/ Predikime-Katekizma- Artikuj / Predikimi i Ungjillit (Llk.17:12-19)

Predikimi i Ungjillit (Llk.17:12-19)

 

“Jisu, mjeshtër, përdëllena” (Llk. 17:13)
Këto fjalë i drejtuan Krishtit 10 leprozë. Kur Zoti Krisht i pa, u tha të shkonin e të tregonin veten e tyre tek priftërinjtë. Dhe ata duke shkuar u pastruan. Njëri nga këta të sëmurë (samaritan), kur pa se u shërua u kthye dhe duke lavdëruar Perëndinë, ra në këmbët e Jisuit dhe e falënderoi.
Edhe Jisui u përgjigj e tha: A nuk u pastruan të dhjetët? Po të nëntët ku janë? Më pas i thotë atij që u kthye dhe e falënderoi: Ngrihu, e shko; besimi yt të shpëtoi. (Llk. 17:19)
Lebra – ishte një sëmundje e keqe, e rëndë, me vuajtje e dhimbje. Në Izrael, ata njerëz që ishin me lebër konsideroheshin si të papastër dhe jetonin jashtë qyteteve. Këta njerëz duhej të rrinin të paktën 50m larg njerëzve të shëndoshë. Në këtë mënyrë ata ishin të izoluar, të veçuar, të vetmuar e të distancuar nga shoqëria. Kjo situatë shtonte akoma më shumë dhimbjen e sëmundjes.
Megjithëse në këtë lloj situate, Krishti nuk hezitoi t’u afrohej dhe t’i ndihmonte kur ata i thirrën për ndihmë. Zoti nuk i shëroi ata menjëherë, gjë që mund ta bënte vetëm me një fjalë, por u tha që të shkonin e të rrëfenin veten e tyre para priftërinjve dhe kjo për të vënë në provë besimin e tyre. Në momentin që u larguan nga Krishti, ata ishin akoma të sëmurë dhe rrugës duke shkuar për tek priftërinjtë, ata konstatuan se ishin shëruar.
Është normale që këta njerëz të kenë përjetuar një gëzim shumë të madh dhe emocione shumë të forta kur ndienë se ishin shëruar dhe ndoshta edhe të çoroditur nga kjo mrekulli dhe ngjarje kaq e madhe në jetën e tyre, harruan të ktheheshin e të falënderonin mirëbërësin e tyre. Vetëm njëri prej tyre u kthye dhe duke lavdëruar Perëndinë, falënderoi mirëbërësin e tij… dhe ky ishte samaritan.
Ndoshta edhe 9 të tjerët ishin mirënjohës e të mirë.
Ndoshta me mendje e lavdëruan Perëndinë.
Ndoshta menduan të falënderonin dhe Zotin Krisht, por më parë donin të lajmëronin familjet e tyre.
Ka shumë “Ndoshta”, por realiteti që na jep ungjilli na thotë se ata, që ishin nga populli i zgjedhur i Perëndisë (izraelitë) nuk u kthyen të falënderonin Perëndinë dhe një jobesimtar, një i huaj, një samaritan, vetëm ky u tregua mirënjohës, vetëm ky u kthye e falënderoi.
Të dashur motra e vëllezër!
Ashtu si edhe ngjarjet e paravolitë e tjera të Ungjillit, edhe kjo histori mrekullie mund të aktualizohet dhe secili prej nesh mund ta lidhë jetën e tij me këtë mrekulli. Por si?!
Është normale për të gjithë ne, që kur kemi probleme, shqetësime, sëmundje dhe momente të vështira të vijmë në Kishë, të ndezim qirinj, t’i lutemi Zotit që të na mëshirojë dhe të na ndihmojë siç vepruan të 10 leprozët kur panë Krishtin.
Madje, kur gjendemi përballë vështirësive, shpesh herë ne ankohemi dhe themi: pse të më ndodhë mua, o Zot? Por, le të mendojmë për një moment të kundërtën: sa nga ne kur jemi mirë me shëndet, kur na ecën puna mirë, kur jemi të lumtur, të gëzuar, pse jo edhe kur kemi pasuri, a bëjmë të njëjtën pyjetje: pse mua, o Zot?! Përse i meritoj unë gjithë këto të mira?!
Por, ne njerëzit kur jemi të mbushur me gjithë këto bekime të Perëndisë, mendojmë se gjithë këto të mira janë meritë e jona dhe rezultat i mundimeve e përpjekjeve tona dhe harrojmë se çdo gjë e mirë është dhuratë prej së larti, Atit të dritave – siç themi edhe në Liturgjinë Hyjnore. Ndërsa kur jemi keq, të sëmurë e në vështirësi, këtë situatë ia vëmë Zotit fajin dhe përgjegjësinë për këtë situatë dhe prandaj pyesim: pse të më ndodhë mua kjo fatkeqësi, o Zot?
Të dashur besimtarë!
Mrekullia e ungjillit të sotëm na mëson dy të vërteta thelbësore për jetën e krishterë?
BESIMI. Në çdo gjendje që të jemi keq apo mirë, të sëmurë apo të shëndoshë, të varfër apo të pasur, në vuajtje apo në gëzim jeta, mendja, shpirti dhe lutja jonë duhet t’i drejtohet Zotit.
MIRËNJOHJA dhe FALËNDERIMI. Nuk duhet t’u ngjajmë 9 leprozëve, që pasi u shëruan nga sëmundja dhe mundimi i tyre, nuk u kthyen të falënderojnë Zotin për mirëbërjen që u bëri.
Të gjithë ne ftohemi t’i ngjajmë atij samaritani të huaj, i cili e vlerësoi atë çka bëri Zoti për të dhe u kthye për të falënderuar Zotin, mirëbërësin e tij.
E gjithë jeta jonë duhet të karakterizohet nga besimi tek Krishti dhe mirënjohja e falënderimi ndaj Zotit për të gjitha bekimet që na jep.
Mirënjohje dhe falënderim duhet të kemi dhe për prindërit tanë, për të afërmit tanë, për miqtë dhe për të gjithë njerëzit që na gjenden pranë si në momentet e lumtura ashtu edhe në momentet e vështira të jetës sonë.
Predikimin e sotëm dua ta mbyll me një varg shumë të bukur nga psalmi 103 që lexojmë çdo ditë në mëngjesore: “Beko Zotin, o shpirti im dhe mos harro tërë mirësitë e tij”. Amin.

 

Përgatitur nga At Spiro Kostoli 

 

Predikimi i Ungjillit