/ Jeta Liturgjike / Psalmi 102 – Dhjata e Vjetër

Psalmi 102 – Dhjata e Vjetër

Psalmi 102 - Dhjata e Vjetër

 

Beko Zotin o shpirti im,dhe ti o zemra ime emrin e Tij të shenjtë.
Beko Zotin o shpirti im dhe mos harro tërë porositë e Tij.
Atë që fal gjithë paudhësitë e tua,atë që shëron gjithë sëmundjet e tua.
Atë që shpëton jetën tënde prej prishjes,atë që të kurorëzon me mëshirë dhe dhembshuri.
Atë që ta mbush dëshirën me të mira,atë që përtërit të ritë e tu si të shqiponjës.
Zoti tregon mëshirë dhe u jep të drejtë atyre që u bëhet padrejtësi.
Ia bëri të njohura udhët e tij Moisiut,dëshirat e tij bijëve të Izraelit.
Zoti është i dhembshur dhe përdëllyes,zemërgjerë e mëshirëplotë.Nuk zemërohet përgjithmonë dhe nuk mban mëri përjetë.
Nuk veproi sipas paudhësive tona,as na e shpërbleu sipas mëkateve tona.
Sa e madhe është lartësia e qiellit nga dheu,aq e madhe është mëshira që tregon Zoti për ata që ia kanë frikën.
Sa larg është lindja nga perëndimi,aq i largoi prej nesh paudhësitë tona.
Sikurse Atit i dhimbsen të bijtë,ashtu edhe Zotit i dhimbsen ata që ia kanë frikën.
Se ai e di se jemi krijuar dhe sjell ndër mend se jemi baltë.
Ditët e njeriut janë si bari,lulëzon si lulja e fushës.
Se fryn era mbi të dhe s’është më dhe nuk dihet më se ku e ka pasur vendin.
Po mëshira e Zotit jetë pas jete është mbi ata që ia kanë frikën dhe drejtësia e Tij mbi bijtë e bijve që ruajnë dhjatën e Tij dhe që mbajnë ndër mend porositë e Tij për të zbatuar.
Zoti e vendosi fronin e Tij në qiell dhe mbretëria e Tij zotëron mbi të gjithë.
Bekoni Zotin gjithë ju ëngjëjt e Tij të fortë nga fuqia,që zbatoni porositë e Tij duke dëgjuar zërin e fjalëve të Tij.
Bekoni Zotin gjithë ju fuqitë e Tij,ju shërbyesit e Tij që zbatoni dëshirën e Tij.
Bekoni Zotin gjithë ju veprat e Tij,në ç’do vend të sundimit të Tij,beko Zotin o shpirti im.
Në ç’do vend të sundimit të Tij,beko Zotin o shpirti im.

 

Psalmi 102 – Dhjata e Vjetër