E DIELA VII LLUKAIT
“Guxim, bijë, besimi yt të shpëtoi; shko në paqe” (Llk.8:48) dhe “Mos ki frikë, veç beso, dhe do të shpëtojë” (Llk.8:50).
Të nderuar besimtarë!
Ungjilli i sotëm na sjell dy mrekulli të mëdha që Zoti ynë Jisu Krisht i kryen njëra pas tjetrës.
Dy mrekulli; dy zgjatje duarsh!
Në rastin e parë gruaja e sëmurë zgjat dorën e saj, prek Zotin dhe shërohet.
Në rastin e dytë Zoti zgjat dorën e tij dhe i jep jetë vajzës së vdekur.
Udhëtimi ynë si të krishterë shoqërohet nga ky veprim i dyfishtë; zgjatja e dorës së njeriut drejt Perëndisë dhe zgjatja e dorës së Perëndisë drejt njeriut.
Në këtë mrekulli, gruaja, e cila ndodhej mes një turme të madhe njerëzish që ndiqnin Jisuin, vuante prej 12 vjetësh nga një rrjedhje e vazhdueshme gjaku. Ajo kishte harxhuar gjithë pasurinë e saj nëpër mjekët dhe nuk kishte arritur të shërohej. 12 vjet mundim dhe vuajtje, por sapo preku cepin e rrobës së shenjtë të Zotit, u shërua nga sëmundja e saj.
E njëjta gjë ndodh edhe sot! Nëse nuk jemi të sëmurë trupërisht jemi shpirtërisht. Në mënyrë të veçantë njeriu i epokës së sotme vuan nga egoizmi, nga lakmi për sa më shumë pará, nga krenaria, nga mbyllja brenda vetëvetes.
Njeriu i sotëm përpiqet të gjejë kuptimin e jetës, të gjejë kënaqësinë dhe përmbushjen e jetës. Njeriu i sotëm bën shumë gjëra, por harron Perëndinë. Ai për t’u kënaqur dëfrehet deri në shthurje. Dhe përfundimi i këtyre përpjekjeve për kënaqësi është zbrazja dhe degradimi i njeriut.
Prandaj sot shohim shumë njerëz pa orientim, të përhumbur brenda kaosit të shoqërisë sekulare; shohim shumë të droguar, të sëmurë me ankth e depresion; dhe ajo që është më e rënda: njeriu i sotëm është në krizë identiteti.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Kënaqësia, kuptimi dhe përmbushja e jetës nuk mund të gjenden jashtë Perëndisë, por në Perëndinë dhe me Perëndinë.
Njeriu duke qenë qenie psiko-somatike, pra shpirt edhe trup ka nevojë për këtë veprim të dyfishtë: që të zgjasë duart e tij drejt Perëndisë dhe Perëndia të zgjasë dorën e tij të mëshirshme ndaj njeriut.
Megjithëse ndodhej mes një turme të madhe, gruaja e ungjillit të sotëm arrin të dallojë Krishtin. Ajo nuk shpërqendrohet nga turma, nuk humbet në mes të kaosit të turmës, por me guxim dhe besim ajo lufton për të arritur qëllimin e saj që të prekë Zotin dhe për këtë besim që tregoi u shërua.
Kështu edhe ne sot jemi të rrethuar nga një botë që përpiqet të na pengojë për t’u afruar me Zotin. Prandaj nevojitet guxim dhe besim i fortë dhe të zgjasim duart tona drejt Perëndisë për të marrë shërimin e sëmundjeve edhe të trupit edhe të shpirtit tonë.
Dhe Zoti këtë pret nga ne; që të zgjatim duart tona drejt tij dhe kur ndodh kjo gjë, Ai është i gatshëm dhe i ka të zgjatura duart e tij drejt nesh për të na dhënë jetë, ashtu siç i dha jetë vajzës së vdekur.
Edhe në këtë rast “besimi” ishte kushti i domosdoshëm që Zoti i kërkoi Jairit, babait të vajzës. Krishti i tha: “Mos ki frikë, veç beso, dhe do të shpëtojë” (Llk.8:50).
Besim, besim dhe vetëm besim!
Gruaja e sëmurë besoi se nëse prekte rroben e Zotit do të shërohej dhe u shërua. Edhe Jairi besoi tek fjala e Zotit dhe vajza u ngjall nga të ndekurit.
Kjo është mrekullia e krishterimit të dashur besimtarë!
Besimi është dhe mesazhi kryesor i Ungjillit të sotëm!
Zoti na fton të gjithëve dhe na thotë: “Mos ki frikë, veç beso, dhe do të shpëtosh”!
Amin.
Përgatiti:
Atë Spiro Kostoli.
E DIELA VII LLUKAIT