/ Predikime-Katekizma- Artikuj / Lutje

Lutje

ΧριστόςShkëputur nga Libri “EJA PAS MEJE – ΑΚΟΛΟΥΘΟΙΜΟΙ

 i Ish-Mitropolitit të Follorinës at Avgustinit

O Zot! Ti që nga asgjëja krijove qiellin dhe dheun, dhe sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë Sate bëre njeriun, dhe tokën – këtë kokrrizë rëre në universin e paanë – e caktove banesën e tij të përkohëshme, e caktove dhe stadium të luftërave shpirtërore të besës dhe virtytit duke patur qëllim të lartë hyjnizimin e njeriut dhe arritjen në qiejt, në Mbretërinë Tënde qiellore dhe të lumur; Ti o Zot që nuk do humbjen e as edhe një njeriu, Ti që nuk dëshiron dështimin e njeriut gjatë ecjes për në destinacionin e lartë, për të cilin edhe e krijove, por dëshiron që “të gjithë njerëzit të shpëtojnë dhe të njohin të vërtetën”, dhe që nëpërmjet punës Sate kolosale dhe madhështore për shpëtimin e botës, në të cilën bashkëpunon me unitet të plotë dhe absolut së bashku me Atin dhe Shpirtin e Shënjtë, Ti pra jo vetëm botën ëngjëllore e ve në lëvizje, por edhe njerëz të çdo brezi dhe epoke i zgjedh dhe i fton në bashkëpunim, dhe i tregon enë të zgjedhura të Hirit Tënd të Shënjtë; Ti tregove gjatë periudhës së Dhjatës së Vjetër Noen si një predikues të pendimit për brezin e tij dhe më pas e tregove si kreun e brezit të tij në botën e re; Avraamin më pas, nga i njëjti dhe’, e ftove duke i thënë: “Eja prej dheut tënd dhe prej fisit tënd dhe prej shtëpisë së atit tënd dhe dil në tokë që të të tregoj ty”; Jakovit nëpërmjet vizionit qiellor të shkallës i dhe zemër për misionin dhe punët e tij në botë; Josifin prej burgut e ngrite në pushtetin mbretëror për t’i bërë mirë popullit tënd; Moisiun prej shkretëtirës e thërrite nëpërmjet ferrës që zjarr nxirrte dhe nuk digjej, e thërrite që të udhëhiqte popullin duke e nxjerrë nga skllavëria e hidhur; Davidin, më të voglin e vëllezërve dhe më të riun e shtëpisë së atit të tij, nga grigja e thërrite dhe bari të popullit Tënd e bëre; Elisseun e thërrite nëpërmjet parmëndës të bëhej trashëgimtar i profetit Tënd të zjarrtë Ilias; Amosin nga grigja e të shënjtëve dhe gjithë profetët e tjerë nga profesione të ndryshme thërrite që të bëhen shpallës të vullnetit