T’i mësojmë fëmijët të bëjnë shenjën e Kryqit
Kisha Orthodhokse përdor shumë simbole, nëpër- mjet të cilave shprehet besimi ynë. Një ndër ta është edhe bërja e shenjës së Kryqit. Shenja e Kryqit, ndoshta, është një nga veprimet më të thella që bëjmë. Është misteri i Ungjillit i shprehur në një çast të vetëm. Shenja e Kryqit është një simbol i thjeshtë, në thjeshtësinë e të cilit ndodhet një përmbajtje shumë e thellë. Është besimi ynë orthodhoks i përmbledhur në një gjest të vetëm. Kur bëjmë shenjën e Kryqit mbi veten tonë, rinovojmë besë- lidhjen që kemi bërë me Perëndinë ditën e pagëzimit.
Le ta shqyrtojmë për pak çaste këtë veprim të bukur. Dy gishtat tregues dhe gishti i madh i dorës së djathtë mblidhen së bashku për të treguar se ne besojmë në Atin, i Cili na do; në Birin, i Cili na shpëton; dhe në Shpirtin e Shenjtë, i Cili banon ndër ne.
Të tre gishtat mblidhen së bashku që të tregojnë se nuk besojmë në tre Perëndi, por në Një. Dy gishtat e tjerë tregojnë dy natyrat e Krishtit, domethënë natyrën hyjnore dhe natyrën njerëzore. Këta dy gishtërinj përkulen mbi pëllëmbën e dorës, për të treguar se Jisui “zbriti prej qiejve” për shpëtimin tonë. Kjo tregon Mishërimin: “Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne”. Veprimi i bërjes së Kryqit nuk na kujton vetëm kryqin dhe çmimin që Jisui pagoi për të na shpëtuar nga mëkati, por është edhe shprehje e urdhëresës më të madhe të krishterë, për shembull: “Ti do ta duash Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë mendjen tënde, zemrën tënde, shpirtin tënd dhe fuqinë tënde”. Kur prekim kokën tonë, themi: “Të dua, Zot, me gjithë mendjen time”. Kur prekim kraharorin tonë, themi: “Të dua, Zot, me gjithë zemrën dhe shpirtin tim”. Kur prekim shpatullat tona, themi: “Të dua, Zot, me gjithë fuqinë time”. Fjalë të tjera që përdorim kur bëjmë shenjën e Kryqit janë: “Në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë”. I krishteri orthodhoks lutet gjithmonë në emrin e Trinisë.
Kur lutemi, i lutemi Perëndisë me mendje dhe zemër. Por kur bëjmë shenjën e Kryqit, i lutemi Perëndisë edhe me trupin tonë. Shën Andoni na mëson se demonët zhduken menjëherë kur dikush armatoset me besimin dhe me shenjtën e Kryqit.
Kur u pagëzuam, prifti na bëri shenjën e Kryqit në shumë pjesë të trupit. Ai e bëri këtë për të treguar se i përkasim Krishtit. Ashtu sikurse në ditët e hershme skllevërve u vendosej shenja e pronarit të tyre, dhe si- kurse bagëtive në ditët e sotme u vendoset simboli i pronarëve të tyre, në të njëjtën mënyrë, gjatë Pagëzimit, ne vulosemi me shenjën e Kryqit, për të treguar se i përkasim Jisuit. Ai është Zoti dhe Perëndia ynë. Ai është Personi i vetëm që duhet ta ndjekim dhe t’i bindemi në jetë. Ne bëjmë shenjën e Kryqit për të treguar se i përkasim Zotit Jisu.