Qëllimi i Familjes së krishterë.
Familja, siç dihet nga të gjithë, përbën bërthamën themelore të shoqërisë. Kështu që në Kishën militante të Krishtit është një njësi bazë e trupit të Kishës. Prandaj, në shkrimet e Apostullit familja e krishterë është quajtur në vetvete një “Kishë”. “Përshëndet Priskilën dhe Akilën, bashkëpunëtorët e mi në Jisu Krishtin… si dhe Kishës që është në shtëpinë e tyre” (Rom. 16:3, 5); “Përshëndetni Nimfën edhe Kishën që është në shtëpi të atij” (Kol. 4:15). Nga këto kuptohet se çfarë kujdesi i madh i duhet dhënë familjes nga pikëpamja e Kishës, kështu që familja të përmbushë qëllimin e të qënurit një “kishë” e vogël, siç shprehet shën Joan Gojarti.
Gjithashtu është edhe një rrugë tjetër jete personale, e cila është e bekuar në Krishterim: virgjëria ose celibati. Celibati për hir të Krishtit ka krijuar një lloj tjetër të njësisë sociale të krishterë: murgërinë.
Kisha e vendos atë mbi jetën e martuar, dhe me të vërtetë ka qenë në historinë e Kishës një element drejtues dhe udhëheqës, një mbështjeje e Kishës në realizimin e shkallëve më të larta të ligjit moral të Ungjillit. Por, jo të gjithë mund të marrin mbi vete benë e virgjërisë në emër të Krishtit dhe të Kishës. Prandaj, Kisha e bekon gjithashtu jetën martesore, për hir të atyre qëllimeve të larta dhe të vështira që janë vënë para familjes së krishterë, dhe ky bekim është njohur si Mister.
Shkrimi i Shenjtë dhe historia njerëzore fillon dhe mbaron me një martesë. Adami me Evën bashkohen në martesë, në Parajsë, para Rënies, duke e treguar martesën si një pjesë e planit të përjetshëm të Perëndisë për njerëzimin në mes të krijimit (Gjenez. 2:22-25). Historia mbyllet me martesën e Nuses me Qengjin (Zbul. 19:7-9), martesa tokësore e përmbushur në qiell, duke treguar natyrën e përjetshëm të misterit.
Nga Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani