EDUKIMI FETAR I FËMIJËVE
Qëllimi që duhet të mbajnë në mendje prindërit dhe mësuesit e krishterë është: të frymëzojnë tek fëmijët dashurinë personale për Krishtin dhe Nënën e Perëndisë.
Nëse fëmija rritet duke nderuar Krishtin dhe Nënën e Perëndisë si persona të dashur, kjo dashuri do të ndërtojë zemrën e tij në Perëndinë dhe nëse më vonë ai ka dyshime apo braktis dhe Kishën, të paktën nuk do të dalë kundër Krishtit në zemrën e tij dhe kjo gjë mund të ndihmojë për shpëtimin e tij.
Edukimi fetar i fëmijëve bëhet i mundur kryesisht nga shembulli dhe atmosfera e dashurisë dhe lutjes në shtëpi. Zemra e fëmijës preket edhe pa shpjegim dhe ai e merr lutjen si një veprimtari të natyrshme dhe njeh praninë e Perëndisë pa pasur nevojë për prova logjike.
Në jetën e shenjtorëve shpesh dikush kupton se si jeta e shenjtorit ndikohet nga një person i shenjtë të cilin ai e sheh. Shën Nektari gjithmonë e kujtonte dashurinë e gjyshes dhe mënyrën se si ajo qëndronte në këmbë duke u lutur para ikonave.
Dashuria, lutja dhe shembulli janë më shumë efektive se fjalët – në të vërtetë këto gjëra iu japin vlerë fjalëve kur bëhet fjalë për ta drejtuar fëmijën te Perëndia. Puna jonë si prindër apo si mësues shpirtërorë është shpesh një punë jo e dukshme, dhe na jep përvojën e aspektit “të tmerrshëm” të lirisë njerëzore: që askush nuk mund të imponojë dashurinë për Perëndinë tek një person tjetër. Ne dëshirojmë që Perëndia të pranohet me vullnet të lirë tek çdo njeri. Por në të njëjtën kohë lutja jonë për fëmijët tanë të dashur na shkakton dhimbje të brendshme të vazhdueshme. Është më e lehtë të flasësh sesa të lutesh.
Kur përpiqemi t’i mësojmë fëmijët për Perëndinë me fjalë dhe nuk mund të gjejmë shprehjen e duhur apo tema ndryshon, nuk duhet që me patjetër të imponojmë shpjegimin tonë – duhet t’i shkojmë pas frymëzimit të Perëndisë dhe mendjes së vetë fëmijës. Ndihma që u japim fëmijëve tanë nuk varet aq shumë nga fjalët tona për Perëndinë, por nga qëndrimi ynë në praninë e Perëndisë. Të krishterët në moshë të rritur priren të mendojnë që Perëndia nuk ndodhet në një bisedë nëse Ai nuk është tema e bisedës.
Metodat më të mira edukative synojnë t’u mësojnë fëmijëve si të mësojnë. Ka një proverb i cili thotë: “Jepi një peshk fëmijës tënd dhe ai do të hajë mirë sot. Mësoje si të përdorë një rrjetë peshkimi dhe ai do të hajë mirë gjithë jetën e tij”.
Ne e kuptojmë në të njëjtën mënyrë detyrën tonë si prindër dhe mësues të krishterë. Ne i frymëzojmë fëmijët tanë të duan Perëndinë dhe i mësojmë se si të zbulojnë vullnetin e Perëndisë për veten e tyre. Nëse fëmijëve tanë u mësohet të duan Perëndinë dhe shenjtorët, “të gjitha të tjerat do t’u shtohen” (Math. 6:33).
Fëmijët në familjet e krishtera, ndonjëherë vuajnë nga një lloj “dhimbje e mosasimilimit” shkaktuar nga mbidoza e dëgjimit për Perëndinë ose për çështjet e Kishës. Ata nga mirësjellja mund të vazhdojnë të dëgjojnë, por dikush mund ta dallojë që në të vërtetë ata nuk janë të interesuar të dëgjojnë më për Perëndinë dhe madje janë të lodhur e duan të pushojnë. Në një orë katekizmi dikush vëren ndryshime të mëdha midis fëmijëve për sa i përket aftësisë dhe dëshirës së tyre për të dëgjuar për Perëndinë. Ne si të rritur mund të shkaktojmë dëm serioz shpirtëror duke mos folur me fëmijën me masë. Ne duhet të përpiqemi të frymëzojmë, por nuk duhet të imponojmë. Ka fëmijë që nuk nxënë gjithmonë njëlloj, herë më shumë e herë më pak.