E Diela Para Lartësimit të Kryqit të Nderuar
Pasazhi i Ungjillit: Ungjilli sipas Joanit 3:13-17
Pasazhi i Apostullit: Letra për Galatinët 6:11-18
Sa herë që gjenden para një feste, që lidhet me Kryqin e Nderuar ku u kryqëzua Zoti Jisu Krisht, besimtarët orthodhoksë përgatiten. Edhe kjo e dielë është një ditë përgatitjeje për të festuar festën e Lartësimit të Kryqit të nderuar, e cila festohet më 14 Shtator. Kryqi, për besimtarët orthodhoksë, nuk është një objekt ku thjeshtë e kujtojmë për nder se atje u kryqëzua Zoti Jisu Krisht, por nderi dhe respekti shkon më tej, është një lidhje jete, për faktin se kryqi ku u Kryqëzua Zoti Jisu Krisht kur u gjet, pothuajse tre shekuj e gjysëm pas kryqëzimit, dëshmoi jetë. Sipas traditës kishtare duke qenë tre kryqe, ai që u kryqëzua Zoti Jisu Krisht dhe dy kryqet ku u kryqëzuan kusarët, zgjedhja e kryqit u bë nëpërmjet mrekullisë së Jetës. Dy tradita tregojnë se atje ku ishte kryqi i Krishtit mbiu dhe u rrit borzilok dhe tradita e dytë na tregon se kur vunë një të vdekur sipër u ngjall. Por nuk mbarojnë këtu dëshmitë që lidhen me faktin se Kryqi i Krishtit është simbol jete dhe triumfi. Janë të panumërta mrekullitë ku shenja e kryqit, apo nderimi dhe lutja tek Perëndia duke nderuar pjesë të kryqit të Krishtit. Kryqi si simbol që besimtarët e krishterë orthodhoksë mbajnë me vete gjatë gjithë jetës, që prej momentit të pagëzimit është një dëshmi që kryqi lidhet me jetën, fuqinë dhe lavdinë e Perëndisë.
Pikërisht këto dëshmi shtynë dhe shën Elenën, e cila ishte me origjinë nga Iliria bashkë me birin e saj, Perandorin Kostandin ta nderojnë kryqin duke ndërtuar dhe një kishë në vendin ku ndodhën mrekullitë që përmendëm më sipër. Në këtë mënyrë kryqi dhe dimensioni i tij lidhet me adhurimin dhe jetën adhuruese të besimtarëve, pasi kryqi është objekti, i cili gjendet gjithmonë prezent në jetën adhuruese të të krishterëve. Besimtarët kur luten bëjnë kryqin, klerikët kur bekojnë bekojnë me kryq ose duke bërë kryqin. Dhe jo vetëm kaq, por çdo aktivitet të përditshëm që bën njeriu e shoqëron kryqi, kur fillon një punë, kur ha vaktet e ditës, kur shkon për gjumë, kur zgjohet në mëngjes etj.
Kështu kryqi është simbol jete, pasi prej tij dhe nga ai ofrohet jetë, e cila buron nga Perëndia, por dhe që e shoqëron njeriun në gjithë hapat e jetës së përditshme. Jisu Krishti u sakrifikua mbi Kryq, për t’i dhënë përsëri jetë qenies njerëzore. Kështu, Kryqi lidhet me jetën dhe padyshim me dashurinë. Dhe si i tillë ai i ofron njeriut jo vetëm mundësinë për të jetuar, por të jetojë me hir, dashuri dhe gëzim në këtë jetë. Pikërisht këtë dimension të jetës thirren për të jetuar besimtarët e krishterë orthodhoksë që e lartësojnë, nderojnë dhe i falen Kryqit të Krishtit.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
Kisha “Apostull Pavli & Shën Asti”, Durrës