/ Jeta Liturgjike / Kryqi

Kryqi

Kryqi

“Kryqi, ruajtësi i gjithë botës;  Kryqi, bukuria e Kishës;  Kryqi, fuqia e mbretërve;  Kryqi, mbështetja e besimtarëve;  Kryqi, lavdia e engjëjve dhe plaga e demonëve.”  (Eksapostilarion)

    Para njëzet shekujsh Kryqi ishte mjet i dënimit poshtërues dhe i vdekjes së frikshme. Romakët dënonin me kryqëzim kriminelët më të mëdhenj. Sot, Kryqi mbizotëron në të gjithë jetën e besimtarëve të krishterë, në të gjithë jetën e Kishës sonë; si mjet flijimi, shpëtimi, gëzimi, shenjtërimi dhe hiri. Siç shkruan Shën Krisostomi (Gojarti), “ky simbol i mallkuar dhe i neveritshëm i dënimit më të rëndë, tani është bërë i dashur dhe i shtrenjtë. E sheh kudo: në Tryezën e Shenjtë, në hirotonitë e priftërinjve, në Liturgjinë Hyjnore; në shtëpitë, në tregjet, në shkretëtirat dhe në rrugët; në detet, në anijet dhe në ishujt; në krevatet dhe në veshjet; në martesat, në gostitë, në enët e arta dhe të argjendta; në stolitë dhe afresket… Kaq i shtrenjtë u bë për të gjithë kjo dhuratë e mrekullueshme, ky hir i papërshkruar”.

    Dhe në fakt, ngado që të hedhësh vështrimin, brenda dhe jashtë kishës, do të shikosh shenjën e Kryqit. Si simbol skematik, i dukshëm, por edhe si gjest i shenjtë. Shenja e Kryqit mbizotëron në jetën e Kishës.

    Por, përse? Sepse, që atëherë, kur mbi Kryq u mbërthye dhe vdiq për shpëtimin e botës vet Perëndia, Zoti ynë Jisu Krisht, ky mjet i dënimit u bë mjet i shpëtimit. “…Nuk është më masë dënimi, por trofe i shpëtimit tonë u bë”, thotë një tropar. Objekti i turpit u bë lavdia e Kishës. Simboli i mallkimit u bë “shpërblesë e mallkimit të lashtë”. Druri i vuajtjes dhe i vdekjes, u bë “shenjë e gëzimit” dhe“thesarmbajtës i jetës”.

    Të gjitha këto, ngaqë mbi drurin e Kryqit, bashkë me trupin e Tij të pacënuar, Zoti mbërtheu edhe mëkatet tona. Siç shkruan Apostulli i shenjtë Pavli: “Na fali gjithë fajet; duke shuar dorëshkronjën e porosive që ishte kundër nesh… duke e mbërthyer atë mbi kryq” (Kol. 2:14).

    Kryqi i Krishtit na pajtoi me Atin qiellor, nga i Cili na kishte ndarë djalli duke mashtruar njerëzit e parë. Kryqi i Krishtit na hapi Mbretërinë e Qiejve, pasi deri në kryqëzimin e Tij, Hadhi përpinte në mënyrë të pangopur, madje, edhe të drejtët. Prandaj Kryqi ka kaq fuqi edhe hir; fuqinë dhe hirin e Krishtit, që, kur u kryqëzua, i kaloi në mënyrë mistike dhe të pakonceptueshme te Kryqi i Tij i nderuar, siç na e thotë me urtësi edhe himnologjia: “Kryqi yt, o Zot, edhe pse duket dru në thelb, është i veshur me pushtet hyjnor; edhe pse është i dukshëm në botë, shpirtërisht bën mrekullinë e shpëtimit tonë…”. Kryqi, pra, u bë simboli i vet Krishtit. Simbol nga i cili dridhen demonët.

 

Botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë, 2006

http://orthodoxalban

Kryqi