/ Jeta Shpirtërore- Lutja / Meditimi i mëngjesit

Meditimi i mëngjesit

Meditimi i mëngjesit

 

Agoi edhe sot. Përsëri një ditë e re në dispozicionin tonë. Perëndia i mirë, i mbushur me dhembshuri dhe dashuri na zgjat kohën e jetës sonë, që të pranojmë bekimet e Tij dhe të kryejmë detyrën tonë. Ndoshta disa nga vëllezërit dhe motrat tona dje në mbrëmje fjetën, pa u zgjuar dot sot. Ata u larguan nga kjo botë e kotë, ndërsa ne u vlerësuam të shohim dritën e ëmbël të ditës.

Dielli i ndritshëm shpërndau errësirën dhe me rrezet e tij jetëdhënëse ndriçon gjithë krijimin, ngroh dhe i jep jetë gjithë planetit tonë.

Që nga momenti që hapim sytë, shikimi ynë i parë drejtohet drejt qiellit. Dielli i gjithëndritshëm dërgon rrezet e tij të ngrohta dhe jetëdhënëse drejt të gjitha drejtimeve; drejt të drejtëve dhe mëkatarëve, drejt të pasurve dhe të varfërve, duke shpërndarë errësirën e dendur dhe duke u dhuruar dritën të gjithë njerëzve.

E ndritshme është edhe jeta jonë; e ndritshme edhe ecuria jonë; e ngrohtë dhe dashamirësesjellja jonë drejtuar të gjithëve dhe me të gjithë njerëzit. Ashtu si rrezet e diellit rrezatojnë kudo, pa u ndotur, kështu edhe ne, në komunikimin tonë me njerëzit e tjerë, kemi si detyrë të ruajmë pastërtinë dhe shenjtërinë e jetës, që komunikimi ynë me njerëzit e tjerë të mos jetë prishës i cilësisë së jetës sonë dhe i shtrembërimit të personit tonë.

E më pas? Çfarë më pas? Nuk ka asgjë tjetër më pas! Automatikisht mendimi ynë ngjitet në qiell dhe rrethon fronin e Perëndisë. Përpara këtij froni të hyjnisë së trishkëlqyeshme vendosim një falënderim të nxehtë prej thellësisë së zemrës sonë, prej ndjenjave mirënjohëse,prej thesarit të shpirtit tonë.

Të falënderoj për ditën e re! Të falënderoj për zgjatjen e jetës! Të falënderoj për shëndetin! Të falënderoj për familjen! Të falënderoj për bekimet e pasura! Të falënderoj për punën! Të falënderoj për aftësitë e mia mendore! Të falënderoj për fuqitë e mia trupore! Të falënderoj për paqen, për bollëkun e të mirave shpirtërore dhe materiale! Të falënderoj!

Dhe pas “të falënderoj” pason “të lutem”.

Të lutem, o Perëndia im, jepmë një ditë të bukur, të gëzuar dhe paqësore, pa u ndeshur me vullnetin Tënd dhe pa ardhur në kundërshtim me asnjë nga krijesat e Tua! Beko punën time, familjen time, vëllezërit e mi, të gjithë ata që i shërbejnë vullnetit Tënd me mënyra të ndryshme! Të lutem, o Zot, jepmë fuqinë të jem punëtor i së mirës, shërbëtor besnik Yti,engjëll gëzimi brenda në shtëpi, punëtor i ndershëm në vendin e punës dhe brenda në këtë shoqëri, qelizë e gjallë, njeri i ndershëm, person i përkryer!

 

Marrë nga :O Zot dëgjo lutjen time

Botim i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Meditimi i mëngjesit