/ Predikime-Katekizma- Artikuj / E Terëshenjta, Shpresa Jone

E Terëshenjta, Shpresa Jone

E Terëshenjta, Shpresa Jone

Të dashur vëllezërit e mij, himnet e Paraklisit ngushëllojnë dhe prehin shpirtin tonë.  Jemi mbledhur përsëri sonte të shprehim dashurinë tonë ndaj së Tërëshënjtës, Nënës Hyjlindëse.  Jemi mbledhur për t’i ofruar asaj miron e zemrës sonë.  Ju lutem të më lejoni të shpreh disa mendime dhe të shpjegoj pse e Tërëshënjta është shpresa jonë.  Dhe pikë së pari duhet të theksoj që qielli i jetës sonë shpesh herë errësohet nga retë e zeza të cilat e bëjnë horizontin të zhduket.  Mundime, shqetësime dhe hidhërime, si dallgë gjigande godasin pa mëshirë anijen e jetës sonë.  Dhe në momentet e vështira kur çdo gjë është e errësuar, mendojmë se erdhi fundi dhe errësira më pas ia le vendin zhgënjimit.  Me të vërtetë, kur do të gjejmë mbështetje dhe ku do t’i varim shpresat?  Si, dhe ku do të gjejmë ngushëllim?

E pra në këto momente vjen himni i Paraklisit dhe n’a thotë “mos u dëshpëroni”.  Në mes të errësirës ekziston një dritë, një dritë e cila rrjedh nga ylli i shpresës.  Shpresa jonë është Zoti Jisu Krisht, por shpresë është dhe Zonja jonë Hyjlindëse Mari, ashtu siç thotë dhe himni “tërë shpresën tonë më ty e vemë, Nënë e Perëndisë ruajna nën mbulesën tënde”.  E Tërëshënjta pra mbështet dhe ruan me mbulesën e saj çdo shpirt që rend tek ajo.  Çdo shpirt ajo e mbështet, e forcon dhe e ëmbëlson.

Historia e lashtë n’a thotë që kur Aleksandri i Madh i Maqedonisë u nis për në fushatën e tij për në Lindje, e ndau gjithë pasurinë e tij në shokët dhe gjeneralët e tij.  Atëherë një nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, Perdhika, i thotë: i shpërndave gjithë ç’kishe e nuk kishe.  Për vehte nuk mbajte gjë?  Dhe Aleksandri shpirtmadh, me një buzëqeshje kthehet dhe i thotë: sigurisht që mbajta, për vehte mbajta gjënë më të çmuar.  Mbajta shpresën, nuk më mjafton ajo?  Shpresoj që do të kthehemi fitimtarë, nuk mjafton kjo?

Të dashur vëllezër, le të mbajmë dhe ne shpresën tonë.  Kur i humbim të gjitha, kur n’a braktisin të gjithë, kur vijnë momente të vështira në jetën tonë n’a duhet shpresa.  Një poet dhe një piktor shprehin me fjalët e tyre mendimet e tyre për shpresën.  Poeti thotë që shpresa është mbretëresha e të gjitha virtyteve.  Është bijë e vërtetë e Zotit që lindi tre vajza të bukura.  Ngushëllimin, gëzimin dhe shpëtimin.  Dhe me të vërtetë, kur dikush shpreson gjen ngushëllim, lehtësim dhe prehje.  A jeni sëmurur ndonjëherë dhe a jeni gjendur nëpër spitale dhe në duart e doktorëve?  Jeta ime është në duart e tua doktor, jeta ime varet nga diagnoza dhe ilaçet që do të më japësh.  Ndihmomë, shpëtomë.  I dëgjojmë dhe i lexojmë shpesh këto, apo jo? E pra, diçka e ngashme ndodh edhe në jetën tonë.  Njeriu është shumë i pafuqishëm në plotfuqishmërinë e tij.  Vijnë momente kur ndjehet i paralizuar, i dobët dhe i pafuqishëm, dhe kërkon diku të kapet që të mbahet më këmbë.  Ndjehet si ai që përmbytet në det dhe kërkon diku të kapet.  Ndjehet i shkretë, i vetmuar dhe i braktisur, i lënë pa asnjë ndihmë.   Më thoni pra, në atë moment që e godet dallga e dëshpërimit, kush e shpëton, në cilin trap kapet që të shpëtojë?  I përmbyturi kapet pas trapit lundronjës, e zë fort që të shpëtojë.  Det është jeta jonë, çdo ditë egërsohet nga furtunat, n’a duhet një komardare notimi që të shpëtojmë.  N’a duhet shpresa.  Unë personalisht shplodhem tepër sa herë që sjell ndër mend fjalët e Krishtit “ejani tek Unë gjithë ju që jini të lodhur dhe Unë do t’ju shplodh”.  Dhe shplodhet dhe prehet shpirti im akoma dhe më shumë kur psall himnet e Paraklisit.