Tënd të shënjtë në kombin e tyre;  dhe kur erdhi mbushja e kohës, jo më nëpërmjet ëngjëjve dhe njerëzve i fole botës, por Ti vetë le qiellin dhe zbrite mbi tokë, zbrite në këtë kokrrizë rëre të universit të pafund që të gjesh dhrahminë e humbur dhe të shpëtosh shpirtin e njeriut i cili ishte i zhytur në batakun e mëkatave dhe pasioneve;  Ti o Krishti im, që jetove në botë dhe hëngre së bashku me njerëzit dhe mik i mëkatarëve u quajte dhe gjithë helmin e ligësisë njerëzore pive; Ti që për tre vjet me rradhë nuk pushove së ecuri nëpër qytete dhe fshatra duke kërkuar si Bari i Mirë delen e humbur dhe nga gryka e të ligut shpëtove tagrambledhës, kusarë dhe lavire, dhe i tregove bij dhe bija të mbretërisë Sate, dhe më në fund duke shtrirë mbi Kryq duart e tua të shënjta dhe të papërlyera thërret njerëzimin në mbarë botën për të bërë kthesë dhe i fton në shpëtim; Ti o Zot që u kujdese që puna Tënde shpëtimtare, të cilën e kreve personalisht, të vazhdohet në jetë të jetëve deri në mbarim të botës, dhe për këtë qëllim njerëz të panjohur dhe të parëndësishëm në botë, Andrean dhe Petron, Iakovin dhe Joanin nga rrjetat e peshkimit, Mattheun nga mbledhja e taksave, dhe Apostojtë e tjerë nga profesione të ndryshme i shkëpute dhe për tre vjet me rradhë i mblodhe tok për shpëtimin e shpirteve, dhe iu dërgove Shpirtin e Shënjtë duke i treguar predikues të flaktë të Ungjillit Tënd të shënjtë, dhe nëpërmjet ketyre burrave të paditur dhe të parëndësishëm, si prej asgjëje krijove një botë të re, një botë pakrahasimisht më të mrekullueshme se bota e mëparëshme, krijove pra Kishën Tënde të Shënjtë; Ti pra që sharësin dhe përndjekësin e Kishës Sate, Saulin nga Tarsea, nëpërmjet vizionit të Damaskut e thërrite dhe e dërgove nëpër kombet si përhapës të Ungjillit Tënd dhe e tregove kreun e Apostojve dhe nëpërmjet tij tregove se në çfarë lartësi mund t’a çojë njeriun Hiri Yt i shënjtë; Ti o Zot që përveç të Dymbëdhjetëve, tregove edhe Shtatëdhjet të tjerët për ndriçimin e popullit që rri në errësirë dhe rron nën hijen e vdekjes,  Ti që tregove dhe gra mirofore dhe ungjillore i bëre, Ti o Zot ndër shekuj dhe epoka nuk pushon së drejtuari thirrjet e Tua së lartazi.

