KISHA ORTHODHOKSE DHE KUNGATA HYJNORE
Nevoja për Kungatën Hyjnore
Në Kishën tonë Orthodhokse ka dy Mistere të Shenjta që lidhen ngushtë me njëri-tjetrin: Pagëzimi dhe Eukaristia Hyjnore.
Për të parin, për Pagëzimin, Zoti tha: “Me të vërtetë, me të vërtetë, po të them, nëse nuk lind dikush prej uji e prej Fryme, s’mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë” (Jn. 3:5). Për të dytin, për Eukaristinë Hyjnore, Zoti shtoi: “Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, në mos ngrënshi mishin e Birit të njeriut, edhe në mos pifshi gjakun e tij, s’keni jetë në veten tuaj” (Jn. 6:53).
Dhe, sikurse pa Pagëzimin është e pamundur që njeriu të bëjë një jetë shpirtërore dhe të shpëtojë, po kështu edhe pa ngrënë Trupin dhe pa pirë Gjakun e Birit të njeriut është e pamundur të rrojë siç duhet shpirtërisht e të shpëtojë. Sepse Pagëzimi lind jetën, ndërsa Kungata Hyjnore ushqen dhe mban jetën e lindur nga Pagëzimi, sikurse shprehet për këtë shën Joan Gojarti, duke thënë: “Jo më kot dhe as rastësisht kanë dalë këto burime, por, ngaqë mbi të dyja këto qëndron Kisha dhe besimtarët rrojnë duke u rilindur (duke u pagëzuar) me anën e ujit dhe duke u ushqyer me gjakun dhe me trupin (me Kungatën Hyjnore) (Fjalim 85, kap. 3 në Ungjillin sipas Joanit).
Por, ekziston dhe një ndryshim ndërmjet këtyre dy mistereve bazë. Pagëzimi bëhet vetëm një herë (Efes. 4:5), kurse Kungata Hyjnore kryhet vazhdimisht dhe përditë (1 Kor. 11:26).
Prandaj, kur Zoti u dorëzonte këtë mister nxënësve të Tij, nuk tha në formë këshilluese: Kush të dojë, le të hajë Trupin tim dhe kush të dojë, le të pijë Gjakun tim, siç kishte thënë herë të tjera, por ua tha në mënyrë urdhëruese: “Merrni, hani, ky është Trupi im” dhe “Pini prej këtij të gjithë, ky është Gjaku im”. Domethënë, që me çdo kusht duhet të hani trupin tim e të pini gjakun tim. Dhe shton: “Këtë bëjeni për kujtimin tim” (Lluk. 22:19). Domethënë, “këtë Mister po jua dorëzoj ta kryeni jo vetëm një, dy apo tri herë, po vazhdimisht për kujtim të Pësimeve të mia, të Vdekjes sime dhe për gjithë sa bëra për ju”.
Pra, fjalët e mësipërme të Zotit këshillojnë qartë dy kushtet e domosdoshme të kungimit: të parin, që është urdhër dhe porosi e prerë për t’u kunguar dhe të dytin, se kjo duhet kryer vazhdimisht.
Dhe ne e kemi për detyrë të zbatojmë me rigorozitet porositë dhe vendimet e Zotit, për të siguruar një jetë shpirtërore sipas Tij.
Apostujt e Shenjtë, duke zbatuar porosinë urdhëruese të Zotit tonë Jisu Krisht “Këtë ta bëni…” si edhe: “Merrni hani … Pini prej këtij të gjithë”, se përndryshe “s’keni jetë në veten tuaj” (Jn. 6:53), kur filluan të predikonin, mblidheshin herë pas here nëpër shtëpitë e besimtarëve të Kishës së parë, fshehurazi judenjve, dhe u mësonin Fjalën e Zotit. Dhe, siç tregon ungjillori i shenjtë Lluka në “Veprat e Apostujve”, si faleshin mirë e mirë, kungoheshin. “Qëndronin, – thotë ai, – me përkushtim në mësimin e apostujve dhe në shoqëri dhe në thyerjen e bukës e në lutje” (Vep. Ap. 2:42).
Që kjo porosi e prerë e Zotit të ruhej e të mbahej edhe nga breznitë e ardhshme të të krishterëve e të mos harrohej, apostujt e shenjtë e kanë kodifikuar në kanonet që i lanë Kishës.
KUNGATA HYJNORE
DHIMITËR BEDULI
Kisha OrtodokseAutoqefale e Shqipërisë