Tani do t’ju tegoj kush është vajza e dytë e shpresës, gëzimi pra.  Kur njeriu shpreson brenda vehtes së tij ndjen gëzim.  Ngushëllimi dhe gëzimi ecin dorë për dore.  Janë motër e vëlla.  Hidhërimi dhe shqetësimi janë re të zeza të cilat shpërbëhen sapo lind dielli i gëzimit.  Ashtu siç ndryshon pra gjendja shpirtërore kur del dielli i gëzimit dhe shpirti lahet me rrezet e tij, kështu ndodh dhe me ne kur takohemi me të Tërëshënjtën dhe kuvendojmë me të.  Pranë saj shërohet dhimbja jonë.  Pranë saj hidhërimi kthehet në gëzim.  Ashtu sikundër i sëmuri gëzohet sepse ishte keq dhe u bë mirë.  Ashtu sikundër mërgimtarët gëzohen sepse ishin larg në mërgim dhe u kthyen në atdhe’. 

Shpresa pra sjell ngushëllimin.  Shpresa sjell gëzimin.  Shpresa sjell dhe shpëtimin, sjell fitoren.  Kjo është vajza e tretë.  Ashtu sikundër ushtari lufton me shpresën se do të mundë armikun dhe do të fitojë, kështu dhe ne ushtarët e Krishtit luftojmë duke patur ndihmë të Tërëshënjtën, e cila është shpresa jonë dhe gëzohemi në çdo fitore.  E Tërëshënjta është Përluftesha Gjenerale, e cila bekon dhe drejton të gjithë luftëtarët.  Më bën përshtypje të veçantë fakti që të gjithë e kanë ikonën e saj në makinat që ngasin, akoma dhe vlasfimtarët.  E kanë përpara tyre, e shohin dhe marrin forcë dhe kurajo.  I hedhin një sy mbishkrimit “hidh syrin mbi mua” dhe merr krahë shpresa e tyre.  Do të më ruajë dhe sot dhe nuk do të pësoj aksident.  Ajo do të drejtojë timonin, ajo do të më sjellë përësëri pranë familjes sime.

Deri tani e pamë të Tërëshënjtën me sytë e poetit, le të shohim tani të Tërëshënjtën me sytë e piktorit agjiograf.  Kisha jonë e shënjtë është anija dhe arka shpëtuese, dhe spirancë ka shpresën.  Nëse shihni në agjiografitë murale të Kishave tona spirancë t’a dini që është me kuptim simbolik dhe jo thjesht një zbukurim.  Nëpërmjet Kishës, nëpërmjet jetës dhe Mistereve të saj do të arrijmë në Mbretërinë e Perëndisë.  Dhe pikërisht spiranca shpreh besimin dhe shpresën tonë.  Duhet të jemi brenda limanit të Kishës që të mund të shpresojmë se do të kemi jetë të amëshuar.  Vini re si funksionon spiranca.  Kapiteni i anijes për të siguruar anijen hedh spirancën në det me shkathtësi dhe zhdërvjelltësi, që të kapet diku.  Gjithmonë synon vende të forta, ose shkëmbinj ku hedh spirancën, përndryshe anijen do t’a rrëmbejnë dallgët dhe do t’a fundosin. 

Kështu pra dhe ne, spirancën e shpresës nuk duhet t’a hedhim që të kapet në të mirat materiale apo të përkohshmet.  Këto shpejt a vonë të gjithë do t’i braktisim, sepse nuk mundet të n’a sigurojnë, bile nuk n’a sigurojnë dot as për këtë jetë të përkohshme.  Nuk n’a sigurojnë paratë dhe titujt apo gradat, nuk n’a sigurojnë miqësitë.  “Të pasurit u varfëruan dhe u urtuan”, dhe “rrëzove të fuqishmit nga fronet”, dhe “të gjitha çka nuk mund t’i kemi pas vdekjes janë të kota”.  Të gjitha pra shkojnë e ikin, si ato gjethet e vjeshtës të cilat i rrëmben era dhe nuk i shohim më.  Duhet atëhere të gjejmë një tokë të fortë dhe të qëndrueshme dhe atje të hedhim spirancën tonë.  Dhe një gur i tillë, gur dhe shkëmb i vërtetë që s’e tund dot asgjë është Krishti.  “Jisu Krishti dje dhe sot, dhe në jetë të jetëve”.  Tokë e fortë dhe e patundur prej dashurisë së saj është e Tërëshënjta, e cila është mbrojte e të gjithë njerëzve.  Është si ajo klloçka që mbulon me krahët e saj zogjtë e porsalindur, pavarësisht nga ngjyra e tyre.  Kushdo pra që shpreson tek Zoti dhe mbështetet tek e Tërëshënjta, ai mund të jetë i sigurt për shpëtimin e tij.  Ai/ajo mund të gjejë ngushëllim dhe të ngazëllohet me të vërtetë.

