/ Predikime-Katekizma- Artikuj / E Diela e Gjithë Shenjtorëve

E Diela e Gjithë Shenjtorëve

E Diela e Gjithë Shenjtorëve

 

 

Të nderuar etër, të nderuar besimtarë!

Të dielën e sotme Kisha ua ka dedikuar të gjithë shenjtorëve në mbarë botën në të gjitha kohërat. Shenjtorët janë heronjtë e besimit. Heroizmi, guximi, paqja, gëzimi, mirësia dhe dashuria deri në sakrifikim janë treguesi më i madh i besimit të tyre ndaj Perëndisë. Vetëm tre shekujt e parë, krishterimi numëron mbi 11 milion martirë.

Apostull Pavli, në pjesën e aposullit që lexohet sot, rrëfen torturat e tmerrshme që pësuan martirët e kishës për shkak të besimit të tyre tek Krishti. “U burgosën, u vranë me gurë, u sharruan, u nganë, vdiqën prerë prej thike” (Heb.11:36-37), u prenë kokën e të gjitha këto i pësuan për dashurinë e Krishtit.

Këta shenjtorë pohuan Krishtin me fjalë, me vepra dhe me martirizimin e tyre. Të gjithë shenjtorët që kremtojmë sot, na japin një dëshmi esenciale për njerëzit e të gjithë kohërave se i takojnë Perëndisë. Dëshmia e parë vjen nga vetë Zoti Jisu Krisht, i cili erdhi në botë për të dëshmuar.

Të dashur besimtarë!

Martirizimet e të krishterëve vazhdojnë edhe sot. Mijëra të krishterë po martirizohen në kohët e sotme në vendet e Lindjes së Mesme, në Siri, Libi, Egjipt, Irak etj. Çdo ditë dëgjojmë në lajme kërcënime nga më të ndryshmet madje dhe për Ballkanin dhe vendin tonë. Pyetja e rëndësishme që shtrohet është: A jemi ne gati të bëhemi shenjtorë dhe martirë të Krishtit?!

Për 2000 vjet, Kisha është vaditur me gjakun e martirëve. Kjo është arsyeja përse ne të krishterët orthodhoksë i nderojmë dhe kujtojmë shenjtorët. Ata janë si një far orientues për të na drejtuar ne tek Perëndia.

Gjithsecili prej nesh, sot duhet të bëjë një krahasim se si jetonin këta të krishterë, që fituan kurorën e shenjtorëve dhe si jetojmë ne?!

Shenjtorët nuk nguronin të jepnin jetën e tyre për Zotin Krisht, ndërsa ne shpesh herë na vjen zor të pohojmë se jemi të krishterë ose përtojmë të vijmë në kishë për të adhuruar Perëndinë.

Shenjtorët me shembullin e tyre na frymëzojnë dhe na japin fuqi që të shpallim me guxim dhe mburrje se jemi të krishterë.

Motra e vëllezër! Të gjithë jemi të ftuar të bëhemi shenjtorë. Në çdo Liturgji Hyjnore dhe në çdo shërbesë të kishës ne lutemi: “Të Tërëshenjtën, të pacenuarën, të përmbibekuarën, të lavdëruarën Zonjën tonë Hyjlindëse dhe gjithmonë Virgjërën Mari, bashkë me të gjithë shenjtorët duke kujtuar, veten tonë dhe njëri-tjetrin dhe gjithë jetën tonë, Krishtit Perëndisë le t’ia parashtrojmë”. Kjo lutje na kujton, na drejton dhe na këshillon që ta vendosim veten tonë midis shenjtorëve dhe jetën tonë t’ia përkushtojmë Krishtit siç vepruan edhe shenjtorët.

Fatkeqësisht, shumë njerëz mendojnë se shenjtorët janë shumë ndryshe nga ne. Ata i përkasin kohëve të lashta. Ata janë njerëz të veçantë që i ka zgjedhur Perëndia t’i ketë pranë vetes. Por e vërteta është ndryshe. Ata janë (nuk them kanë qenë sepse edhe sot Perëndia ka shenjtorët e Tij që e adhurojnë) njerëz si edhe ne. Edhe ata kanë pikat e tyre të forta dhe pikat e tyre të dobëta ashtu si edhe ne. Edhe ata kanë të metat e tyre, ashtu si edhe ne. Dhe dua të sjell disa shembuj që të vërtetoj këto që po them.

Apostull Petro e mohoi Krishtin tri herë përpara se ta kryqëzonin, por u martirizua më pas.

Apostull Pavli në fillim ishte përndjekës i të krishterëve, por më pas u bë një nga apostujt më të mëdhenj të krishterimit.

Shën Maria Egjiptiane më parë ishte prostitutë, por u pendua dhe fitoi kurorën e shenjtërisë.

Shën Kipriani në fillim ishte magjistar, por u pendua dhe u bë një nga shenjtorët e Perëndisë.

Të gjithë këta mëkatuan, por u penduan dhe u shenjtëruan. Arma më e fortë e shenjtorëve nuk ishte se nuk mëkatuan, por se u penduan. Shenjtërimi arrihet kur çdo gjë të madhe ose të vogël ta bëjmë me dashuri. Shenjtërimi arrihet kur jeta jonë mbushet me hirin e Perëndisë.

Të dashur besimtarë!

Mesazhi kryesor i ditës së sotme është se të gjithë jemi të ftuar të bëhemi shenjtorë me hirin e Krishtit që na forcon. Amin.

 

Pergatitur nga At Spiro Kostoli

E Diela e Gjithë Shenjtorëve