonat malore, për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, ndërtime rrugësh, ujësjellësish, ndihma për jetimore, spitale, institute për persona me aftësi të kufizuara, azile, për të burgosurit, për familjet e prekura nga përmbytjet, dreka për të varfrit etj.               Prania e kishave dhe jeta kishtare ndikojnë te kontributet pozitive sociale në komunitet. Individët, të cilët janë besimtarë, shfaqin prirje për të marrë pjesë në ndërtimin e komunitetit, në projektet morale, të tilla si duke dhuruar gjak, duke ofruar ndihmë, mbështetje etj. Përveç kësaj, pjesëmarrja në jetën kishtare dhe besimi rrisin vullnetarizmin në komunitet dhe brenda Kishës. Është e qartë se duke përgatitur dhe duke dërguar vullnetarë në ndihmë të komunitetit, Kisha ofron përfitime të rëndësishme ekonomike dhe sociale, duke ndihmuar në përmirësimin e jetës dhe duke lehtësuar barrën e instancave përkatëse qeveritare.                    Së bashku me krijimin e programeve sociale dhe duke shërbyer si një bazë për vullnetarët e komunitetit, Kisha Orthodhokse, gjithashtu, përmirëson suksesin arsimor të studentëve e nxënësve dhe siguron trajnim e aftësi që promovojnë angazhimin qytetar. Studentët, të cilët shpesh frekuentojnë kishën, kanë përmirësuar aftësinë për të ndarë kohën, në mënyrë që të jetë sa më produktive dhe për të arritur qëllimet e tyre në jetë. Përfshirja e prindërve në jetën kishtare, gjithashtu, përmirëson kapacitetet dhe arritjet arsimore të fëmijëve të tyre. Prindërit besimtarë rrisin fëmijë me përgjegjësi për të kryer gjithmonë detyrat e shtëpisë, për të ndjekur orët e mësimit dhe për të përfunduar me sukses shkollimin e tyre. Kisha orthodhokse siguron trajnime e burime arsimore, psikologjike e morale, të cilat rezultojnë në një të tashme dhe të ardhme pozitive për nxënësit e studentët. Këtë vit të ri mësimor (v. 2015) në bankat e shkollave të Kishës sonë u ulën 1275 nxënës.                Për arsimin kishtar funksionojnë Akademia Theologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash të Durrësit dhe dy gjimnaze kishtare me emrin “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër dhe Sukth, Durrës. Studentëve dhe nxënësve u ofrohet bursë nga Kisha. Gjithashtu, funksionojnë Shkolla e Lartë “Logos”, Shkolla e Muzikës Bizantine me konvikt në Tiranë, shkolla e mesme teknike “Apostull Pavli” në Mesopotam, Sarandë; shkolla e mesme “Platoni” në Korçë, konvikti i vajzave të shkollës së mesme në Bularat, Gjirokastër; Shtëpia Orthodhokse e Shpresës në Shën Vlash, Durrës; kompleksi arsimor shqiptaro-amerikan “Protagonistët” në Tiranë, shkollat 9-vjeçare “Frymë Dashurie” në Durrës e Gjirokastër; 17 kopshte në Tiranë, Durrës, Kavajë, Korçë, Lushnjë, Elbasan, Cërrik, Gjirokastër (2), Tepelenë, Dervician, Sarandë, Pogradec, Shkodër, Vlorë, Përmet e Berat. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, nëpëmjet zyrës “Diakonia Agapes”, ndërmori, gjatë viteve 1999 – 2000, rikonstruktimin ose rindërtimin e shumë objekteve arsimore si shkolla e kopshte. Ato u pajisën gjithashtu me bazën materiale e didaktike për të plotësuar nevojat e nxënësve dhe mësuesve.               Mjedisi kishtar ofron një terren trajnimi për individë të të gjitha përkatësive socio-ekonomike, duke i ndihmuar ata të fitojnë aftësi për të patur sukses në industri, biznes, arsim, shkencë, art, politikë etj. Me pak fjalë, trajnimi arsimor e qytetar dhe motivimi që institucionet e Kishës ofrojnë, sjellin përfitime të mëdha sociale dhe ekonomike në shoqëri. Me rritjen e angazhimit arsimor e qytetar dhe zvogëlimin e krimit dhe dhunës, rritet stabiliteti politik dhe ekonomik i vendit. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është institucion i rëndësishëm në zhvillimin e arsimit, jetës dhe aftësive sociale që nevojiten për të pasur sukses në shoqëri e më gjerë.                    