E DIELA PARA KRISHTLINDJEVE
Ja Krishti lind lavdërojeni!
Këto fjalë të këngës së parë të Zbritësoreve të Krishtlindjeve janë refreni që përsëritet
vazhdimisht këto ditë festive ku njerëzit dhe gjithë krijesa buzëqeshin mistershëm. Të gjithë
ne përpiqemi që këto festa t’i kremtojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Rregullojmë
dhe zbukurojmë shtëpitë, bëjmë pazar, gatuajmë ushqime të ndryshme dhe të shijshme, disa
të tjerë mund të shkojnë edhe diku me pushime. Të gjitha këto janë të bukura, por nuk
mjaftojnë për të pritur Krishtin që vjen të lindë për shpëtimin tonë.
Krishtlindjet dhe të gjitha festat e tjera pikësëpari janë festa kishtare dhe si të tilla
duhet të përjetohen nga ana shpirtërore fillimisht. Kisha këtë periudhë të shenjtë e ka veshur
me himne dhe tropare të mrekullueshme që mbulojnë një periudhë nga 20 dhjetori deri më
31 dhjetor. Me anën e krijimeve të saj poetike, Kisha shpreh veprën dhe madhështinë e
Krijuesit. Madhështia poetike dhe thellësia teologjike e himnologjisë janë të gërshetuara në
mënyrë të përsosur me njëra-tjetrën. Si pasojë e këtij gërshetimi, populli shpresëtar i
Perëndisë merr mesazhin e shpëtimit.
Në predikimin e sotëm dua që së bashku të bëjmë një udhëtim shpirtëror në Betlehem
për të takuar Zotin që lindi në një grazhd të thjeshtë për shpëtimin tonë.
Misteri dhe qëllimi i mishërimit
Misteri i mishërimit ekzistonte gjithmonë dhe në mënyrë të pandërprerë në vullnetin e
Atit. “Që prej themelimit të botës, Zoti Jisu Krisht kishte vendosur për shpëtimin e njerë zve me
gjakun e tij të çmuar” – thotë apostull Petro. Ndërsa njerëzimi zhytej në mëkat, Perëndia me një
qartësi të madhe, e mbante shpresën Mesianike duke zbuluar me anë të profetëve misterin e
Mesisë që do të vinte. Ja si e shpreh himnografi këtë premtim: “Ajo që u paracaktua prej Atit
përpara jetëve, dhe u parapredikua prej profetëve në lashtësi, misteri, i cili u shfaq dhe Perëndia u bë
njeri, duke marrë mish prej Virgjëreshës me vullnetin e tij”.
Mënyra e mishërimit
Arsyeja e mishërimit të fjalës së Perëndisë mund të shpjegohet teologjikisht, por
mënyra e mishërimit vazhdon të jetë e pashpjegueshme logjikisht si nga ana teologjike ashtu
edhe nga ajo himnografike. Zbulesa hyjnore dëshmon se Perëndia u shfaq në mish, por ajo
nuk e shpjegon këtë proces të mistershëm, prandaj dhe himnografi thotë: “Mister të çuditshëm
shikoj dhe s’e marr dot vesh”. Misteri i mishërimit, i cili “na u shfaq”, është i madh dhe i
pashpjegueshëm për logjikën njerëzore. Për këtë arsye himnografi thekson: “Misteri nuk
mund të shpjegohet, por të gjithë me besë le ta lavdërojmë”.
I mishëruari është Perëndi i përkryer dhe Njeri i përkryer
Sigurisht, Fjala e Perëndisë që u mishërua është Perëndi i përkryer dhe Njeri i
përkryer. Me misterin e mishërimit, lidhen në mënyrë të pandarë nga njëra-tjetra, këto dy
dogma Kristologjike: e para është Hyjnishmëria e Krishtit dhe e dyta është Njerishmëria e Tij.
Sinodi IV Ekumenik në Kalqedoni, dogmatizoi se Krishti është një “person” ose një
“hipostazë” “me dy natyra, të papërziera, të pandryshuara, të pandara dhe të paveçuara”. Perëndia
Fjalë duke u mishëruar nuk pushon së qenuri personi i dytë i Trinisë së Shenjtë në “gjirin e
Atit”. Këtë mësim dogmatik e theksojnë edhe disa nga vargjet e mëposhtme: “I njëqenshëm me
Atin, duke qenë nga esenca hyjnore, i njëjtë me njerëzit u bëre duke u mishëruar, O Krisht Perëndi”
dhe “Duke mos u larguar nga gjiri i Atit të mishëruar e pamë në gjirin tënd duke qëndruar si foshnjë,
o e tërëkulluar”.