Të dashur vëllezër, dikur lexova për një kryetar familjeje, i cili në një moment të jetës kalonte një krizë të vështirë ekonomike, punët nuk po i ecnin mirë, dhe dalëngadalë po zhytej në borxh.  Kjo është një diçka tepër e zakonshme në ditët tona dhe vërteton gjithë ato që thamë më sipër.  Vërteton që të gjitha të kotat e kësaj bote janë të përkohshme.  Dhe ky njeri pra që po zhytej në dëshpërim gjithnjë e më shumë, çfarë bëri?  Mori penën dhe një copë letër dhe i shkrojti fjalët e fundit familjes së tij.  Në kohën kur fëmijët dhe gruaja po flinin, e la letrën në sallonin e shtpëpisë, mbylli portën e shtëpisë dhe iku u largua.  Shkoi dhe u shtri në shinat e trenit që t’a shtypte treni.  Ç’ta deshte këtë jetë kaq me dhimbje dhe dëshpërim?  Dështova në jetë, thoshte, dhe jam i varfër.  Përse të rroj më dhe të shoh fëmijët e mij të tiranizohen?  Dhe në kohën që po bënte këto meditime të zeza pisë iu kujtua diçka nga mosha e tij fëmijnore.  Asgjë nuk shkon kot, t’a dini.  Në momentet e vështira kapet dikush në hollësira.  Nga mosha fëmijnore të gjithë papërjashtim ruajmë kujtime të bukura.  Dhe në momentin që i shtrirë në shinat e trenit po priste të kalonte treni dhe t’a bënte copë-copë iu kujtua një këngë që e këndonte kur ishte i vogël, fëmijë i pafajshëm.  “Dhe nëse në këtë botë nuk më mbetet asgjë ku të mbështetem, kur të qëndroj më këmbë, atje lart është Perëndia im, si mund të dëshpërohem?”.  E tha një herë, dy herë dhe pastaj u hodh menjëherë më këmbë.  U tërhoq pak më tutje nga shinat.  U ngroh zemra e tij nga këto fjalë.  Morën krahë shpresat e tij.  Jo! tha, do të luftoj dhe do të fitoj.

Ooooh kjo shpresë!  Kjo shpresë tek Perëndia!  Bën vërtet çudira, jep jetë, shpëton njerëzit.  Sa herë që flas për shpresën më kujtohet Apostoll Shën Pavli i cili thoshte që “shpresa nuk humbet”.  Më kujtohet Hyjlindësja e Tërëshënjtë që është “shpresa e të dëshpëruarve”.  Më kujtohen dhe dy gjëra të tjera të cilat u gdhëndën thellë në kujtesën time.  Njëra prej tyre është kepi i Afrikës së Jugut.  Kohë më parë anijet as që guxonin t’i afroheshin.  Dhe për t’u ngushëlluar detarët dhe për të mos kujtuar përmbytjet që u bënë në atë vend e quajtën Kepi i Shpresës së mirë.  Dhe për jetën tonë plot furtuna një është shpresa e mirë, Hyjlindësja e Përmbishënjtë.

Gjëja e dytë që më sjell ndër mend fjala shpresë, është një kodër, një kodër tepër e rëndësishme për mua.  Jetova në atë kodër katër vjet me rradhë.  Kodër plot gjelbërim, sepse ngjyra e gjelbër shpreh shpresë, një kodër e bukur dhe e mrekullueshme, kodër e bekuar.  Sipër kësaj kodre, pikërisht në majë të saj qëndron SHKOLLA THEOLOGJIKE E HALKIT.  Qëllimisht kjo kodër është quajtur kodra e shpresës.  Ky është emri i saj.  Dhe mund t’a merrni me mënd se çfarë shpresa dhe ëndra thurrëm atje sipër si studentë.  Këto të dyja, Kepi i Shpresës së mirë dhe kodra e shpresës janë për mua personalisht dy simbole dhe dy harqe të ndritshme, të cilat më tregojnë se duhet të ec përpara dhe të luftoj me shpresë se Zoti do të bekojë përpjekjet e mia, me shpresën se e Tërëshënjta do të jetë bashkë-luftëtarja ime.