Përfshirja në Kishë vazhdimisht çon në uljen e niveleve të devijimit dhe krimit. Sipas një studimi, jeta kishtare redukton dhunën në familje, midis burrave ose midis grave. Pjesëmarrja në kishë lidhet me uljen e niveleve të sulmeve, vjedhjeve dhe kërcënimeve. Kisha promovon nivelet në rënie të krimit të dhunshëm si në aspektin individual, ashtu dhe në atë shtetëror. Sa më shumë të jetosh brenda Kishës, aq më shumë zbehen sjelljet devijuese, të tilla si përdorimi i drogave, dhunës dhe kriminaliteti në mesin e të rinjve. Kisha jonë Orthodhokse viziton shpesh të burgosurit dhe u predikon atyre pendimin dhe faljen. Kjo i ndihmon ata, u jep shpresë dhe ul ndjeshëm sjelljet negative e kriminale.                    Kisha, gjithashtu, promovon një shumëllojshmëri përfitimesh shëndetësore, duke përmirësuar vitalitetin e komunitetit dhe uljen e shpenzimeve qeveritare. Jeta kishtare orthodhokse ndikon ndjeshëm në uljen e numrit të vetëvrasjeve, uljen e abuzimit me alkoolin dhe përdorimin e drogës. Programet e Kishës dhe praktikat kishtare theksojnë shëndetin shpirtëror dhe fizik të besimtarit. Një komunitet i shëndetshëm është më produktiv. Duke ndihmuar në përmirësimin e shëndetit fizik e shpirtëror të individëve, Kisha Orthodhokse siguron një përfitim shumë të rëndësishëm për vendin. Për sa i përket kujdesit shëndetësor funksionojnë Qendra Mjekësore Diagnostike “Ungjillëzimi” në Tiranë, qendra të kujdesit parësor shëndetësor në Kavajë, Korçë, Jergucat (Gjirokastër) dhe Lushnjë; njësia ambulante dentare, Qendra Okulistike dhe Otorinolaringologjike në Tiranë. Gjithashtu, janë rikonstruktuar apo ndërtuar disa qendra shëndetësore në zonat rurale. Natyrisht këto janë në favor të komunitetit duke plotësuar nevojat e tij dhe duke ofruar shërbim cilësor e profesional pa dallim feje, gjinie, kombësie, rrace etj.               Kisha, gjithashtu, është e lidhur pozitivisht me mirëqenien mendore të besimtarëve të saj. Spiritualiteti orthodhoks, jeta kishtare, misteret e shenjta ulin ndjeshëm stresin, depresionin, mërzitjen, rrisin vetëvlerësimin dhe u japin individëve shpresë dhe u tregojnë se cili është qëllimi i vërtetë i jetës. Me pak fjalë, besimtari duke jetuar jetën brenda Kishës përmirëson shëndetin mendor. Të kesh shëndet të fortë mendor i bën individët më produktivë dhe më pak të rrezikuar për kryerjen e krimeve.               Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë në harmoninë ndërfetare në vend. Ajo luajti rol parësor në themelimin e “Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale të Shqipërisë”, për përkthimet e reja të teksteve biblike në gjuhën shqipe. Ndihmoi në shmangien e rithemelimit të Uniatizmit në Shqipëri duke pasur një bashkëpunim me romanokatolikët. Gjithashtu, kontributi orthodhoks ishte përcaktues edhe në krijimin e “Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë”, në të cilin marrin pjesë komunitetet tradicionale fetare të Shqipërisë (myslimanët: sunitë dhe bektashinj; të krishterët: orthodhoksë, romanokatolikë dhe protestantë) dhe i cili u bë anëtar i Organizmit Mbarëbotëror të Feve për Paqen (Religion for Peace). Duhet theksuar se Kisha orthodhokse nxit tolerancën dhe bashkëpunimin midis njerëzve e midis feve, duke kontribuar për një shoqëri tolerance, paqeje, dashurie e mirëkuptimi.                Vendi ynë, Shqipëria u bë e njohur në arenën ndërkombëtare edhe falë Kishës Orthodhokse. Shumë pak persona kanë dëgjuar për këtë shtet, që gjendet në Evropën juglindore, në pjesën perëndimore të gadishullit Ballkanik, madje disa prej tyre as që e dinë se ai ekziston në hartë. Ne vërtet jemi një popull i vogël, por mbartim vlera të mëdha, trashëgojmë një kulturë të lashtë e të pasur nga të parët tanë. Prandaj, Kisha jonë duke qenë anëtare e disa organizmave ndërkombëtare si: Konferenca e Kishave Evropiane, Këshilli Botëror i Kishave, si dhe Organizmi Ndërfetar Global “Fetë për Paqen” (Kryepiskopi ynë është zgjedhur Zëvendëspresident i organizmit të parë, President i të dytit dhe President nderi i të tretit) i ka bërë jehonë vendit tonë dhe kulturës sonë. Imazhi ynë para gjithë botës është përmirësuar dhe kjo na bën të ndihemi krenarë.               