Roli i Hyjlindëses në Misterin e Mishërimit
Lindja e Zotit Jisu Krisht, lidhet ngushtë me personin e Hyjlindëses së shenjtë dhe
sigurisht që edhe në himnologjinë e Kishës, vendin më të rëndësishëm pas Krishtit e zë e
Tërëshenjta Mari. Karakteri hyjnor i lindjes së Shpëtimtarit, tregohet veçanërisht në faktin që
Virgjëresha mbeti e virgjër edhe pas lindjes. Ky fakt na është dhënë, por nuk na është zbuluar
se në ç’mënyrë ka ndodhur. Madje përballë këtij misteri edhe vetë Hyjlindësja mahnitet. Këtë
mahnitje himnografi e shpreh: “Pse çuditesh Mariam, përmbi çudinë që të ngjan?” dhe
Hyjlindësja e Tërëshenjtë i përgjigjet: “Perëndinë që s’ka mot brenda në mot e linda sot, dhe nuk e
mora vesh kë të ngjarje përgjigjet. Burrë nuk kam edhe një bir si do të lind? Bir të lindur virgjërisht,
cili ka parë gjer tani…?. Në vazhdim, himnografi jep të vetmen përgjigje të kapshme dhe të
kuptueshme për mendjen njerëzore:“Por, kur do Zoti ligjet e natyrës përmbysen. Na lindi Krishti
prej Virgjëreshës në Betlehem të Judesë”.
Krijesa përballë misterit të mishërimit
Nëse do të vazhdonim të përmendnim Josifin, magët, barinjtë, mbretin Irod dhe rolin
e tyre në lindjen e Zotit Krisht do të na duhej shumë kohë akoma, por dua të ndalem pak se
si e përjetoi krijesa misterin e mishërimit të shpëtimtarit.
Në gëzimin e lindjes trupore të Fjalës së Perëndisë, mori pjesë e gjithë krijesa. Gëzimi
dhe ngazëllimi i zemrave për pritjen dhe shpresën, arriti kulmin si gjatë lindjes së
Shpëtimtarit, ashtu edhe pas saj. Për këtë himnografi thotë: “toka hedh valle… kur ndjen
kontaktin hyjnor” dhe “e gjithë toka duke parë mbërritjen e Zotit, ngazëllehet”. “Të gjitha mbushen
sot me gaz se Krishti lindet prej Virgjëreshës”. Në të gjithë himnologjinë e Kishës në përgjithësi,
vëmë re se përdoret gjithmonë kohën e tashme të foljeve, duke na bërë të qartë se misteri i
shpëtimit të njeriut është i njëjti si atëherë përpara 2000 vjetësh, ashtu edhe sot në shpirtin e
besimtarit. Ashtu si atëherë e gjithë “krijesa u mbush me gaz”, kur Krishti lindi prej
Virgjëreshës, kështu edhe sot, po kjo krijesë mbushet me gaz dhe “malet kërcejnë” kur Krishti
lind në zemrat tona. Prandaj himnografi thekson me forcë: “Sot lindi Krishti”, “Sot u mbushën
të gjitha me gaz”, “Virgjëresha lindi sot”, “Virgjëresha sot po vjen”, “Sot i lajmëron ylli magët që të
vijnë, t’i falen” dhe “t’i bien dhurata të çmurara” atij që i dhuroi shpëtimin të gjithëve.
Himnografi i shenjtë në përpjekjen e tij për të shprehur mirënjohjen e të gjithë krijesës
i thotë Zotit: “Ç’të të blatojmë, o Krisht, që u duke mbi dhé si njeri për ne? Sepse cilado nga krijesat e
bëra prej teje të sjell përhirim; Engjëjt himnin, qiejt yllin, magët dhuratat, barinjtë çudinë, dheu
shpellën, shkretëtira grazhdin, dhe ne nënën virgjëreshë”. Mishërimi i Perëndisë është ngjarja më e
madhe që ka ndodhur që nga krijimi i botës dhe i njeriut. Gjatë mishërimit, vetë Perëndia
hyn tek njeriu dhe e bën njeriun Perëndi. Mbi bazën e mishërimit të Birit të Perëndisë është
ndërtuar e gjithë ndërtesa Hyjnoro-njerëzore e shpëtimit të racës njerëzore dhe për këtë
arsye, lindja e shpëtimtarit shkakton një gëzim kaq të madh si tek engjëjt ashtu edhe tek
njerëzit e krijesa. Nga ky gëzim “engjëjt himnojnë pa pushim, qiejtë ngazëllehen, të drejtët dëfrejnë,
malet kërcejnë, magët blatojnë dhurata, barinjtë lavdërojnë” dhe Kisha e Shenjtë nëpërmjet
himnologjisë së saj të frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, i bën anëtarët e saj pjesëtarë të misterit
të shpëtimit dhe na fton të gjithëve që bashkë me engjëjt, barinjtë dhe krijesën të thërresim:
“Lavdi Perëndisë në më të lartat, dhe mbi dhenë paqe dhe mbi njerëzit mirëdashje”. AMIN.
Përgatitur nga At Spiro Kostoli
E DIELA PARA KRISHTLINDJEVE