E Hëna e bardhë -Kreshma
E hëna e bardhë (ose e hëna e pastër sic quhet ndryshe ) është dita e parë e kreshmës së Pashkës së Madhe .U quajt “e bardhë ose e hëna e pastër sepse për të krishterët ortodoks fillon periudha e “pastrimit ” shpirtëror dhe trupor.
E hëna e bardhë nuk është festë e qëndrueshme sepse varet nga data që bie Pashka e Madhe cdo vit.E hëna e bardhë kremtohet pikërisht 48 ditë para Pashke.
Kreshma
Kreshma është një ndërmjetës dhe një armë shpirtërore gjatë së cilës nuk mjafton vetëm kufizimi ndaj ushqimeve por vecanërisht kërkohet pjesmarrja shpirtërore.
Shën Joan Gojarti na thotë :”tregoje kreshmimin nëpërmjet veprave.Nëse shikon dikë me të cilin je armik ,të pajtohesh me të.Nëse shikon një të varfër ,jepi lëmosh .
Të kreshmojnë edhe duart,duke mbetur të pastra nga vjedhjet ose lakmitë.
Të kreshmojnë edhe këmbët,duke mos ecur në rrugët që të cojnë drejt mëkatit.
Nuk ha mish? Atëherë mos “ha” papastërti as me sy .
Le të kreshmoj edhe dëgjimi yt.Kreshmim i dëgjimit do të thotë të mos pranosh të dëgjojnë veshët e tu sharje dhe thashethem.
Le të kreshmoj edhe goja nga fjalët e këqija.Sepse cfarë dobie kemi kur kreshmojmë dhe nuk hamë mish e peshk por “kafshojmë” dhe hamë vëllezërit tanë ?”
Le të kreshmojmë me trup dhe me shpirt dhe të jetë për ne kjo përpjekje një ndërmjetim për tu afruar më pranë Perëndisë.
Kreshëm të mbarë!
Përgatitur nga N. Ikonomi