/ Predikime-Katekizma- Artikuj / E Diela e të paralizuarit

E Diela e të paralizuarit

E Diela e të paralizuarit

 

Krishti u ngjall!
Historia e ungjillit të sotëm, të dashur besimtarë, fillon e dhimbshme. Ajo nxjerr në pah disa nga problemet që e kanë shoqëruar qenien njerëzore që nga lashtësia si sëmundja, vetmia, shërimi, marrëdhënia me Perëndinë, me njëri-tjetrin etj.
Ungjilli i sotëm flet për një njeri, i cili ishte i sëmurë prej 38 vjetësh. Ai ishte i paralizuar. Pjesën më të madhe të jetës së tij e kishte kaluar pranë një pellgu uji, në të cilin “kohë pas kohe zbriste një engjëll në pellg dhe trazonte ujin; ai pra që të hynte më parë pas trazimit të ujit, bëhej i shëndoshë prej çfarëdo sëmundjeje që të kishte” (Jn.5:4).
Zoti Krisht duke kaluar pranë këtij pellgu sheh këtë të paralizuar dhe i thotë: “A do të bëhesh i shëndoshë? I sëmuri u pëgjigj: Zot, s’kam njeri të më vërë në pellg kur trazohet uji; sepse kur vij unë, një tjetër zbret përpara meje” (Jn.5:6-7).
Atëherë Jisui i thotë: “Çohu, ngri shtratin tënd, dhe ecë. Edhe përnjëherë njeriu u bë i shëndoshë, dhe ngriti shtratin e tij dhe ecte” (Jn.5:8-9).
Plot 38 vjet! Shumë nga të pranishmit sot në kishë as nuk i kanë mbushur të 38-tat, ndërsa ky njeri kishte 38 vjet i pushtuar nga një sëmundje e pashërueshme. Një jetë e tërë me vuajtje dhe e keqja tjetër, ndoshta e njëjtë me sëmundjen e tij ishte dhe vetmia e tij. Ai nuk kishte një njeri që ta zbriste në pellg. Vetmia, izolimi, dhe ndjenja e boshllëkut ishin miqtë e tij të vetëm. Kur dikush pohon se nuk ka njeri që ta ndihmojë, ai pranon se nuk ka miq, nuk ka dikë që ta ndihmojë e të kujdeset për të.
Fatkeqësisht edhe sot e shohim një fenomen të tillë, ndoshta edhe më të theksuar se atëherë. Këtë e konstatojmë edhe nëse bëjmë një vizitë në qendrën e të moshuarve, ose në ndonjë azile të moshuarish. Shumë prindër qëndrojnë në këto qendra, ndërkohë që fëmijët e tyre jetojnë jashtë vendit, madje dhe në Shqipëri.
Jo vetëm të moshuarit, por edhe shumë të rinj sot janë të vetmuar, janë pa miq, ose miku i tyre është kompjuteri, celulari, interneti. Kur bien në kontakt me njerëzit kontraktohen dhe përpiqen të shmangen. Në të vërtetë edhe këta kanë pësuar një farë paralize sociale dhe vuajnë nga sëmundja e rëndë e vetmisë. Vetmia është kthyer në një nga sëmundjet më të përhapura në shoqërinë e sotme. Dhe kur bien pre e saj, vetmia sjell dëshpërim, vuajtje, dhimbje.
Por përsëri ka shpresë! I paralizuari i ungjillit të sotëm megjithse nuk kishte njeri që ta ndihmonte, ai nuk e kishte humbur shpresën. Ai bënte durim dhe priste. Madje sa herë që trazohej uji prej engjëllit, ai përpiqej edhe të zbriste e të futej në ujë, që do të thotë se ai shpresonte.
Kur Zoti Krisht i foli, zemra e tij u ngroh, shpresa se dikush do ta ndihmonte u bë edhe më e fortë. Në këtë moment sado e pakuptimtë të duket, Krishti e pyet: “A do të bëhesh i shëndoshë?” E kush është ai njeri i sëmurë qoftë edhe një ditë të vetme nuk dëshiron të shërohet, e jo më ai, i cili kishte 38 vjet i sëmurë?!
Por, edhe si në shumë mrekulli të tjera, Krishti e pyet të paralizuarin, jo se nuk dinte se çfarë dëshironte ai, por e pyet për të respektuar lirinë e tij dhe për të treguar se Perëndia është gjithmonë i gatshëm të kryejë mrekulli në jetën tonë, por që të bëhen këto mrekulli nevojitet edhe bashkëpunimi i njeriut dhe të pranojmë me ndërgjegjen, me dëshirën dhe lirinë tonë, në mënyrë që hiri i Perëndisë të veprojë tek ne.
Kështu, pasi Krishti sheh dëshirën e tij të madhe për t’u shëruar, i thotë: “Çohu, ngri shtratin tënd, dhe ecë. Edhe përnjëherë njeriu u bë i shëndoshë, dhe ngriti shtratin e tij dhe ecte” (Jn.5:8-9).
Dhe sëmundja 38-vjeçare u largua sa hap e mbyll sytë me një fjalë të vetme. Zoti i dhuroi këtij njeriu një jetë të re trupore, shpirtërore, emocionale. Ky njeri pa asnjë mik, papritur gjeti mikun më të madh të qenies njerëzore. Ai gjeti Jisu Krishtin.
Të dashur besimtarë! Ky duhet të jetë edhe zbulimi më i madh në jetë për çdo njeri. Ne nuk jemi vetëm, por Krishti është gjithmonë me ne. Ai është i gatshëm të shërojë sëmundjet tona trupore, shpirtërore, sociale, emocionale, psikologjike dhe çdo lloj sëmundjeje tjetër, por mjafton që ne të pranojmë se jemi të paralizuar nga të metat tona të ndryshme që na mundojnë dhe të dëshirojmë me gjithë zemrën tonë që hiri i Perëndisë të veprojë në shpirtin tonë, në trupin tonë, në zemrën dhe në mendjen tonë.
Krishti u ngjall!

Përgatitur nga At Spiro Kostoli

E Diela e të paralizuarit