Pagëzimi i Zotit Jisu Krisht (Theofania)
Dita e 6 Janarit për besimtarët orthodhoksë është jo vetëm e shënuar, por e shenjtë. Është e shenjtë, sepse të shenjta janë dhe ngjarjet që ndodhin atë ditë. Dhe kjo ndodh për disa arsye:
Së pari, është dita që besimtarët kujtojnë pagëzimin e Zotit Jisu Krisht dhe zbritjen e Shpirtit të Shenjtë. Kjo ngjarje tregon se qenia njerëzore ka nevojë për pastrimin me ujë dhe ndihmën shenjtëruese të Shpirtit të Shenjtë.
Së dyti, Shpirti i shenjtë është shenjtëruesi i krijesës, tregues i dlirësisë, pastërtisë dhe mesazhit të pastër. Janë pikërisht këto karakteristika të pëllumbit, i cili zbret mbi kokën e Jisuit kur ai po dilte menjëherë nga uji, dhe që simbolizon Shpirtin e Shenjtë. Ky fakt tregon se qenia njerëzore dhe gjithë bota mund dhe duhet të shenjtërohen nga Shpirti i Shenjtë, i cili ka jo vetëm fuqi transformuese, por dhe pastërtinë, sinqeritetin dhe lajmin e gëzueshëm të shpëtimit, për të cilat njeriu dhe bota kanë nevojë.
Së treti, kjo ditë tregon vlerën qëkemi ne njerëzit përpara Perëndisë, pasi këtë ditë Perëndia udrejtohet njerëzve që të nisin udhën e shpëtimit dhe veprimi i parë pas besimit dhe pendimit është pagëzimi, ku njeriu duke u bashkuar me Perëndinë nëpërmjet hirit të Tij, jeton në shoqërinë e hirit hyjnor, i cili e bën njeriun të kuptojë rëndësinë dhe vlerën e shoqërisë.
Së katërti, Pagëzimi i Zotit Jisu Krisht tregon se kur hiri hyjnor vjen dhe zë vend brenda botës, jo vetëm e transformon atë, por e shenjtëron dhe kjo duket dhe na e vërteton uji i datës 6 Janar, ku besimtarët e marrin dhe e mbajnë në shtëpitë e tyre dhe që i reziston prishjes për shumë vite. Këtë fakt na e vërteton dhe përvoja kishtare ku Uji i Bekuar në shërbesën e Ajazmës (Bekimit të ujit), që bëhet çdo fillim muaji nuk pëson prishje.
Së pesti, kjo ditë është për të gjithë njerëzit, pasi të gjithë ujërat shenjtërohen dhe janë të shenjtëruar këtë ditë. Me anë të kësaj shenje, Perëndia na zbulon se është jo vetëm fuqiplotë, por dhe përbashkuesi i qenies njerëzore. KishaOrthodhokse në shërbesat e saj përcjell këtë mesazh. Shërbesa e shenjtërimit të ujit fillon në dt. 5 Janar dhe kulmin e arrin në 6 Janar, me hedhjen në det të Ujit të Bekuar më parë me lutjen e klerikëve dhe besimtarëve dhe arrin kulmin me hedhjen në det tëKryqit, si simbol i fitores, sakrificës, dashurisë dhe bekimit.
Përgatiti: Thoma Çomëni, pedagog në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, Shën Vlash, Durrës.