/ Jeta Liturgjike / KISHA ORTHODHOKSE DHE KUNGATA HYJNORE

KISHA ORTHODHOKSE DHE KUNGATA HYJNORE

KISHA ORTHODHOKSE DHE KUNGATA HYJNORE

 

2. Kungata Hyjnore, pjesë dhe qëllim kryesor i Liturgjisë Hyjnore

Po t’i hedhim një vështrim me kujdes Liturgjisë Hyjnore, do të shohim se si qëllim kryesor ka Kungimin e besimtarëve me Misteret Hyjnore.

Kështu p. sh. në uratën, e cila quhet “e besimtarëve”, lexojmë: “Dhe jepu atyre (domethënë besimtarëve) gjithnjë me frikë dhe dashuri të të adhurojnë pa faj dhe të marrin pjesë pa dënim në Misteret e Tua të Shenjta”. Në uratën pas kryerjes së Mistereve shkruhet: “që këto të bëhen për ata që kungohen, për pastrim shpirti dhe ndjesë mëkatesh”.

Në uratën para Kungimit theksohet: “dhe bëna të denjë që, me dorën tënde të fortë, të marrim Trupin tënd të kulluar dhe Gjakun tënd të çmuar dhe me anën tonë, t’ia japim gjithë popullit”.

Po Himni Keruvik? A nuk është ky një përgatitje e vërtetë për Kungatën Hyjnore, kur thotë: “Ne që simbolizojmë mistikërisht Keruvimet, dhe që i këndojmë Trinisë jetëbërëse himnin trishenjtor, le të largojmë prej nesh tërë kujdesin për jetën; që Mbretin e të gjithave të presim, të pasuar padukurisht prej rreshtave engjëllorë”.

Gjithashtu, thirrjet me zë të lartë të meshtarit, si organ të Zotit, “Merrni hani, ky është Trupi im” dhe “Pini prej këtij të gjithë, ky është Gjaku im” a nuk tregojnë se ne thirremi të hamë e të pimë prej tyre?

Dhe, kur prifti, duke mbajtur Potirin e Shenjtë me Trupin dhe Gjakun Jetëbërës të Zotit, del te Dera e Bukur dhe, duke ia treguar këtë popullit, e fton atë për kungim dhe thotë me zë të lartë: “Me frikë Perëndie, besim dhe dashuri afrohuni”, çfarë gjëje tjetër tregon kjo, veç detyrës që kemi për t’u kunguar?

Pas marrjes së Kungatës Hyjnore, edhe prifti, edhe besimtarët, a nuk falënderojnë Perëndinë për këtë Hir të madh të Kungatës Hyjnore, që u bëmë të denjë të marrin? – Pra, prifti me zë të lartë thotë: “Drejt! Pasi u kunguam me Misteret hyjnore të shenjta, të kulluara, të pavdekshme, qiellore, jetëbërëse dhe të frikshme të Krishtit, siç i meriton, le ta falënderojmë Zotin”.

Kungata Hyjnore, pra, me Trupin e kulluar dhe Gjakun e çmuar të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, është ajo që mban qenien tonë shpirtërore dhe e fuqizon atë për të kryer porositë e Zotit; është ushqimi i vërtetë i shpirtit dhe i trupit, siç thotë vetë Zoti: “Mishi im është me të vërtetë ngrënie, edhe gjaku im është me të vërtetë të pirë” (Jn. 6:55).

Për Kungatën Hyjnore kryhet dhe Liturgjia Hyjnore. “Në Liturgjinë Hyjnore, – thotë i hirshmi Nikolla Kavasila, – kryhet kthimi i Dhuratave të Shenjta në Trup dhe Gjak Hyjnor, si edhe shenjtërimi i besimtarëve nëpërmjet tyre”.

Liturgjia Hyjnore kryhet për shenjtërimin tonë dhe shenjtërimi jepet me anën e kungimit me Misteret e kulluara, siç theksohet qartë në uratën që thuhet pa zë pas shenjtërimit: “Që të bëhen për ata që kungohen, gatishmëri shpirti, ndjesë mëkatesh, pjesëmarrje të Shpirtit Tënd të Shenjtë, përmbushje të Mbretërisë së Qiejve, paraqitje pa drojë përpara Teje, jo për gjykim a për dënim”, gjë që të jep të kuptosh se ata që nuk kungohen, nuk shenjtërohen, megjithëse mund të vijnë në kishë përditë.

Nga sa u thanë, rezulton se çdo orthodhoks, po nuk pati ndonjë ndalesë mëkatesh, le të kungohet. Sepse, kungimi i shpeshtë është i domosdoshëm për të mbajtur jetën tonë shpirtërore. Po shpjegojmë, p.sh. për ruajtjen e jetës së njeriut është e domosdoshme frymëmarrja, sepse pa të është e pamundur të rrojë. I domosdoshëm është gjithashtu edhe ushqimi për mbajtjen e trupit. Kështu pra, sikundër frymëmarrja dhe ushqimi janë elemente të domosdoshme e të nevojshme për mbajtjen e trupit, ashtu edhe Kungata Hyjnore është e domosdoshme për jetën e shpirtit dhe për mbajtjen e qenies së tij.

 

DHIMITËR BEDULI

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë

 

 

KISHA ORTHODHOKSE DHE KUNGATA HYJNORE