/ Predikime-Katekizma- Artikuj / Ngjallja e Krishtit Garanci për Ngjalljen Tonë

Ngjallja e Krishtit Garanci për Ngjalljen Tonë

Ngjallja e Krishtit Garanci për Ngjalljen Tonë

 

Dy fjalë, me një përmbajtje kaq të pasur. Që na japin kaq shumë gëzim dhe ngazëllim. Që na japin fuqi dhe shpresë. Që hedhin dritë në problemet e jetës sonë. Që kënaqin dëshirën më të thellë të zemrës sonë. Me të vërtetë, pse ndodhin të gjitha këto? Përgjigjja për një besimtar, nuk është aspak e vështirë. Sepse, flasin për Ngjalljen e Krishtit, që është vërtetimi i madh se Krishti është Perëndia i trupëzuar, domethënë Shpëtimtari i botës; që është themeli kryesor mbi të cilin mbështetet e gjithë ndërtesa e Kishës së Tij, që përbën ngjalljen e parë të shpirtit tonë nga fryma e mëkatit dhe garancinë e ngjalljes së trupit tonë gjatë Ardhjes së Dytë të Krishtit dhe që, përfundimisht, i hapë njeriut rrugën e përjetësisë.

Ashtu siç dëshmojnë predikuesit e fjalës hyjnore, Zoti, i Cili, nga goditja e vdekjes, për një moment u duk i mundur, ja “u ngrit si prej gjumit” Psalm 77, 65. Zoti, i Cili e dorëzoi me dashje jetën e Tij, ja ku shfaqet pushtues i vdekjes, duke marrë rob nën armën e Tij dragoin e madh, djallin shkaktarin e vdekjes, dhe duke paralizuar fuqinë e ferrit. Siç na e vërtetojnë Apostujt e shenjtë, Dëshmitarët e ngjalljes, Etërit hyjprurës, ngjallja e Krishtit është fitorja e vetme, që e bën gjithë njerëzimin të gëzohet, që nga i parëgatuari deri tek njeriu i fundit, që do të jetojë në tokë. “Sot gëzohet dhe ngazëllohet e tërë krijesa, se u Ngjall Krishti dhe ferri u robërua”,këndon himnografi i hirshëm.

Zoti Jisu Krisht, duke u Ngjallur prej së vdekurish, nuk u bë fitimtar për veten e Tij, për hir të vetes së Tij, por për ne. Vetëm Krishti i ngjallur e ofron me të dyja duart fitoren e Tij për ne, për secilindo prej nesh. Zoti iu dorëzua vdekjes dhe ofroi jetën e Tij,

si shpagim, që të çlirohemi nga shkeljet tona; pasi vdiq si njeri, u ngjall si Perëndi, që ne të kemi një sigurim të madh, se me të vërtetë ne që besojmë tek Ai, drejtësohemi. U ngjall, që të kemi “kush të lutet tek Ati dhe të jetë shlyerje për mëkatet tona”. 1 Joanit 2, 1-2.

Që atëherë -sipas shprehjes autentike të atit tonë të hirshëm apostolik, shën Ignat Hyjmbajtësit- nëpërmjet Ngjalljes së Zotit Jisu Krisht, “u ngrit një flamur nëpër shekuj për shenjtorët e Tij besnik brenda trupit të vetëm dhe të pandarë të Kishës së Tij”.

* * *

Ngjallja e Krishtit na sjellë përpara problemit më të madh, që përballoi dhe përballon njerëzimi. Sidoqoftë, vdekja nuk resht së qeni, për të mëdhenjtë dhe të vegjlit, ngjarja më tronditëse. Sa më shumë mall ndjen njeriu për jetën, aq më shumë neveri ndjen për vdekjen. Njeriu është krijuar për jetën, për një jetë pa fund. Pavdekësia është vendosur brenda shpirtit nga vetë Krijuesi.

Sado e tmerrshme dhe e pështirë, që është vdekja, por ndryshon rrënjësisht, nëse e shikojmë me syrin e krishterë. Me dritën, që doli nga varri i zbrazët i Jisuit, me dritën e Ngjalljes, të gjitha marrin një pamje të re të gëzueshme. Krishti, me vdekjen e Tij, shkeli dhe dërrmoi vdekjen. Ngjallja e Tij shënoi shkatërrim përfundimtar të vdekjes. Vdekja nuk është më, fundi i jetës. Është fillimi i një jete të re. Është porta, që të çon në pavdekësi.

Ekziston, pra, një distancë astronomike, e konceptimit të vdekjes midis të pabesit dhe besimtarit. Për të pabesin vdekja është shkëmbi, mbi të cilin shkatërrohet anija e bukur e jetës. Për besimtarin është ankorimi në limanin pa dallgë të qiellit.

Por ky përballim, e thamë, mbështetet në ngjalljen e Krishtit. Ngjallja e ndryshoi rrënjësisht, jo vetëm pamjen, por edhe natyrën e vdekjes. Këtë e shikojmë, veçanërisht, tek besimtarët e Kishës së parë të krishterë. Nga thellësia e katakombeve, një mesazh gëzimi dhe shprese, arrin deri në ditët tona. Atje, vdekja ka humbur gjithë tragjedicitetin e saj. Nuk kemi ftohtësinë e zhdukjes. Edhe mbishkrimet më të thjeshta nuk janë vajtuese. Janë të mbushura me besim, për vazhdimin e jetës, në një botë të bukur dhe të ndritshme.

Me të njëjtën mënyrë e përballojnë, edhe sot, vdekjen besimtarët e vërtetë. Në kujtim të të dashurve të tyre të fjetur, kryejnë përkujtimoret, të dyzetat, përvjetorët dhe të tjerat. Familja besimtare dhe këtu nuk flet për vdekjen. Me shpirtin të mbushur me shpresë kryen Liturgjinë Hyjnore, për prehjen e të fjeturve. Ajo lutje dhe ofrim i Liturgjisë Hyjnore, në mënyrë mistike dhe të pazhurmshme, ngjitet, si temjam erëmirë, tek Perëndia i shumë-mëshirshëm, i Cili, jo vetëm, që u qetëson dhimbjen familjarëve dhe të afërmeve të atyre, që u larguan nga kjo jetë, por preh edhe ata, të parafjeturit, që, nga udhëtimi dhe mjerimi i kësaj jete, arritën në limanin e qiellit dhe në prehrin e Atit të dhembshur dhe Perëndisë Krijues. Nuk hidhërohet dikush kur kthehet, nga një udhëtim i vështirë dhe i mundimshëm, në sigurinë, në ngrohtësinë, në gëzimin e shtëpisë së tij Atërore. Atje ku është larguar dhimbja dhe mbretëron gëzimi dhe lumturia më e madhe.