/ Predikime-Katekizma- Artikuj / E diela II Kreshmëve

E diela II Kreshmëve

E diela II Kreshmëve

 

Kudo ku shkonte Zoti Krisht e ndiqnin turma të mëdha njerëzish, për të dëgjuar predikimin e tij dhe për të parë mrekullitë që bënte.
Sot është e diela II e kreshmëve dhe Kisha e shenjtë nëpërmjet kalendarit të saj kremtues na sjell një mrekulli që Zoti Krisht bëri në Kapernaum.
Krishti ndodhej në një shtëpi dhe predikonte. Dhoma, korridori, hyrja e shtëpisë dhe oborri ishin plot me njerëz të ndryshëm, bujqër, peshkatarë, të rinj, të moshuar, të pasur, të varfër, por kishte edhe nga shtresat e larta të shoqërisë në Izrael, priftërinj, farisenj, shkrues etj. Të gjithë të pasur e të varfër, të shkolluar e të pashkolluar dëshironin të shihnin nga afër Krishtin dhe të dëgjonin fjalët e tij. Disa e dëgjonin nga besimi, disa të tjerë nga kureshtja, disa nga interesi e disa të tjerë për ta kritikuar e për ta akuzuar.
Në mes të një shumice të tillë Zoti Krisht kreu një nga mrekullitë e tij të shumta. Dhe gjatë kësaj mrekullie Ai shpalli një nga pohimet më të fuqishme të misionit të tij.
Kur ishte duke predikuar, papritur një zhurmë e çuditshme dëgjohet nga çatia e shtëpisë, nga e cila filloi të duket drita e diellit. Disa njerëz, duke mos mundur të hynin nga dera brenda në shtëpi për shkak të turmës, hapën një të çarë në çati dhe nga aty zbritën një të paralizuar të lidhur në një shtrat dhe e vendosën aty ku ishte Krishti. Heshtja pushtoi të gjithë të pranishmit dhe të gjithë prisnin se çfarë do të bënte Krishti.
Atëherë Zoti kur pa besimin e tyre i thotë të paralizuarit “Bir, t’u falën mëkatet e tua” (Mk.2:5). Ky pohim i Krishtit i habiti në mënyrë të veçantë shkruesit, të cilët menduan në zemrat e tyre: “Ç’flet ku kështu blasfemira? Cili mund të falë mëkate, përveçse një, Perëndia?” (Mk.2:7).
Të dashur besimtarë: sot do të flasim për tre çështje që lidhen me pjesën e sotme të ungjillit.
Gjëja e parë që vëmë re në pjesën e ungjillit të sotëm është fjala “mëkat”. Por çfarë është mëkati? Shumë njerëz mendojnë se mëkati është kur bëjmë ndonjë vepër të keqe, ose kur shkelim ndonjë nga porositë e Perëndisë. Por mëkati është më tepër se kaq.
Mëkat do të thotë të mos qëllosh në shenjë. Mëkat do të thotë edhe kur me ndërgjegjen tonë nuk i zbatojmë porositë e Perëndisë. Mëkat është edhe kur bëjmë një gabim nga padija, por mëkatojmë edhe kur nuk bëjmë diçka që duhet ta bëjmë. Dhe së fundi mëkat është dhe shfrytëzimi i pjesshëm i potencialit tonë.
Kur mëkatoi Adami dhe Eva u larguan nga Perëndia, u dëbuan nga Parajsa dhe u bënë pre e mundimeve, të sëmundjeve dhe në fund iu nënshtruan vdekjes. Kështu edhe kur mëkatojmë largohemi nga Perëndia.
Gjëja e dytë që vëmë re në pjesën e ungjillit të sotëm është fjala që Krishti i thotë të paralizuarit: “Bir, t’u falën mëkatet e tua” (Mk.2:5).
Populli i Izraelit kishte krijuar në mendjen e tij një Perëndi ndëshkues, gjykatës të rreptë dhe hakmarrës ndaj të paligjëve. Por Zoti Krisht erdhi dhe predikoi Perëndinë e dashurisë, të paqes, të mëshirës, të dhembshurisë, që i do të gjithë njerëzit dhe jo vetëm kaq; Krishti gjatë kësaj mrekullie shpalli se ishte vetë Perëndia që kishte ardhur midis njerëzve për të shëruar njeriun nga mëkati dhe për ta çliruar nga prangat e vdekjes.
Gjëja e tretë që vëmë re në pjesën e Ungjillit të sotëm është se Jisui kuptoi në frymën e vet se skribët po mendonin këto fjalë në zemrën e tyre. Këtu del shumë qartë në pah dituria e përmbinatyrshme e Zotit Krisht. Fryma e Zotit depërton në thellësinë e mendimeve të njerëzve. Asgjë nuk është e panjohur për atë.
E duke njohur mendimet e tyre, thotë: “Çfarë është më e lehtë t’i thuash të paralizuarit: Mëkatet e tua të janë falur, apo t’i thuash: Çohu, merre vigun tënd dhe ec? Por ta dini – thotë Zoti Krisht – se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet” (Mk.2:9-10).
Motra e vëllezër!
Ashtu si atëherë kur Zoti Krisht predikonte, shtëpia ishte e mbushur plot me njerëz edhe sot Zoti na fton në Kishë dhe na flet nëpërmjet fjalës së Ungjillit; edhe sot Kisha mbushet me njerëz të ndryshëm priftërinj, teologë, të rinj, të moshuar, intelektualë dhe disa e dëgjojnë fjalën e Zotit me besim, disa e dëgjojnë nga kureshtja, disa nga interesi e disa për ta gjykuar.
Ashtu si atëherë vetëm ai i sëmurë që vuante trupërisht e shpirtërisht e kërkoi Zotin me këmbëngulje dhe të pamundurat i bëri të mundura për të takuar Zotin mori si shpërblim edhe shërimin e trupit edhe ndjesën e mëkateve, kështu edhe sot Zoti u vjen në ndihmë atyre që e konsiderojnë veten e tyre të sëmurë dhe që kërkojnë me çdo mënyrë të takohen me Zotin do të marrin si shpërblim hirin e shërimit dhe ndjesën e mëkateve.
Zoti Krisht me diturinë e tij hyjnore, me mrekullitë që bëri, me mësimin e tij të jashtëzakonshëm që transformoi të gjithë botën, dëshmojnë fuqishëm për natyrën e tij hyjnore.
Krishti është “Udha, e Vërteta dhe Jeta” (Jn. 14:6) dhe ne të gjithë ftohemi që ta ndjekim atë gjatë jetës sonë. Amin.

 

Përgatitur nga At Spiro Kostoli

 

E diela II Kreshmëve