Diela III E Llukait
Ungjilli sipas Lukait 7:11-16
Apostulli: Letra e Dytë për Korinthasit 6:1-10
Të dashur besimtarë!
Ungjilli i sotëm na tregon për një ngjarje të dhimbshme, e cila u kthye në gëzim.
Historia e sotme e Ungjillit është e heshtur, pa dialog, pa paravoli, e mbushur me
keqardhje, dhimbje dhe vajtim, por edhe me fuqinë jetëdhënëse të Zotit Krisht.
Ungjillori Lluka na thotë se kur Krishti po shkonte në qytetin Nain, në hyrjen e këtij qyteti u përball me një procesion vdekjeje.
Një gruaje të ve i kish vdekur djali i saj i vetëm dhe po e përcillnin për në banesën e tij të fundit. Kur Zoti e pa këtë grua të ve, e cila po qante e vajtonte djalin e saj, i erdhi keq për të, dhe i tha: “Mos qaj”, pastaj iu afrua të vdekurit dhe i tha: “Djalosh, po të them, ngrihu” (Llk.7: 14). Dhe i vdekuri u ngrit dhe filloi të flasë dhe ia dha së ëmës.
Motra dhe vëllezër! Vdekja e njerëzve tanë të dashur gjithmonë na shkakton dhimbje dhe
vajtim, sepse njeriu nuk u krijua për të vdekur, por për të jetuar përjetësisht me Perëndinë. Por, për shkak të mosbindjes së Adamit dhe të Evës, erdhi mëkati në botë, dhe një nga pasojat e mëkatit është dhe vdekja, e cila shfaqet në dy forma: e para është prishja e marrëdhënies njeri-Perëndi, pra moskungimi dhe moskomunikimi me Perëndinë dhe e dyta është vdekja trupore.
Por, Perëndisë duke i ardhur keq për njerëzimin, nuk e braktisi njeriun, por dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindurin, që nëpërmjet vdekjes së tij mbi Kryq dhe Ngjalljes nga të vdekurit e zhvlerësoi vdekjen e parë duke pajtuar, bashkuar dhe duke rivendosur komunikimin midis njeriut dhe Perëndisë. Zoti ynë Jisu Krisht e transformoi edhe vdekjen e dytë duke qenë Ai vetë i pari, që u ngjall nga të vdekurit dhe e bëri trupin e tij të lavdëruar pjesë të jetës së përjetshme.
Vdekja është e frikshme dhe këtë nuk e vë askush në dyshim, por Krishti e shndërroi
vajtimin në lavdi, hidhërimin në gëzim dhe vdekjen në jetë. Për këtë arsye në çdo rast vajtimi dhe dhimbjeje të vdekjes, ne të krishterët nuk humbasim në errësirën e varrit, por i varrosim të dashurit tanë, të cilët ndërrojnë jetë me shpresën e ngjalljes së përbashkme të të gjithë të vdekurve.
Ne të krishterët besojmë dhe jetojmë duke ditur se kjo jetë është e përkohshme dhe se jeta e vërtetë fillon pas vdekjes sonë. Për këtë arsye themi “ndërroi jetë”, sepse besojmë se megjithëse trupi vdes dhe futet në varr, ku i nënshtrohet procesit të dekompozimit, shpirti i tij është i pavdekshëm dhe jeton në përjetësi. Për këtë arsye në shërbesën e varrimit themi “I
përjetshëm kujtimi” sepse shpirti i atyre që vdesin jeton. Prandaj për të fjeturit tanë bëjmë shërbesat e përkujtimoreve 3 ditët, 9 ditët, 40 ditët sepse besojmë se të dashurit tanë që kanë vdekur nuk kanë pushuar së ekzistuari; ata janë gjallë, por në mënyrë shpirtërore.
Kisha, trupi i gjallë i Krishtit ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë quhet “Kisha Triumfale”
dhe në të bëjnë pjesë të gjithë ata njerëz që kanë ndërruar jetë dhe kanë fituar kurorën e
shenjtorit dhe që ne i quajmë shenjtorë. Dhe pjesa e dytë quhet “Kisha Militante” që jemi ne të gjallët që përpiqemi të bëhemi pjesë e Kishës Triumfale.
Kisha është uniteti i gjithë të krishterëve, të gjallë e të fjetur. Prandaj në çdo Liturgji
Hyjnore në Kungatën e shenjtë veç të gjallëve kujtojmë edhe të fjeturit sepse besojmë se ata janë gjallë shpirtërisht.
Për këtë arsye i falemi të Tërëshenjtës dhe shenjtorëve dhe kërkojmë ndërmjetimet e tyre. Prandaj shenjtorëve u bëjmë ikona të ndritshme për të treguar lavdinë dhe shenjtërimin që fituan në jetën e përjetshme duke u bërë qytetarë të Parajsës. Prandaj i respektojmë, i nderojmë dhe u falemi sepse janë gjallë dhe i luten Perëndisë për shpëtimin tonë. Në Kishë nuk i falemi mureve, drurit apo karrigeve, por i falemi Krishtit të ngjallur dhe shenjtorëve që kanë marrë kurorën e lavdisë së tij.
Apostull Pavli na shpall se nëse nuk do të besonim në Ngjallje, atëherë besimi ynë është i kotë.
Motra e vëllezër! Ne të krishterët këtë besojmë dhe këtë themi edhe në çdo Liturgji
Hyjnore në Simbolin e Besimit: “Pres ngjalljen e të vdekurve dhe jetën e ardhshme të amëshuar”. Amin.
Atë Spiro Kostoli