O Zot!  Dy lloj thirrjesh i bën botës.  Njëra është thirrje e përgjithëshme “Ejani tek Unë gjithë ju që jini të lodhur dhe të ngarkuar dhe Unë do t’ju shplodh”, dhe thirrja tjetër është e veçantë dhe individuale, si ajo thirrja që iu drejtoje nxënësve të Tu të parë atë mëngjes në bregun e Tiveriadhës “Ejani pas Meje dhe do t’ju bëj peshkatarë njerëzish”.  Oh dënjimi Yt i paanë dhe i pafund për njeriun e vogël o Zot i Tërëfuqishëm dhe i Tërëmirë!  Nëpërmjet thirrjes së parë thërret të gjithë njerëzit të cilët në çdo epokë që jetojnë rënkojnë me zemër të rënduar nën barrën e rëndë të mëkatit.  Por nëpërmjet thirrjes së dytë iu bën thirrje personave të caktuar, për të marë përsipër në Kishën Tënde punë ierapostolike* duke iu dedikuar Asaj plotësisht.

O Zot, thirrjet e Tua nuk pushon së drejtuari botës.  Por përgjigjia e shpirteve ndaj thirrjeve të Tua nuk ka qënë gjithmonë e njëjtë.  Ka patur epoka gjatë të cilave zëri Yt, duke thërritur në pendim njerëzit nëpërmjet shërbëtorëve besnikë të fjalës Sate, kushtoi si jehonë në zemrat e tyre.  Dhe shumicë mëkatarësh rendën me zemër të thyer tek Ti, Shpëtimtari i përjetëshëm, për të përqafuar këmbët e Tua të shënjta dhe për të marrë në emrin Tënd faljen e mëkatave dhe fuqi për të mundur mëkatin dhe hidhërimin që shkakton ai, fuqi për të mundur mëkatin i cili pa fuqinë Tënde të Shënjtë mbetet i pamposhtur dhe shndërron jetën njerëzore në një tragjedi të frikëshme.  Por ka o Zot edhe epoka të ashpërsisë shpirtërore, gjatë të cilave ata që fton dhe thërret nëpërmjet punëtorësh tepër të veçantë të fjalës Sate, rrefuzojnë thirrjet e Tua dhe ngulin këmbë për të qëndruar në ligësi.  I mbyllin veshët për të mos dëgjuar zërin Tënd.  I mbyllin sytë për të mos parë dritën Tënde.  Por gjithashtu ka edhe epoka gjatë të cilave shpirte të zgjedhur, të rrëmbyer nga dashuria e madhe për njeriun, dëgjojnë thirrjen dhe ftesën Tënde të veçantë për punëra ierapostolike, dhe me një zell dhe vetësakrificë të admirueshme ndjekin udhën apostolike duke u treguar kështu apostoj të rinj të brezit të tyre.  Oh sa të lumura janë ato epoka o Zot!  Por ka dhe epoka të vështirësive shpirtërore, të ashpërsisë dhe ngurtësisë shpirtërore, epoka brutale të interesit personal dhe zemërngushtësisë, gjatë të cilave zëri Yt nëpërmjet veprave heroike të besës dhe virtytit, nëpërmjet punëve të larta dhe të mëdha, nëpërmjet udhëve ierapostolike, nëpërmjet sakrificave dhe gjakut që e bëjnë Kishën të ndritshme dhe të shkëlqyer dhe shpëtojnë popullin Tënd, gjatë këtyre epokave pra zëri Yt bie në veshë të shurdhët.  Të rinjtë dhe të rejat dëgjojnë zëra të tjerë, zëra sirenash, zëra që premtojnë pasuri, lavdi dhe kënaqësi.

 O Zot! Duke hedhur një sy në historinë e Orthodhoksisë tonë, shohim që ka patur epoka, si epoka e shekujve të lavdishëm të Perandorisë Bizantine, gjatë të cilave të gjithë të Krishterët ishin të dhënë me mish e me shpirt ndaj idealeve ierapostolike.  Burra e gra kishin në zemër dëshirën e flaktë për të përhapur në mbarë botën të vërtetën Tënde.  Nga brezi i Bizantit, nga qytete dhe fshatra, nga shtëpi përdhese apo oborre mbretërore, nga punishte apo njësi ushtarake, nga manastire të shënjta, që në atë kohë ishin kështjella ierapostolike,  dolën grupe të tëra ierapostojsh të cilët u përhapën në gjithë vendet e botës dhe arritën deri në Danub dhe Vollgë, nga Himalajet deri në lumenjtë që rrjedhin nga Nili, arritën deri në ishujt Britanikë, dhe nëpërmjet mësimeve të tyre dritë-dhënëse dhe shembujve të tyre të shënjtë, prej errësirës së mëkatit, prej mosdijes, injorancës dhe barbarizmit i sollën popujt dhe kombet në dritën Tënde çudibërëse.  Të përmendim emrat e tyre?  Tek ne të paktë janë ata që njohim.  Por Ti o Zot, që numuron yjet e qiellit, Ti i njeh të gjithë ato yje të botës shpirtërore, të cilët në mes të errësirës së thellë të natës shpërndanë dritën Tënde gazmore në mbarë krijesën.  Ti o Zot i di sakrificat e tyre.  Ti o Zot njeh kënaqësitë, nderimet dhe pasuritë të cilat ata i braktisën për hir të dashurisë që ndjenë për Ty dhe për të afërmin e tyre.  Brezi ynë i atëherëshëm, nëpërmjet këtyre shpirteve të shënjta, u tregua brez ierapostolik.  Ideali i lartë i Bizantit ishte gjatë asaj kohe përhapja e Besimit Orthodhoks në gjithë botën. 