Dua t’a mbyll fjalën e sotshme me një shembull, i cili thekson këtë të vërtetë, të vërtetën që ai që shpreson tek e Tërëshënjta gjithmonë do jetë nën mbulesën e saj, do të jetën nën mbrojtjen e saj.  Dikur ishte një fëmijë hebre, i cili luante me fëmijët e Krishterë të mëhallës.  Një ditë ndërmorën Misterin e Pagëzimit dhe pasi e pagëzuan fëmijën hebre ia vunë emrin Panajot.  Në mbrëmje fëmija u kthye në shtëpi dhe nuk mund t’a kuptonte përse nëna dhe babai i tij i binin erë vazhdimisht.  Kishte që nga koka e deri në këmbët erën e Miros së shënjtë.  Mor bir, i thanë, ku e gjete këtë erë?  S’kemi parë ndonjëhere erë të tillë.  E detyruan dhe me pahir e bënë të rrëfejë çka kishte ndodhur dhe t’ju thoshte që beson tek Jisu Krishti.  Kaq shumë u xhindo babai hebre saqë e ndëshkoi tepër rëndë për ndërrimin e besës.

E rrëmbeu fëmijën dhe me forcë e shpuri në banjat me avull të qytetit.  Hapi kaldajën e ndezur flakë dhe atje e hodhi fëmijën.  Më pas i vuri shulin portës së kaldajës.  Diçka e ngjashme pra me tre Djemtë e Dhjatë së Vjetër që u hodhën në furrën me zjarr.  Ditën e nesërme në banjat me avull shkon një i Krishterë i bekuar që të bëjë banjë dhe konstaton që uji është krejt i ftohtë.  Thërret punonjësin që shërbente dhe i thonë që kaldaja punon por uji nuk nxehet.  Për të shuajtur kureshtjen, shkon dhe hap portën e kaldajës dhe ç’të shikojë?  I porsa-pagëzuari Panajot ishte brenda i tëri, plotësisht i padëmtuar fare.  Asnjë qime nuk i ishte prekur.  Pa më thuaj çfarë po ndodh?  Si ishte në mes të tërë atij zjarri dhe nuk u dogje? 

Përpara se të më hidhe babai këtu, arrita dhe thashë: E Tërëshënjtë Hyjlindëse, je e vetmja shpresa ime.  Dhe erdhi Nëna e Tërëshënjtë dhe më kishte gjithë këtë kohë në krahët e saj dhe më shpëtoi.  Tani që hapët portën juve e Tërëshënjta u largua.

Të dashur vëllezër, ju lutem kur shuhen të gjitha dritat rreth jush dhe vjen errësira, kur rretë e zeza të mundimeve dhe hidhërimeve ju mbulojnë, kur armiku ynë shekullor intensifikon sulmet e tij ndaj nesh, kur njerëzit ju braktisin apo ju punojnë padrejtësira,  kur dallgët përplasen ndaj jush njëra pas tjetrës, kur fryjnë errërat e forta dhe kur plagët tuaja shumohen dhe thellohen, çfarëdo që të ndodhë, edhe bota të kthehet përmbys juve të qëndroni drejt më këmbë; sikur edhe antikrishti të ndërmarë zyrtarisht qeverisjen e botës dhe mbarimi i shekujve të afrohet mos u dëshpëroni, mos e humbni shpresën tuaj tek Ajo.  Me gjithë zemrën tuaj dhe me gjithë qënien tuaj të përsëritni atë që thamë dhe shpjeguam sonte: “Tërë shpresën tonë më ty e vemë, Nënë e Perëndisë së Lartë ruajmë nën mbulesën tënde”.  Zoti n’a mëshiroftë të gjithëve me ndërmjetimet e Nënës së Tij të Përmbishënjtë. Amin.

Përktheu nga Greqishtja,

Aleksandër P. Filip

15 Gusht, 2008

Me rastin e Fjetjes së Hyjlindëses Shën Mari

Falenderoj

“Tërë shpresën tonë më ty e vemë,

Nënë e Perëndisë së Lartë ruajmë nën mbulesën tënde”

Kapitulli u shkëput nga libri “Ndërmjetim i Nxehtë-Πρεσβεία Θερμή”.

Përkthimi u krye me lejën dhe bekimin e autorit,

Gjerondit +Arqimandrit Joakim Karahristu,

Igumeni i Skitës së Profetit Ilia në Malin e shënjtë

për lejën dhe bekimin që më dha për

përdorimin e librit të tij «Πρεσβεία Θερμή».

E Terëshenjta, Shpresa Jone