/ Predikime-Katekizma- Artikuj / E Diela II e Kreshmëve

E Diela II e Kreshmëve

E Diela II e Kreshmëve

 

“O bir, mëkatet e tua të janë falur” (Mk.2:5).

Kjo frazë është një nga thëniet më të fuqishme të Zotit tonë Jisu Krisht gjatë misionit të tij. E ndërsa jemi në rrugëtimin tonë drejt Pashkës së Madhe për tu takuar me Krishtin e ngjallur, pjesa e ungjillit të sotëm, të dielën e dytë të kreshmëve, na jep disa mesazhe shumë të rëndësishme.

Ngjarjet zhvillohen në Kapernaum. Krishti ishte në një shtëpi i rrethuar nga një shumicë e madhe njerëzish për të dëgjuar predikimin e tij. Në këtë kohë i sjellin një të paralizuar të lidhur në një barrelë dhe meqenëse nuk kishin mundësi ta futnin nga dera, hapën një vrimë në çati dhe e zbritën në këmbët e Jisuit. Dhe Jisui kur pa besimin e tyre, i thotë të paralizuarit: “O bir, mëkatet e tua të janë falur”.

Gjëja e parë që vëmë re në këtë frazë është fjala “mëkat”. Por çfarë është mëkati? Shumë njerëz mendojnë se mëkati është kur bëjmë ndonjë vepër të keqe, ose kur shkelim ndonjë nga porositë e Perëndisë. Por mëkati është më tepër se kaq.

Mëkat do të thotë të mos qëllosh në shenjë. Mëkat do të thotë edhe kur me ndërgjegjen tonë nuk i zbatojmë porositë e Perëndisë. Mëkat është edhe kur bëjmë një gabim nga padija, por mëkatojmë edhe kur nuk bëjmë diçka që duhet ta bëjmë. Dhe së fundi mëkat është dhe shfrytëzimi i pjesshëm i potencialit tonë.

Gjëja e dytë që vëmë re në frazën “O bir, mëkatet e tua të janë falur” është se Krishti i fali mëkatet të paralizuarit. Ky fakt u bëri përshtypje edhe disa skribëve (njohësit dhe interpretuesit e ligjit judaik), të cilët po mendonin në zemër të vet “Pse vallë ky po flet balsfemi. Kush mund të falë mëkatet, veç Perëndisë?” (Mk.2:7). Hebrenjtë dyshonin në Hyjninë e Jisu Krishtit dhe e akuzonin Krishtin sepse ata besonin se Perëndia, i cili është i vetmi që mund të falë mëkatet, ishte ndëshkues, gjykatës i mëkatarëve, hakmarrës i të padrejtëve dhe i të paligjve. Ata e konsideronin veten si skllevër të mëkatit. Por Krishti e mundi mëkatin dhe tregoi se Perëndia është Perëndi i Dashurisë dhe i paqes.

Këtu Zoti Krisht i prezanton njerëzve natyrën e tij Hyjnore. Ai po na tregon se është Biri i Perëndisë. Dhe këtë pohim Ai e bën vazhdimisht gjatë misionit të tij: kur u pagëzua dhe Shpirti i Shenjtë erdhi mbi të në formën e pëllumbit dhe u dëgjua një zë nga qielli që thoshte: “Ky është Biri im i dashur, që e kam pëlqyer” (Mt.3:16); kur ngjalli Llazarin që kishte vdekur që prej katër ditësh; kur eci mbi det ose dhe kur qetësoi stuhinë. Këto mrekulli dhe shumë të tjera që bëri Krishti gjatë misionit të tij mbi tokë vërtetojnë natyrën e tij hyjnore.

Shumë udhëheqës fetarë në mbarë botën u përpoqën që të tregojnë rrugën e drejtë, ose t’u mësojnë njerëzve të vërtetën për jetën dhe për Perëndinë. Por Krishti është i vetmi që tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta” (Jn. 14:6) dhe këtë e vërtetoi nëpërmjet mrekullive që bëri dhe vazhdon të bëjë tek të gjithë ata që besojnë tek Ai me të vërtetë.

Gjëja e tretë që vëmë re në pjesën e Ungjillit të sotëm është se Jisui kuptoi në frymën e vet se skribët po mendonin këto fjalë në zemrën e tyre. Këtu del shumë qartë në pah dituria e përmbinatyrshme e Zotit Krisht. Fryma e Zotit depërton në thellësinë e mendimeve të njerëzve. Asgjë nuk është e panjohur për atë.

E duke njohur mendimet e tyre, thotë: “Çfarë është më e lehtë t’i thuash të paralizuarit: “Mëkatet e tua të janë falur”, apo t’i thuash: “Çohu, merre vigun tënd dhe ec”? Por ta dini – thotë Zoti Krisht – se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet” (Mk.2:9-10).

Pas kësaj Krishti i thotë të paralizuarit të marrë vigun mbi të cilin ishte lidhur dhe të shkojë në shtëpinë e tij. Dhe në praninë e të gjithëve ndodhi mrekullia: i paralizuari ndjeu përsëri këmbët e tij të forcohen, ndjen gjakun të rrjedhë nëpër damarët e tij. Kështu ai merr fuqi, ngrihet dhe fillon të ecë.

Ndërkohë të gjithë të pranishmit u habitën kur panë këtë mrekulli dhe lavdëruan Perëndinë duke thënë: “Një gjë të tillë nuk e kemi parë kurrë” (Mk.2:12).

Të dashur besimtarë: Ungjilli i sotëm përbën një mësim shumë të rëndësishëm për jetën tonë dhe na paraqet disa të vërteta, të cilat u bënë përpara njerëzve, një pjesë e të cilëve ishin edhe kundërshtarë të tij e nuk e donin, por që ishin dëshmitarë okularë të këtyre ngjarjeve.

Zoti Krisht me diturinë e tij hyjnore, me mrekullitë që bëri, me mësimin e tij të jashtëzakonshëm që transformoi të gjithë botën, dëshmojnë fuqishëm për natyrën e tij hyjnore.

Krishti është Udha, e Vërteta dhe Jeta. Dhe ne të gjithë ftohemi që ta ndjekim atë gjatë jetës sonë. Amin.

 

Përgatitur nga At. SPIRO KOSTOLI

 

E Diela II e Kreshmëve