/ Predikime-Katekizma- Artikuj / E Diela 13 e Mattheut

E Diela 13 e Mattheut

E Diela 13 e Mattheut

 

 

Të nderuar besimtarë!

Me fillimin e muajit Shtator, fillon edhe Viti i Ri Kishtar ku Kisha e shenjtë kujton të kremtet dhe festat e Zotit, Hyjlindëses dhe të shenjtorëve të saj. Me pak fjalë mund të themi se Viti Kishtar është një kalendar që na kujton historinë e shpëtimit të gjinisë njerëzore dhe heronjtë e besimit tonë të krishterë që fituan kurorën e shenjtërisë dhe përbëjnë një shembull të gjallë për ne për t’i ndjekur.
Këtë të diel të parë të Vitit të Ri Kishtar, na jepet një paravoli shumë e rëndësishme e shkëputur nga Ungjilli sipas Mattheut, ajo e vreshtarëve të këqinj.
Një pronar mbolli një vresht dhe ua besoi atë disa vreshtarëve. Më pas shkoi në një vend të largët dhe kohë pas kohe dërgonte shërbëtorë për të marrë pjesën e prodhimit që i takonte atij. Por vreshtarët i keqtrajtuan shërbëtorët duke i rrahur, madje edhe duke i vrarë. Përballë kësaj situate, pronari vendos të dërgojë birin e tij duke menduar se vreshtarët do të kishin respekt për të. Por ndodhi e kundërta; këta vreshtarë të këqinj vendosën që ta vrasin birin e pronarit duke menduar se prona do të mbetej e tyre.
Nëpërmjet kësaj paravolie, Krishti sulmon në mënyrë të drejtpërdrejtë udhëheqësit fetarë judenj, të cilët gjatë historisë së popullit të Izraelit i kanë keqtrajtuar e i kanë vrarë të gjithë profetët që Perëndia i ka dërguar këtij populli kohë pas kohe. Dhe në mënyrë profetike, Krishti profetizon edhe fundin e tij.
Të dashur motra e vëllezër!
Kjo paravoli edhe sot është aktuale. Ajo ka lidhje me secilin prej nesh. Nëse nuk do ta shohim me këtë këndvështrim, atëhere kemi harruar edhe qëllimin e Vitit Liturgjik, i cili është afrimi ynë me Perëndinë. Kur dëgjojmë këtë pjesë të Ungjillit, duhet t’i bëjmë vetes këtë pyetje: A jemi ne vreshtarë të mirë, apo vreshtarë të këqinj?
Secilit prej nesh, Perëndia i ka dhënë një “vresht” për t’u kujdesur. Vreshti simbolizon angazhimet dhe përgjegjësitë tona. Dikush duhet të kujdeset për një të sëmurë që ka në shtëpi; dikush tjetër për prindërit e moshuar e të pamundur; dikush tjetër për një të paralizuar; dikush tjetër për një fëmijë problematik e të pabindur e kështu me radhë secilit prej nesh Perëndia i ka dhënë diçka për t’u përkujdesur në jetë. Nëpërmjet këtij kujdesi, Perëndia na vlerëson dhe kërkon prej nesh pjesën e tij.
Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? Ai kërkon dashuri, dashuri për Perëndinë dhe për të afërmin tonë; kërkon përpjekje, sakrificë. Pikërisht këto janë frytet e vreshtit që Perëndia na ka besuar.
Po ne, a kemi qenë besnikë për t’i dhënë Perëndisë pjesën që i takon? Apo i kemi injoruar të dërguarit e tij që vijnë për të na kujtuar përgjegjësitë tona? Këta të dërguar na vijnë nëpërmjet kalendarit liturgjik. Janë shenjtorët e kishës, të cilët me jetën dhe shembullin e tyre na kujtojnë përgjegjësitë që kemi për të përmbushur.
Të dashur besimtarë!
Ndërkohë që fillojmë Vitin e Ri Liturgjik Kishtar, le të përpiqemi që të përjetojmë dhe të marrim mesazhet e duhura nga çdo e kremte, në mënyrë që të mund të mbledhim frytet e Shpirtit të Shenjtë që janë dashuri, gëzim, paqe, zemërgjerësi, ëmbëlsi, mirësi, besnikëri, butësi dhe vetëpërmbajtje (Gal.5:22-23). Amin.

 

 

 

Përgatitur nga At Spiro Kostoli