E Diela pas Lartësimit të Kryqit të Nderuar
Pasazhi i Ungjillit: Ungjilli sipas Markut 8:34-9:1
Pasazhi i Apostullit: Letra për Galatinët 2:16-20
Kjo e Dielë për besimtarët orthodhoksë është vazhdimësi e festimit të Lartësimit të Kryqit të Nderuar, kremtim i cili u krye më 14 Shtator dhe sigurisht dhe i të Dielës para datës 14 Shtator, pra më 10 Shtator. Duke qenë vazhdimësi e kremtimve themelohet mbi festën e Lartësimi të Kryqit të Nderuar, por ka dhe karakteristikat e saj të veçanta. Këtë të Dielë theksohet marrëdhënia personale me kryqin. Besimtari nuk mbetet thjesht tek objekti i Kryqit, por fillon dhe zhvillon një marrëdhënie personale me të. Kisha bashkë me besimtarët kthejnë në vëmendje që sakrifica dhe dashuria që karakterizojnë kryqin, nuk duhet të mbeten thjesht si karakteristika të kryqit, por duhet të bëhen pjesë e jetës së njeriut. Pesha e Kryqit, mundi, sakrifica dhe durimi i mbajtjes së tij duhet të bëhen përjetime personale dhe jetësore të besimtarit.
Në këtë mënyrë besimtari nuk mbetet një vëzhgues apatik i ngjarjeve, simboleve dhe mësimeve që lidhen me jetën e Jisu Krishtit mbi tokë, por shkon më tej. Besimtari ndjek Krishtin dhe ndjekja e tij bëhet duke ngritur Kryqin, pra besimtari mban barrat që jeta i ofron, pa u ankuar, pa përbuzur apo urryer të tjerët, por duke u lutur, duke duruar, dhe mbi të gjitha duke ofruar dashuri dhe falje për të tjerët. Këtë bëri Jisu Krishti dhe këtë përpjekje njeriu e bën për të shpëtuar shpirtin e tij dhe për pasojë jetën, pasi jeta është pashmangërisht e lidhur me shpirtin. Njeriu mund të fitojë jetën, por pa shpirtin ai është i humbur, ndërsa ai që fiton shpirtin ka fituar dhe jetën. Kjo lidhje e fortë e jetës me shpirtin themelohet dhe ka jetëgjatësi aq sa lidhje ka njeriu me Perëndinë, i cili është Zot i shpirtit dhe i jetës.
Pikërisht kjo lidhje e njeriut me shpirtin dhe jetën e tij, që themelohet dhe përsoset në besimin tek Jisu Krishti, e bën besimtarin që ta shprehë këtë përjetim unik dhe të papërsëritshëm në botë. Besimtari shpreh dhe pohon me forcë se Jisu Krishti është Shpëtimtari i botës. Kështu ai fiton një dëshmitar për mbretërinë e Perëndisë, Birin e Perëndisë, Perëndinë vet. Ky është mesazhi i kësaj të Diele pas Lartësimit të Kryqit të Nderuar.
Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë
Kisha“Apostull Pavli & Shën Asti”, Durrës