E Diela II e Llukait
“Siç doni t’ju bëjnë juve njerëzit, edhe ju bëjuni atyre po ashtu” (Llk.6:31). I qartë dhe me mesazhe të forta vjen sot, të nderuar besimtarë, ungjilli i ditës i shkëputur nga Ungjilli sipas Llukait. Mesazhi kryesor që na përcillet sot është Dashuria.
Shkrimi i Shenjtë na mëson se njeriu u krijua sipas ikonës dhe ngjashmërisë së Perëndisë. Kjo do të thotë se ne pjesë të karakterit tonë kemi cilësi të Perëndisë si liria, vullneti për të zgjedhur, dashuria etj.
Gjithashtu Shkrimi i Shenjtë na mëson se Perëndia është Dashuri. E meqenëse njeriu është krijuar sipas ikonës e ngjashmërisë së Perëndisë edhe njeriu duhet të dojë. Nëse Perëndia banon brenda nesh, ne nuk do të urrenim askënd, por do t’i donim të gjithë pa dallim.
Dashuria të dashur vëllezër është mesazhi kryesor i gjithë Ungjillit. Nga Dashuria, Perëndia krijoi botën; nga Dashuria, Perëndia dha Birin e Tij të vetëmlindurin; nga Dashuria, Krishti u sakrifikua mbi drurin e Kryqit për të shpëtuar të gjithë njerëzit nga mëkati dhe vdekja.
Edhe sot, Krishti na kujton: “Edhe në daçi ata që ju duan, çfarë hiri keni ju? Sepse edhe mëkatarët duan ata që i duan. Edhe në u bëfshi mirë atyre që ju bëjnë mirë juve, çfarë hiri keni ju? Sepse edhe mëkatarët po atë bëjnë. Edhe nëse u jepni hua atyre, prej të cilëve shpresoni t’i merrni prapë, çfarë hiri keni ju? Sepse edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që t’i marrin prapë një nga një” (Llk.6:32-34).
Mesazhi i Zotit vjen pa devijime, pa nënkuptime, jo tërthorazi, por i drejtpërdrejtë. Ai na thotë shumë qartë, që jo vetëm të duam të gjithë ata që na duan, por “duajini armiqtë tuaj, dhe bëni mirë, dhe jepni hua, pa pasur ndonjë shpresë më” (Llk.6:35).
Dikush me të drejtë mund të pyesë: si mund të duam dikë që na ka bërë padrejtësi?!
Sigurisht, që nuk është e thjeshtë dhe kjo është e pamundur të arrihet për një ditë, një javë apo një muaj. Nevojitet përpjekje e vazhdueshme, shumë lutje, frekuentim i rregullt i kishës, pjesëmarrje në misteret e shenjta të kishës dhe mbi të gjitha të kërkojmë hirin dhe fuqinë e Perëndisë, që dikush të arrijë të dojë të gjithë njerëzit pa përjashtim, madje dhe armikun e tij.
Realiteti i sotëm është i dhimbshëm. Fatkeqësisht disa herë armiqtë tanë me të cilët nuk flasim janë të afërmit tanë, komshinjtë, kushërinjtë e më keq akoma motrat, vëllezërit dhe anëtarët e familjes.
Sado të drejtë të kemi, sado padrejtësi të na jetë bërë, ne jemi ftuar të duam e të ofrojmë dashuri sepse jemi krijuar të tillë nga Perëndia “dhe atëherë paga juaj do të jetë e shumtë, dhe do të jeni bijtë e të Lartit” (Llk.6:35) na siguron Ungjilli, Fjala e shenjtë e Zotit.
“Bëhuni pra përdëllimtarë, sikurse dhe ati juaj është përdëllimtar” (Llk.6:36).
Gjithashtu sot, të dashur motra e vëllezër, kremtojmë Shën Joan Kukuzelin, i cili ishte nga Durrësi. Siç kemi thënë edhe herë të tjera, ne të krishterët orthodhoksë i nderojmë shenjtorët dhe përpiqemi të ndjekim shembullin e tyre për të fituar edhe Mbretërinë e Qiejve. Jeta dhe shembulli i Shën Joanit na japin një ndihmë të madhe për të kuptuar përparësitë që duhet të ketë njeriu gjatë jetës së tij.
Shën Joani lindi në Durrës, por u shkollua në Konstandinopojë (kryeqyteti i Perandorisë Bizantine). Aty arriti të bëhej një nga personalitetet më të mëdhenj të qytetit. Ishte dirigjenti i oborrit perandorak dhe Protopsalt i Kishës së Shën Sofisë. Gjithashtu ai njihet si një nga reformatorët më të mëdhenj të Muzikës Bizantine Kishtare dhe konsiderohet si burimi i dytë i saj përsa i përket sistemimit dhe mënyrës së shkrimit të saj. Ka kompozuar shumë himne kishtare që psalen edhe sot në kishë. Ai jetonte në mes të luksit të aristokracisë së Kostandinopojës.
Por brenda tij diçka tjetër kishte më shumë rëndësi. Ai donte më shumë Perëndinë dhe dëshironte që jetën e tij t’ia kushtonte Perëndisë. Prandaj merr vendim dhe largohet fshehurazi nga Kon/poja e ikën në Malin e Shenjtë duke u bërë murg në manastirin e Lavrës së Madhe. Për të ruajtur përulësinë që stoliste shpirtin e tij, prezantohet si bari dhensh dhe jo kush ishte në të vërtetë, por shumë shpejt e zbuluan se kush ishte dhe e vendosën të drejtonte psaltirin në kishën e manastirit.
Mundimet që i shkaktonte vetes si edhe zelli për muzikën u shpërblyen nëpërmjet një vizite qiellore. Sipas traditës në një panihidë të Shtunën e pestë të kreshmëve, kur psalej Himni Akathist, pas përfundimit të kanonit, Joani shumë i lodhur nga agripnia e zë gjumi në ndenjëse dhe pasi u zgjua gjen në dorën e tij dhuratën e Hyjlindëses, një monedhë të artë, e cila gjendet në ikonën e Hyjlindëses në Kishën e Lavrës së Madhe. Joani me një zell të patreguar për psalmodinë shërbeu duke psalur çdo ditë në Kishë dhe si rrjedhojë këmbët iu gangrenizuan nga qëndrimi i vazhdueshëm në këmbë gjatë të të psalurit në Kishë, por edhe këmbët ia shëroi Hyjlindësja e tërëshenjtë. Joani i habiste të gjithë për artin dhe ëmbëlsinë e zërit dhe të pamjes së tij të bukur. U bë pjesë e korit të shenjtorëve të Kishës dhe kujtimi i tij kremtohet sot më 1 tetor.
Shën Joani me shembullin e tij na tregon se përparësi në jetën e çdo besimtari duhet të ketë Zoti. Kur ne duam Perëndinë mund të duam edhe të tjerët. Ai kaq shumë e deshi Zotin sa braktisi të mirat dhe luksin e kësaj bote dhe u bë murg duke fituar kurorën e shenjtorit. Shën Joani zbatoi me përpikmëri mesazhin e ungjillit të sotëm që të duam Perëndinë dhe njerëzit e tjerë dhe për këtë fitoi thesare lart në qiell.
Le të jetë një shembull i gjallë për të gjithë ne jeta e tij dhe le t’i lutemi që të ndërmjetojë përpara Perëndisë që të na falë Dashuri që të duam pa kushte në mënyrë që të bëhemi edhe bijtë e të Lartit. Amin.