O Zot!  Nëse nga ato epoka të lavdishme kalojmë në epokën e sotshme, do të mbushemi plot hidhërim për çka ndodh sot dhe do të thërresim: O Zot ku janë mëshirat e tua të mëparëshme?  Helenët, të cilët ti o Perëndi që ngjall të vdekurit, i ngjalle dhe i ngrite prej varrit të skllavërisë 400 vjeçare të turkut nëpërmjet lumit të gjakut që derdhën bijtë dhe bijat e tua besnikë, laikë apo klerikë, katandisi sot, gjatë ditëve të sotshme, në një vend me ideale dhe synime materiale.  Ideali i lartë i Helenëve të sotshëm nuk është më Orthodhoksia.  Emri yt i shënjtë dhe i nderuar, emri yt që qëndron mbi çdo emër tjetër, vlasfimohet dhe shahet nëpër rrugë dhe sheshe dhe askush nuk preket më nga kjo gjë.  Autorë ateistë dhe të pafe’ lavdërohen sot publikisht dhe dekorohen dhe kurorrëzohen.  Grigja Jote sot bie pre’ e ujqërve të urritur apo mortajave shpirtërore.  Kishat e Tua shkretohen pak nga pak çdo ditë.  Populli yt ka mbetur në thelb pa bari.  Fshatra të tëra nuk janë vizituar prej predikuesve të Fjalës Sate për dhjetëra vjet me rradhë.  Predikuesit e flaktë të Ungjillit Tënd të shënjtë të cilët dëshirojnë të përshkojnë mbarë vendin dhe të predikojnë të vërtetën Tënde pengohen me plot mënyra.  Barinjtë e këqinj, jo vetëm ata nuk predikojnë më të vërtetën por nuk i lejojnë as të tjerët të predikojnë Fjalën e së Vërtetës Sate.  Shën Kozma i ri sikur të vinte, Shën Joan Gojëarti apo Apostoll Pavli, akoma dhe Ti o Zot sikur të vije barinjtë e sotshëm nuk do të të lejonin të barisje në mbarë vendin tonë dhe të predikoje…  Shpirti katastrofik mbizotëron sot kudo.  Edhe pak dhe do të dëgjohet zëri i profetit Tënd edhe mbi brezin tonë:  “Mjerr ti o brez mëkatarësh, mjerr ti o popull plot mëkata, farë e keqe, bij të paudhë, që brakisët Zotin dhe shkaktuat zemëratë në Israelin e Tij të shënjtë”.

 O Zot Jisu Krisht Perëndia jonë, le të të vijë keq për ne.  Ato shpirte që kanë mbetur besnikë ndaj Emrit Tënd dhe përbuzen dhe tallen vetëm e vetëm se të ndjekin Ty, këto shpirte pra të drejtojnë lutje të nxehtë: tregohe përsëri brezin e Helenëve si një pushtet Tëndin, pushtet të së vërtetës Sate, pushtet të drejtësisë dhe dashurisë.  Ndriçoi zemrat e arkondëve të Shtetit.  Ndriçoi mëndjet e tyre që të shohin se si prej Providencës Sate Hyjnore dhe Përkujdesit Tënd  shpëtoi ky vend i vogël nga rreziqet e tmerrëshme, pengesat dhe hidhërimet dhe mbijetoi.

