/ Jeta Liturgjike / “Do të bekoj Zotin në çdo kohë;lavdërimi i Tij do të jetë gjithnjë në gojën time.” (Psalmi 33:1)

“Do të bekoj Zotin në çdo kohë;lavdërimi i Tij do të jetë gjithnjë në gojën time.” (Psalmi 33:1)

“Do të bekoj Zotin në çdo kohë;lavdërimi i Tij do të jetë gjithnjë në gojën time.” (Psalmi 33:1)

 

Çfarë është lutja? Lutja është një dhoksologji, një lavdërim, një falënderim, një rrëfim dhe një ndërmjetim. Një teolog i madh i Krishterimit të hershëm ka shkruar: “Kur u luta, u ripërtëriva, por kur pushova së luturi, u plaka”. Lutja është rruga e rinimit dhe e jetës shpirtërore.
    Lutje do të thotë të kesh marrëdhënie të gjallë me Perëndinë. Lutja është fuqi, rifreskim dhe gëzim. Nëpërmjet Hirit të Perëndisë dhe përpjekjeve tona të disiplinuara, lutja na ngre nga izolimi në një bashkim të dashur dhe të ndërgjegjshëm me Perëndinë ku çdo gjë jetohet nën një dritë të re.
    Lutja është themelore për jetën e krishterë. Vetë Jisu Krishti u lut dhe i mësoi njerëzit të luten, duke i thënë: “Ju, pra, lutuni kështu:
 
    “Ati ynë që je në qiejt, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë dëshira jote si në qiell ashtu edhe mbi dhé. Bukën tonë të përditshme jepna neve sot; dhe falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë; dhe mos na shtjer në ngasje, por shpëtona nga i ligu” (Mattheu 6:9-13), (Lluka 11:2-4).
 
* * *
    Lutja disa herë është përkufizuar si një dialog me Perëndinë. Është një dialog qetësie, mbajtur në qetësinë e zemrave tona. Lutja është ngritja e mendjes dhe e zemrës te Perëndia, qëndrimi në praninë e Tij, vetëdija dhe kujtimi i pandërprerë i emrit, fuqisë dhe dashurisë së Tij. Ai që nuk i lutet Perëndisë, nuk mund të jetë pasues i Krishtit. Të gjitha virtytet dhe fuqitë e Perëndisë arrihen, kryesisht, nga lutja. Pa lutjen, nuk ka jetë shpirtërore.
    “Në qoftë se nuk lutemi me gjithë shpirt çdo ditë, shumë shpejt ne do të vdesim shpirtërisht” (Shën Joani në Kronshtad).
    Në Kishën Orthodhokse të gjitha lutjet janë Trinitare. Ne lutemi në Shpirtin e Shenjtë, me anë të Jisu Krishtit, Birit të Perëndisë dhe në emrin e Tij te Perëndia Atë.
    Sipas Shën Vasilit të Madh lutja jonë duhet të ketë katër karakteristika: lavdërim, falënderim, rrëfim dhe kërkesa për shpëtimin tonë. Lutjet tona mund t’i drejtohen Perëndisë, jo vetëm për veten tonë, por edhe për të tjerët, madje edhe për ata që kanë vdekur, jeta e të cilëve mbi tokë ka mbaruar, si edhe për të gjithë botën që na rrethon.
    “Të bëhen lutje, falje, kërkesa, falënderime, për të gjithë njerëzit” (1 Timotheut 2:1).
 
 
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë
 

“Do të bekoj Zotin në çdo kohë;lavdërimi i Tij do të jetë gjithnjë në gojën time.”