/ Predikime-Katekizma- Artikuj / E Diela pas Lartësimit të Kryqit

E Diela pas Lartësimit të Kryqit

Falja e Kryqit

 
 

“Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij dhe le të ngrerë kryqin e tij, dhe le të më
vijë pas” (Mk.8:34)!
Të dashur besimtarë! Kjo është e treta herë që flasim për Kryqin e Zotit Krisht brenda një
jave. Por natyrshëm lind pyetja se përse është kaq i rëndësishëm ky simbol për ne të
krishterët? Çfarë nënkupton dhe çfarë na kujton ky simbol?
Në radhë të parë na kujton “Dashurinë” e Perëndisë që lejoi Birin e tij të vetëm të
kryqëzohet mbi drurin e Kryqit për të na çliruar nga mëkatet tona. Ç’dashuri më e madhe
mund të ekzistojë sesa të japë dikush Birin e tij të vetëm për të shpëtuar të tjerët?! Prandaj
dhe Ungjillor Joani në pjesën e Ungjillit që u lexua të dielën Para Lartësimit të Kryqit na
thotë: “Sepse Perëndia aq e deshi botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që të mos humbasë kushdo
që t’i besojë atij, po të ketë jetë të përjetshme” (Jn.3:16).
Së dyti Kryqi i Zotit na kujton “Gëzimin e Parajsës”. Ashtu si pema u bë shkak që Adami
dhe Eva të bien në mëkat dhe të dëbohen nga Parajsa, kështu edhe druri i Kryqit u bë shkak
që dyert e Parajsës të hapen përsëri për të gjithë njerëzit.
Së treti, Kryqi i Zotit na jep “Shpresë” sepse na kujton se pas trishtimit të vdekjes së
Krishtit mbi Kryq do të vijë gëzimi i ngjalljes së tij triumfale.
Së katërti, Kryqi i Zotit na jep “Fuqi” sepse na kujton se e keqja nuk mund të jetojë gjithnjë
dhe se pas vdekjes vjen ngjallja. Kryqi dhe Ngjallja janë të pandarë nga njëri-tjetri, prandaj
Kryqi na jep fuqi që të përballemi me sfidat e jetës.
Së pesti, Kryqi është simbol i “Fitores” sepse nëpërmjet vdekjes së tij mbi Kryq, Zoti Krisht
fitoi një herë e përgjithmonë mbi pushtetin e të ligut.
Motra dhe vëllezër! Duke parë këto pesë simbolika që burojnë nga Kryqi i Zotit
Dashurinë, Gëzimin e Parajsës, Shpresën, Fuqinë dhe Fitoren, kuptojmë se atë që Zoti kërkon
nga ne kur na fton të gremë kryqin e tij dhe ta ndjekim.
Në radhë të parë, Kryqi i Zotit ngrihet me Dashuri, me dashuri për Zotin dhe për njëri-
tjetrin.
Në radhë të dytë, Kryqi i Zotit ngrihet me Gëzim, jo duke patur urrejtje dhe zemërim në
zemrat tona.
Në radhë të tretë, Kryqi i Zotit ngrihet me Shpresë se pas kalimit të çdo vështirësie dhe të
çdo sfide do të shijojmë bekimet e Perëndisë.
Në radhë të katërt, ngritja e Kryqit nënkupton përballjen tonë me sfidat e ndryshme të
jetës dhe në këtë pikë, Kryqi i Zotit na jep Forcë që të përballemi me këto sfida.
Në radhë të pestë, Kryqi na jep sigurinë e Fitores me hirin e Zotit ndaj çdo sfide dhe
vështirësie.
Dhe duke e mbyllur dua të theksoj se Zoti na fton të mbajmë Kryqin e tij, ta ndjekim atë,
pra të bëhemi nxënësit e tij dhe kështu do të shpëtojmë shpirtin tonë dhe “do të jemi në lavdinë
e Atit të tij bashkë me të gjithë engjëjt e shenjtë” (Mk.8:38). Amin.

 
Përgatitur nga At. Spiro Kostoli
 
 

E Diela pas Lartësimit të Kryqit