Vizitoe me Hirin Tënd të Shënjtë Kishën Tënde.  Pushoi skandalet.  Qetësohe popullin Tënd.  Ngrije së vdekurish tendën e rënë.  Nëpërmjet duarve të shërbëtorëve të Tu besnikë thurr përsëri kamxhikun më tresh dhe dëbo prej oborreve të Tua ata që shndërrojnë Shtëpitë e tua të adhurimit në shtëpi tregëtie dhe shpella kusarësh.  Po o Zot!  Ka nevojë për kamxhikun Tënd, ka nevojë për pastrim Shtëpia Jote.  Situata e sotshme, ashtu siç paraqietet prej barinjve të sotshëm, nuk tërheq më njerëz.  Sepse skandalis, neverit dhe zhgënjen.  Një shpirt i ri ierapostolik le të shfaqet në Kishën Tënde o Zot.  Le të fryjnë mbi të erërat e pastra të Shpirtit Tënd të Shënjtë.  Punëtorë të rinj le të shfaqen në stivën e luftërave të besës dhe virtytit.  Ndriçoji o Zot nënat dhe baballarët e sotshëm të pushojnë së shari dhe së mallkuari punëtorët e vyer të Ungjillit, sidomos në ato raste kur vetë fëmijët e tyre duke u tërhequr prej mësimeve të punëtorëve të Ungjillit shfaqin dëshirën për të ndjekur udhën ierapostolike.  Trego përsëri në brezin tonë familje të vërteta të Krishtera, ku që në djep fëmijët ushqehen me shpirtin dhe mësimet e Zotit, dhe fëmijët besëmirë përgatiten që në fëmijëri për shërbimet e shënjta.  Sill o Zot shpirt dashurie dhe bashkëpunimi midis punëtorëve të Ungjillit, midis grupeve dhe vëllazërive të ndryshme ierapostolike, që të mos ketë vënd midis tyre përçarja e cila largon çdo bekim hyjnor dhe skandalis shpirtet e njerëzve.  Jepu durim punëtorëve më të vjetër të Ungjillit, që të ngrehin mbi shpinën e tyre kryqin i cili rëndohet akoma më tepër për shkak të mungesës së shpirtrave ierapostolikë si dhe të braktisjese së udhës ierapsotolike prej të tjerëve.  Forcoji o Zot, ata priftërinj dhe episkopë besëmirë, të cilët edhe brenda edhe jashtë Kishës punojnë me zell duke vënë përmbi interesat e tyre personale interesin e grigjës së tyre.  Çdo enori, çdo fron episkopal, dhe çdo manastir tregohe o Zot qëndër të jetës dhe veprës ierapostolike.  Tregoi të gjithë peshkatarë njerëzish, mbjellës të farës Sate, korrës dhe apostoj sipas mundësive të secilit.

O Zot!  Të gjunjëzuar përpara Kryqit Tënd të lutemi mos n’a ler të vuajmë për shkak të mëkatave tona të shumta.  Le të vijnë përsëri mbi ne mëshirat e Tua të pasura si dikur.  Bëj që të gjejë brezi ynë përsëri misionin e Shënjtë dhe të bëhet brez ierapostolik.  Çdo qoshe le të bëhet pjesëz e Qiellit,  shembull i jetës dhe pushtetit të shënjtë.  Çdo zemër dhe gojë le të bëhet kitarë ëngjëllore dhe të psallë madhështitë e Tua.  Bëj o Zot që në mes të botës së sotshme, e cila gjithnjë e më tepër zhytet në errësirë të dendur, brezi ynë të mbajë të ndezur lambadhen e besës së vërtetë dhe nëpërmjet predikimit të lartë të bëjë thirrje: O kombe dhe popuj!  Ejani dhe merrni dritë nga drita që nuk perëndon.  Dhe drita që nuk perëndon je Ti o Zot që the “Unë jam drita e botës.  Kush vjen pas meje nuk do të ecë në errësirë por do të ketë dritën e jetës”.

Përktheu nga Greqishtja dhe përshtati në shqip

 Aleksandër P. Filip

30 Qershor, 2008

+Mbledhja e të 12 Apostojve

 Përkthyesi ia kushton autorit, at Avgustinit, me dashuri, mirënjohje shpirtërore dhe respekt të thellë!

Paçim të gjithë uratat dhe bekimet e tua Hirësi.


Shënim i përkthyesit:

 *Fjala ierapostolik/e nga Greqishtja ιερός-iero’s = i/e shënjtë dhe

αποστολικός-apostoliko’s = apostolik/misionar  Ιεραποστολή-Ierapostoli’ = Mision i shënjtë, në kuptimin e besimit tonë Orthodhoks misioni i shënjtë i përhapjes së Dristë së Krishtit me synim shpëtimin e shpirtit, duke u bazuar në fjalët shpëtimtare që iu tha Krishti Apostojve të Tij: “shkoni në gjithë botën dhe lëçitni Ungjillin nëpër gjithë krijesën.  Kush të besojë dhe të pagëzohet do të shpëtojë, por kush të mos besojë do të dënohet” (Mark 16: 15-17).

 Lutje