Apostulli i të Djelës Vep:16:16-36
16 Edhe kur po vinim ne për t’u lutur, u takua me ne një shërbëtore që kishte frymë Pitoni, e cila u jepte shumë fitim zotërinjve të saj duke u rrëfyer njerëzve fatin.
17 Ajo duke shkuar pas Pavlit e nesh, bërtiste, duke thënë: Këta njerëz janë shërbëtorë të Perëndisë së lartë, të cilët na tregojnë udhën e shpëtimit.
18 Edhe këtë e bënte shumë ditë me radhë. Edhe Pavli si u rëndua, u kthye e i tha frymës: Të urdhëroj në emër të Jisu Krishtit të dalësh prej saj. Edhe doli që atë orë.
19 Edhe zotërinjtë e saj, kur panë se u humbi shpresa e fitimit të tyre, zunë Pavlin dhe Silën e i sollën në treg tek të parët.
20 Edhe si i prunë ata përpara të mëdhenjve, thanë: Këta njerëz, duke qenë Judenj, turbullojnë qytetin tonë,
21 edhe mësojnë zakone që s’është e udhës t’i pranojmë ne; as t’i bëjmë, sepse jemi Romakë.
22 Edhe turma bashkërisht u sul mbi ta, edhe të mëdhenjtë u grisën rrobat e urdhëruan t’i rrahin me shkopinj.
23 Edhe si i bënë me shumë plagë, i vunë në burg, edhe porositën rojen e burgut t’i ruajë me siguri.
24 Ky si mori një porosi të këtillë, i vuri në burgun e brendshëm e u shtrëngoi këmbët në dru.
25 Edhe në mes të natës Pavli dhe Sila luteshin e i këndonin himne Perëndisë; dhe të lidhurit u mbanin vesh atyre.
26 Edhe papandehur u bë një tërmet i madh, kaq sa u tundën themelet e burgut; edhe përnjëherë u hapën të gjitha dyert, dhe të gjithëve iu zgjidhën hekurat.
27 Edhe roja i burgut kur u zgjua, edhe pa dyert e burgut të hapura, nxori thikën e donte të vriste veten, sepse pandehte se kishin ikur të lidhurit.
28 Po Pavli thërriti me zë të madh, duke thënë: Mos i bëj ndonjë të keqe vetes sate, sepse të gjithë jemi këtu.
29 Atëherë ai kërkoi dritë e kërceu brenda, edhe duke u dridhur u ra ndër këmbë Pavlit dhe Silës.
30 Edhe si i nxori ata jashtë, tha: Zotërinj, ç’duhet të bëj unë, që të shpëtoj?
31 Edhe ata i thanë: Beso Zotin Jisu Krisht, dhe do të shpëtosh ti dhe shtëpia jote.
32 Edhe i folën fjalën e Zotit atij dhe gjithë atyre që ishin në shtëpinë e tij.
33 Edhe ai i mori me vete që në atë orë të natës e u lau plagët; edhe përnjëherë u pagëzua ai dhe gjithë të tijtë.
34 Edhe si u ngjit sipër në shtëpinë e tij, u shtroi tryezë, edhe u gëzua me gjithë shtëpinë, sepse besoi Perëndinë.
Marrë nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë