E diela e Orthodhoksisë
Të nderuar besimtarë! Sot këtë të diel të parë të kreshmëve të mëdha, Kisha Orthodhokse ka vendosur ta quajë e Diela e Orthodhoksisë për të kujtuar luftën e egër, që zgjati më shumë se 120 vjet brenda gjirit të Kishës. Kjo luftë u zhvillua midis kundërshtarëve të ikonave dhe përkrahësve të tyre dhe u karakterizua nga shkatërrime në masë të kishave të shenjta, nga persekutime, internime e deri martirizime. Por dita e sotme na kujton vitin 843 kur pas një periudhe të gjatë kundërshtimesh, debatesh e persekutimesh, perandoresha Theodhora shpalli një herë e mirë rikthimin e Ikonave të shenjta brenda në Kishë duke i dhënë fund edhe këtij debati shumëvjeçar.
Ky debat dhe këto kundërshtime nuk mbaruan në shek. IX, por gabimisht vazhdojnë edhe sot. Shumë njerëz të krishterë të traditave të tjera ose jo të krishterë e kundërshtojnë përdorimin e ikonave. Ata i kundërshtojnë sepse nuk i kuptojnë ikonat dhe domethënien e tyre. Ata mendojnë se ikonat janë idhujtari ose më keq akoma se janë herezi sepse besimi i tyre nuk i lejon që të paraqesin Perëndinë në ndonjë imazh.
Ne të krishterët orthodhoksë mbajmë në kishat tona, në shtëpitë tona madje dhe në zyra, në makinë etj., ikonat e Zotit Krisht, të Hyjlindëses së shenjtë, të shenjtorëve të ndryshëm. Po përse i mbajmë ne ikonat? Përse u falemi? A i adhurojmë apo i nderojmë dhe cili është ndryshimi midis adhurimit dhe nderimit? Po ne njerëzit a jemi ikona?
Pikërisht këtyre pyetjeve do të përpiqemi që t’i përgjigjemi në predikimin e sotëm rreth ikonave dhe përse ato janë të rëndësishme në jetën tonë shpirtërore.
Dhe do ta fillojmë me Zanafillën, pra me krijimin e botës ku Perëndia tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët dhe mbi gjithë tokën” (Zan. 1:26).
Siç paraqitet edhe në këtë varg të Biblës, ikona më e mirë e Perëndisë nuk është bërë prej druri, as nuk është afresk i pikturuar në një faqe muri sipas një stili të artit të pikturës. Kjo ikonë është pikërisht njeriu, i cili është krijuar sipas ikonës dhe ngjashmërisë së Perëndisë. Çdo njeri është ikonë e gjallë e Perëndisë.
Kjo është arsyeja që besimi orthodhoks i vlerëson njëlloj të gjithë njerëzit pa dallim race, gjuhe, kombi apo edhe besimi, pikërisht për faktin se çdo qenie njerëzore mbi rruzullin tokësor është një ikonë e Perëndisë. Kjo është arsyeja kryesore përse ne orthodhoksët mbajmë ikonat e shenjta dhe i nderojmë.
Përse u falemi? A i adhurojmë apo i nderojmë dhe cili është ndryshimi midis adhurimit dhe nderimit? Ikonat janë një dritare midis hyjnores dhe njerëzores; ato janë imazhe të Ungjillit të Shenjtë dhe një libër i hapur që mund ta lexojë edhe një fëmijë që nuk ka shkuar akoma në shkollë.
Një akuzë që i bëhet shpesh orthodhoksëve është se ne bëjmë idhujtari duke adhuruar ikonat. Por, çdo besimtar orthodhoks di shumë mirë të ndajë adhurimin nga nderimi. Ne dimë se adhurimi si forma më e lartë e lutjes dhe e përkushtimit shpirtëror i përket vetëm dhe vetëm Perëndisë Triadik, Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, ndërsa nderimi dhe respekti u drejtohet edhe Hyjlindëses së Tërëshenjtë dhe shenjtorëve.
Kur një besimtar orthodhoks përkulet përpara një ikone, bën shenjën e kryqit dhe e puth atë, ky respekt dhe ky nderim nuk shkon tek materia, tek lënda nëpërmjet së cilës është bërë ikona, por kalon tek personi i ikonizuar.
E njëjta gjë ndodh kur puthim fotografinë e një të dashuri tonë të familjes, i cili mund të jetë në mërgim. Nga malli që kemi për të puthim fotografitë e tyre. Kjo është arsyeja edhe përse mbajmë fotografitë e njerëzve tanë të dashur që kanë kaluar në përjetësi dhe nuk gjenden më midis nesh. Kështu edhe ikonat shërbejnë si një dritare që na lejon të shohim qiellin dhe të komunikojmë me hyjnoren.
Në apostullin e sotëm dëgjuam Ap. Pavlin të thotë: “Edhe ne, të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmorësh… le të rendim me durim në udhën që është përpara përpara nesh, duke i drejtuar sytë tek Jisui, i cili është kreu dhe plotësonjësi i besimit” (Heb. 11:39-40). Pikërisht këtë bëjmë edhe ne orthodhoksët e rrethojmë kishën me shenjtorët e pikturuar kudo mbi mure. Ikonat të dashur besimtarë na ndihmojnë të krijojmë një atmosferë të përshtatshme lutjeje. Gjatë lutjes ne përdorim të gjitha shqisat, trupin, mendjen dhe shpirtin. Nëpërmjet ikonave të shenjta ne ndjejmë praninë e Perëndisë dhe afrohemi më shumë pranë tij.
Për më tepër ikonat e shenjta kanë edhe një funksion didaktik (mësimor). Për shumë shekuj, shkrimi dhe leximi kanë qenë privilegj vetëm i një pjese të kufizuar të shoqërisë ndërsa pjesa më e madhe ishte analfabete. Kështu ikonat luanin një rol shumë të rëndësishëm për të mësuar historinë e shpëtimit të qenies njerëzore. Majfton të futesh në një nga kishat e vjetra të Shqipërisë dhe do të shohim në afresket e këtyre kishave shumë pjesë nga Dhiata e Vjetër dhe Dhiata e Re. Pra mund të themi se ikonat janë “Ungjill me figura”. E gjithë teologjia dhe historia e Ungjillit qëndron përpara syve tanë nëpërmjet figurimit të tyre në ikonat dhe afresket e kishave.
Dhe së fundi, ikona është një dëshmi e gjallë e Mishërimit të Perëndisë. Perëndia mori trup njerëzor dhe ikonat na e kujtojnë këtë fakt. Predikimin e sotëm dua ta mbyll me një shprehje që thotë një nga personalitetet më të mëdhenj në botën e krishterë Shën Joan Damaskinit, i cili jetoi pikërisht gjatë periudhës së luftës së tmerrshme ndaj ikonave. Ai është një nga shenjtorët më të mëdhenj të kishës, një nga teologët dhe himnografët më të mëdhenj të krishtërimit dhe një nga përkrahësit më të flaktë të ikonave. Ai thotë: “Në të kaluarën, Perëndia nuk u pikturua asnjëherë. Megjithatë tani, kur Perëndia u shfaq në mish, unë mund të krijoj një ikonë të Perëndisë, të Perëndisë që mund ta shoh”. Amin.
+ Atë Spiro Kostoli