/ Predikime-Katekizma- Artikuj / E Diela e Dhjetë e Mateut

E Diela e Dhjetë e Mateut

Besimi është forca jonë

 

 

Pasazhi i Ungjillit: Ungjilli i Mateut 17:14-23
Pasazhi i Apostullit: Letra e Parë për Korintasit 4: 9-16

E Diela e sotme për besimtarët e krishterë orthodhoksë i referohet çështjes së besimit. Zoti na udhëzon në pjesën e ungjillit të sotëm se “në paçi besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: Shko së këtejmi atje, dhe do të shkojë, dhe nuk do të ketë gjë që të mos mund ta bëni ju” (Mt.17:20). Besimi mund të kapërcejë çdo pengesë; mund të zgjidhë çdo problem dhe të mposhtë edhe vështirësitë më të mëdha. Besimi na jep fuqi, na qetëson, na ndriçon dhe na drejton në udhën e jetës.
Besimi nuk është një pranim i thjeshtë intelektual i një të vërtete të caktuar. Besimi nuk është pranimi i thjeshtë i ekzistencës së Perëndisë. Besimi nuk është bindja ndaj disa rregullave të caktuara.
Besimi është “siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk duken” (Heb.11:1). Besimi bazohet në mirësinë e gjithëpushtetshme të Perëndisë. Besimtari nuk beson në fuqitë e tij, as në aftësitë apo talentet që ka. Besimtari e dorëzon veten dhe jetën e tij në duart e Perëndisë. Perëndia mund të bëjë gjithçka. Të pamundurat për njeriun janë të mundura për Perëndinë.
Kur Zoti Krisht flet për besimin që lëviz malet, flet edhe për shkaqet shoqërore, emocionale, psikologjike e shpirtërore që na pengojnë çdo ditë në jetën tonë. Mesazhi që na jep pjesa e ungjillit të sotëm është që gjithsecili të gjejë mbështetjen e tij tek Perëndia i mëshirëplotë; të pajiset me fuqinë e madhe të besimit e të mos dëshpërohet për asgjë, por të kujtojë gjithmonë forcën dhe fuqinë që ka brenda vetes. Gjithçka është e mundur për atë që beson.

 

Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë

Kisha “Apostull Pavli & Shën Asti”, Durrës

 

Përgatitur nga At Spiro Kostoli