Ikonat dhe Shkrimi i Shenjtë si burime
Ikonat janë një mënyrë e mirë që fëmijët të njohin dhe të duan Krishtin dhe shenjtorët; madje edhe kur fëmija është shumë i vogël, ai mund të ketë në dhomën e tij ikonën e Zotit, Nënës së Perëndisë ose të ndonjë shenjtori. Ikonat nxisin pyetje tek fëmijët dhe ato vetë u japin atyre përgjigje. Ikonat duhet të na flasin të gjithëve në mënyrë të drejtpërdrejtë, vizuale. Të rriturit priren të shprehin me fjalë ose ta arsyetojnë përjetimin e tyre vizual. Fëmijët shpesh kuptojnë mistere të thella teologjike nëpërmjet ikonave – për shembull duke krahasuar ikonën e Kryqëzimit me ikonën e Ngjalljes. Ata nuk mund të thellohen në shpjegimin e misterit, por fjalët e tyre dhe shprehitë e fytyrës së tyre tregojnë që ikona ka depërtuar në zemrën dhe mendjen e tyre.
Ikona përbën një fokus shumë të dobishëm në një mësim katekizmi; por ajo duhet trajtuar gjithmonë me respekt, si një objekt nderimi, madje edhe kur theksohet aspekti i saj pedagogjik.
Që në moshë të vogël fëmijët mund të frymëzohen të duan Shkrimin e Shenjtë dhe jetët e shenjtorëve. Është e rëndësishme që fëmijët të kuptojnë nga prindërit dhe mësuesit e tyre se Shkrimi i Shenjtë dhe jetët e shenjtorëve janë frymëzuese dhe të përshtatshme për ne sot, dhe kjo është më me shumë vlerë sesa sasia që lexohet apo faktet që duhet të mbahen mend. Ne duhet të jemi të përgatitur për t’u thënë fëmijëve tregime të ndryshme nga Bibla apo nga jetët e shenjtërove, në mënyrë që këto tregime të mos jenë të njëjtat e të bëhen të mërzitshme për fëmijët. (Është mirë që të familjarizohen edhe me tregime të mirënjohura jofetare.) Shkrimi i Shenjtë dhe jetët e shenjtorëve duhen konsideruar si tregimet me vlerën më të madhe; leximi i tyre nuk duhet paraqitur si një detyrim shpresëtarie.