Atmosfera e shtëpisë së krishtere
“Lutuni pa pushim” (1Thes. 5:17). Një shtëpi është e bekuar kur detyrat e çdo dite plotësohen me lutje. Kur ushqimi gatuhet me dashuri dhe lutje, ai kthehet në bekim për të gjithë ata që hanë nga ai. Kur veshim rrobat, mund të lutemi: “Më vish me drejtësi, o Zot”. Kur hyn apo del nga shtëpia, mund të lutesh: “Zot, beko ikjen time dhe kthimin tim”. Dikush tjetër mund edhe të thotë lutje të tjera për detyra të tjera.
Një zakon tjetër është gjithashtu bërja e shenjës së kryqit dhe lutjes në fillim të çdo udhëtimi.
Një nënë në shtëpi, edhe pse mund të jetë e zënë me punë të ndryshme shtëpiake, ka kohë të lutet më shumë se çdo njeri që është në punë jashtë shtëpisë. Në përgjithësi, një nënë duhet të punojë larg shtëpisë vetëm për shkak të arsye-ve madhore dhe pa humbur ndjesinë se familja është detyrimi i saj i parë. Fitimi nga puna e saj duhet të vijë vetëm nëse kjo e ardhur është e domosdoshme për familjen. Një dalje si variacion nga shtëpia mund të jetë e nevojshme në disa raste, por kjo nuk do të thotë se një nënë ka nevojë për një karrierë full-time. Prania e nënës në shtëpi ka një influencë pozitive në frymën e familjes; kjo është e shprehur bukur në thënien: “Gruaja në shtëpi është si zemra në vendin e saj”. Roli shpirtëror i një nëne në familje “në organizmin e familjes” është më me shumë vlerë se çdo e ardhur financiare që ajo mund të sigurojë; dhe roli i saj është i patjetërsueshëm, veçanërisht në familjen moderne nukleare.
Ka raste që prindërit mund të thonë se janë të zënë ose të lodhur për të pasur një rregull lutjeje. Pra gjithsecili mundet rregullisht (p.sh., çdo orë ose gjysmë ore) të lutet një herë, me ngadalë, me të gjithë qenien e tij, duke e lënë çdo gjë tjetër përjashta mendjes së tij: “Zot, Jisu Krisht, Bir i Perëndisë, ki mëshirë për mua mëkatarin”. Intensiteti i lutjes, edhe pse mund të jetë kaq i shkurtër, ka efektin se ndjesia e kësaj lutjeje dhe e pranisë së Perëndisë, ngelet për një kohë të gjatë, edhe nëse personi mund të jetë i zënë me gjëra të tjera. Në këtë mënyrë dikush mund të qëndrojë në gjendjen e lutjes derisa lutja të thuhet përsëri radhën tjetër.