Një kontribut të vyer Kisha ofron edhe për kulturën. Një Zyrë e veçantë e Trashëgimisë Kulturore merret me objektet orthodhokse të kultit, që janë edhe monumente të kulturës kombëtare, për riparimin e të cilave, nën përkujdesjen e Kryepiskopit Anastas, janë përdorur deri më sot shumë miliona euro. Janë restauruar rreth 600 ikona, duke u rigjallëruar tradita jonë e pasur e ikonografisë. Janë ngritur kore kishtare. Funksionon stacioni radiofonik “Ngjallja”, në frekuencat 88,5 FM. Janë kryer ekspozita të ndryshme e simpoziume shkencore. Janë botuar me dhjetëra libra theologjikë dhe formues. Po ashtu, botohet gazeta e përmuajshme “Ngjallja”, revista për fëmijë “Gëzohu”, revista rinore “Kambanat”, revista periodike “Kërkim” etj. Vepra ndërtuese e Kishës Orthodhokse arrin në mbi 450 objekte, të cilat do të mbeten një trashëgimi e vyer për vendin tonë. Të gjitha këto pasurojnë kulturën e vendit tonë.               Një mrekulli më vete është Kompleksi i Katedrales së re të Tiranës “Ngjallja e Krishtit”, i integruar harmonikisht në qendrën historike të kryeqytetit. Ikonostasi i mermertë, amvoni dhe froni dhespotik në mermer të skalitur, mozaikët, llambadarët me fletë bronzi e vargje qirinjsh, kambanorja me katër llambadhet e Pashkës, kishëza “Lindja e Krishtit”, Selia e Sinodit të Shenjtë etj. e bëjnë këtë kompleks madhështor. Ai tërheq shumë vizitorë vendas e të huaj. Qendra e tij Kulturore dhe e Konferencave, më bashkëkohorja në vend, i shërben komunitetit. Në këtë mënyrë realizohet plotësimi i nevojave shpirtërore, kulturore e sociale të besimtarëve dhe jo vetëm.                Siç u kuptua nga sa u përmend më sipër, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka ndikime të ndryshme pozitive në komunitet, duke filluar nga rritja e besimit, e duke vijuar me përmirësimin e shëndetit mendor dhe fizik, uljen e krimit, rritjen e vullnetarizmit, rritjen e nivelit të ekonomisë, pakësimin e varfërisë, shtimin e vlerave kulturore të vendit etj. Këto atribute ndërtojnë norma dhe vlera që nxisin stabilitetin politik dhe performancën ekonomike. Kisha kontribuon në komponentë të rëndësishëm jetikë të shoqërive të suksesshme dhe prania e saj në komunitet ofron shumë përfitime, që nuk mund të maten vetëm nga të ardhurat e drejtpërdrejta.

Të duash shtetin tënd, vendin tënd, atdheun tënd nuk mjafton të ngresh flamurin e të bërtasësh, por duhet punë e mund pa shumë fjalë për të treguar këtë dashuri. Këtë gjë e bën i pari Kryebariu ynë,  dhe pas tij çdo besimtar i krishterë orthodhoks që do të mirën e këtij vendi edhe pse keqdashësit trumpetojnë të kundërtën. Atë që ka bërë Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Imzot Anastasi për këtë vend në një periudhë relativisht shumë të shkurtër, nuk e ka bërë askush deri më sot. Ai mbledh gurët që i hedhin dhe me ta ndërton kisha, shkolla, kopshte, klinika dhe në vend të trishtimit fal dashuri pa kufi. Ky është një shembull që duhet marrë.

            Le të ecim të gjithë së bashku me përulësi e dashuri duke dhënë nga vetja e duke kontribuar për vendin tonë të shqipeve. Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Ditën e Flamurit dhe Ditën e Çlirimit! Perëndia e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!

 

  1. Theano Kostoli

Pedagoge në Akademinë Theologjike “Ngjallja e Krishtit”Shën Vlash, DurrësNëntor 2015

 

Kontributi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë pas viteve ’90