Agjërimi
Vetë Jisui agjëroi dhe i mësoi nxënësit e tij të agjërojnë.
Dhe kur të agjëroni, mos u tregoni të pikëlluar si hipokritët; sepse ata shfytyrohen për t’u treguar njerëzve se agjërojnë; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. Kurse ti, kur të agjërosh, vajose kokën dhe laje fytyrën, me qëllim që të mos u tregosh njerëzve se ti agjëron, por Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, i cili shikon në fshehtësi, do ta japë shpërblimin publikisht (Matheu 6:16-18).
Qëllimi i agjërimit është të fitosh kontrollin mbi veten dhe t’i mposhtësh pasionet e mishit. Është të çlirosh veten nga varësia në gjërat e kësaj bote që të përqëndrohesh në gjërat e Mbretërisë së Perëndisë. Është që t’i japë fuqi shpirtit që të mos i dorëzohet tundimit dhe mëkatit. Sipas Shën Serafimit, agjërimi është një “mjet i domosdoshëm” për të fituar frytin e Shpirtit të Shenjtë në jetë (kr. Bisedë me Motovilovin), dhe Vetë Jisui mësoi se disa forma të së keqes nuk mund të mposhten pa atë (Matheu 17:21, Marku 9:29).
Njeriu nuk agjëron ngaqë i pëlqen Perëndisë që shërbëtorët e Tij të mos hanë, sepse, siç na kujtojnë hymnet e kreshmës së madhe të Kishës, “djalli, gjithashtu nuk ha kurrë” (Triodi). As agjërojnë që t’i shkatojnë vetes vuajtje dhe dhimbje, sepse Perëndia nuk kënaqet në shqetësimin e njerëzve të Tij. As agjërojnë me idenë se uria dhe etja e tyre mund në njëfarë mënyrë të shërbejë si “riparim” për mëkatet e tyre. Një kuptim i tillë nuk është dhënë kurrë në shkrimet e shenjta ose në shkrimet e shenjtorëve, që shpallin se nuk ka asnjë “riparim” për fajin e njeriut, përveçse kryqëzimit të Krishtit. Shpëtimi është një “dhuratë e lirë e Perëndisë” që asnjë “vepër” e njeriut nuk mund ta kryejë nga merita (kr. Romanët 5:15-17, Efesianët 2:8-9).
Prandaj, njerëzit agjërojnë dhe duhet të agjërojnë, vetëm që të çlirohen nga pasionet mishore, që dhurata e lirë e shpëtimit në Krishtin të mund të prodhojë fryte të mëdha në jetën e tyre. Njerëzit agjërojnë që të mund t’i shërbejnë Perëndisë më me shumë frytshmëri, i Cili i do ata dhe i ka shpëtuar në Krishtin dhe Shpirtin. Të agjërosh pa përpjekje në virtyt është tërësisht e kotë.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë