E Diela I Llukait
Kjo e diel e parë e Llukait na flet për thirrjen e nxënësve të parë të Zotit. Gjithashtu na jep disa udhëzime shumë të rëndësishme në lidhje me jetën shpirtërore dhe sociale të njeriut.
Turma të mëdha njerëzish ndiqnin Krishtin për të dëgjuar fjalën e Perëndisë (Llk.5:1). Ky është elementi i parë që vëmë re në pjesën e Ungjillit të sotëm.
Të dashur besimtarë: në radhë të parë ndryshe nga disa besime të tjera fetare, besimi ynë i krishterë nuk u përhap nëpërmjet dhunës, por nëpërmjet predikimit dhe fjalës; në radhë të dytë shohim nevojën që ka qenia dhe shpirti njerëzor komunikimin me Zotin. Shën Agustini thotë se “Shpirti ynë nuk ka për të gjetur kurrë prehje, veçse kur të prehet tek Perëndia”.
Të gjithë ne jemi dëshmitarë se çfarë pasojash tragjike pati në vendin tonë mungesa e fjalës së Perëndisë gjatë periudhës së errët të komunizmit. Jo vetëm atëherë, por edhe sot shohim se njerëzit rendin pas pushtetit e parasë për të gjetur prehjen e shpirtit, por kjo prehje gjendet vetëm pranë Perëndisë.
Kur ndodh një problem ose vështirësi, atëherë kujtohemi t’i drejtohemi Perëndisë, por komunikimi dhe njohja e Perëndisë nuk bëhet në një moment. Njohja e Perëndisë është një proces, i cili fillon me dëshirën tonë për të njohur Krishtin dhe njohja e Tij fillon me besimin tek Ai. Sipas masës së besimit vjen njohja.
Më pas, Ungjilli i sotëm na tregon një varg reaksionesh zinxhir që ndodhën me Krishtin dhe nxënësit e tij.
Përpara takimit me Zotin Krisht, Petro dhe apostujt e tjerë, megjithse kishin punuar gjithë natën, nuk kishin zënë peshq. Në mënyrë alegorike jeta e tyre, por edhe jeta jonë para takimit me Zotin është bosh, sado të përpiqet njeriu që ta mbushë me gjëra të tjera.
Pas takimit me Zotin Krisht, varkat u mbushën plot dhe jeta e tyre ndryshoi 100%. Kur ndryshon jeta jonë?
Jeta jonë ndryshon kur bëjmë Bindje tek Krishti. Marrim shembullin e Petros. Ai hodhi poshtë egoizmin dhe këmbënguljen e tij, nga të cilat kishte dalë bosh dhe e dorëzoi veten e tij në dorën e Perëndisë; ai e vari shpresën e tij tek Perëndia. Dhe ky veprim dha frytet e tij menjëherë. Zunë aq peshq, sa thirrën për ndihmë varkën tjetër dhe të dyja varkat u mbushën plot.
Edhe ne, po të hedhim poshtë egoizmin që na shkatërron dhe ta lëmë veten dhe shpresën tonë në duart e Perëndisë do të mbushemi me hirin e Tij, aq shumë sa do të kërkojmë që këtë hir ta ndajmë me të tjerët. Thirrja e varkës tjetër për të mbajtur peshqit na thotë që besimin dhe hirin e Perëndisë nuk duhet ta mbajmë vetëm për veten tonë, por këtë besim duhet ta ndajmë me njerëzit e tjerë që edhe ata të shijojnë mirësitë e Perëndisë.
Kur ne e zbrazim veten tonë, kur ne largojmë egoizmin tonë, kur ne kuptojmë se pa Perëndisë jemi asgjë – siç veproi Petro, i cili kur pa këtë mrekulli i tha Krishtit: “Dil prej meje, Zot, sepse jam njeri mëkatar” (Llk.5:8) – atëherë Zoti mbush shpirtin tonë me hirin e tij dhe shpirti ynë ngushëllohet dhe gjen prehjen e duhur. Vetëm kur zbrazi veten e tij dhe u dorëzua në duart e Perëndisë, Krishti iu përgjegj Petros dhe i tha: “Mos ki frikë, se që nga tani do të zësh njerëz” (Llk.5:10).
Ungjilli i sotëm, të nderuar besimtarë, na tregon fuqinë transformuese të fjalës së Perëndisë; na tregon se shpirti njerëzor ka nevojë për Perëndinë që të gjejë prehje dhe të mbushet me hirin e tij; shohim pushtetin që Ai ka mbi natyrën; shohim se Ai kërkon sinergjinë (bashkëpunimin) tonë që të besojmë tek Ai pa dyshim, pa hezitim, pa frikë. Ai kërkon prej nesh të zbrazim veten tonë dhe këtë boshllëk ta mbushë me hirin e tij jetëdhënës. Kur ne e ulim veten tonë, Ai na gre lart siç ngriti ata peshkatarë të pashkollë, të cilët tronditën themelet e botës dhe e transformuan atë pasi u mbushën me hirin e Shpirit të Shenjtë duke e ndarë me të tjerët me jetën e tyre, me shembullin e tyre dhe me veprën e tyre. Amin.