/ Problematika Moderne / “Atij që ka, do t’i jepet e do t’i teprojë.Atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo që ka”

“Atij që ka, do t’i jepet e do t’i teprojë.Atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo që ka”

"Atij që ka, do t'i jepet e do t'i teprojë.Atij që s'ka, do t'i merret edhe ajo që ka''

 

(Mattheu 25, 29)

Nëse sipas fjalëve të psallmistit David vetëm të çmendurit mund të thonë në zemrën e tyre që s’ka Perëndi, s’mund të jenë më të urtë as ata, të cilët shpresojnë se, me argumenta logjike, mund të bindin ata që s’besojnë. Të sjellurit e argumentave për çështje që i përkasin besës dhe fesë, është punë e kotë dhe pa ndonjë fryt. Është sikur t’i flasim një të verbëri për bukurinë artistike të Shën- Mërisë së Rafaelit, ose një të shurdhëri për meloditë madhështore të Rosinit dhe të Mozartit. Mundet, që edhe i verbëri edhe i shurdhëri t’i besojnë fjalët tona dhe të bashkohen me mendimin tonë, po në brendësinë e tyre s’kanë për të hyrë ato valët e kënaqësisë, të cilat na mallëngjyen dhe na prekën ne. Kështu është dhe me parimet fetare.

Mund të rrjeshtojmë para atyre që s’besojnë një shumicë argumentesh të forta e të pakundërshtueshme në favor të parimeve fetare; ata s’kanë për të besuar. S’është çudi që disa prej tyre ta pranojnë se besa është diktuar prej arsyes, po që të besojnë edhe ata vetë: jo, sepse u mungon fuqia shpirtërore.
    Të pranuarit që besa është gjë e arsyeshme dhe të besuarit, janë dy gjëra të ndryshme. Ndërmjet asaj që përbën objekt arsyetimi për mendjen dhe influencon mendimin edhe asaj që i përket zemrës dhe influencon vullnetin, është një avis i madh. Mund të pajtohemi me të parën, po të hedhim poshtë të dytën. Sepse, për të patur një besë të plotë, duhet të besojmë jo vetëm me mendjen, por, siç thotë Ungjilltari Matthe, dhe ”me tërëzemrën e me tërë shpirtin” (Mattheu 22, 37).
    Filozofi Fihte thotë: “sistemi i ideve tona, zakonisht është historia e zemrës sonë”, gjë që me fjalë të tjera do të thotë, se njerëzit nuk dëshirojnë atë që mendojnë, po
mendojnë atë që dëshirojnë. Prandaj dhe besa ose mungesa e besës ndër ne, është zakonisht ripasqyrimi i dispozitave tona shpirtërore. Kështu ua shpjegoi Iisui shkruesve e farisejve shkakun pse ata nuk i besojnë misionit të tij hyjnor: Ju jini prej atyre që janë poshtë, unë jam nga ata që janë lart; ju jini prej kësaj bote, unë s’jam prej kësaj bote. Ai që është prej Perëndisë, fjalët e Perëndisë dëgjon. Ju nuk i dëgjoni, sepse ju nuk jini prej Perëndisë (Joani 8, 23, 37).
 
 
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë
 

“Atij që ka, do t’i jepet e do t’i teprojë.Atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo që ka”