/ Predikime-Katekizma- Artikuj / E Diela pas Theofanisë

E Diela pas Theofanisë

E Diela pas Theofanisë

 

Të dashur besimtarë! Duke përjetuar dinamikën dhe gëzimin që na ofrojnë të kremtet e mëdha që sapo kremtuam, Kryepiskopi Anastas thotë: “Në Kishën Orthodhokse e Vërteta, Dashuria dhe Bukuria janë gjithmonë bashkë”.
Këto festa si Krishtlindja dhe Uji i Bekuar kaq të bukura që na mbushin me gëzim shpirtëror, dashuri e lumturi na ndihmojnë të përtërijmë dashurinë tonë për Perëndinë dhe për njëri-tjetrin. Këto festa na ofrojnë më shumë me të dashurit tanë. Shumë nga të afërmit tanë që jetojnë në emigrim, vijnë pikërisht këto ditë të shenjta për të qëndruar pranë të dashurve të tyre. Në thelb është Lindja e Krishtit që na bashkon.
Por, përtej këtyre gjërave shumë të rëndësishme për ne nga ana njerëzore, këto të kremte na ofrojnë edhe disa të vërteta thelbësore shumë herë më të rëndësishme se atmosfera festive që krijohet këtë periudhë. Gëzimi, lumturia dhe atmosfera që përjetojmë këtë periudhë janë vetëm maja e aisbergut e asaj se çfarë përfaqësojnë në të vërtetë këto të kremte.
Si Krishtlindjet ashtu edhe Uji i Bekuar deri në shek. IV kremtoheshin bashkë më 6 janar me emërtimin Theofani = Shfaqja e Perëndisë. Nga shek. IV për shkak të rëndësisë së madhe që kanë këto të kremte u vendos që Krishtlindjet të kremtohen më 25 të dhjetorit dhe Uji i Bekuar më 6 të janarit.
Mesazhi kryesor që na japin këto dy të kremte të mëdha është se Jisu Krishti është Biri i Perëndisë, i cili u trupëzua prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari dhe erdhi si Dritë në botë për të ndriçuar shpirtin e errësuar të njeriut dhe që u pagëzua për të larë mëkatin e Evës edhe të Adamit si edhe mëkatet tona në mënyrë që të bëjë përsëri të mundur bashkimin e njeriut me Perëndinë.
Me lindjen e tij prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari, Zoti na tregoi se sa shumë e do njeriun. Duke marrë trup njerëzor, Ai zbriti nga lavdia në të cilën qëndronte i rrethuar nga engjëjt e shenjtë dhe bëhet si një nga ne për të na hyjnizuar ne. Lindja e Zotit me trup njerëzor në kohë dhe hapësirë është një e vërtetë e pamohueshme. Kjo vërtetohet nga barinjtë që panë engjëjt që adhuronin foshnjën e sapolindur. Kjo vërtetohet nga magët, të cilët erdhën për ta adhuruar. Kjo vërtetohet edhe nga mbreti Irod, i cili nga frika e lindjes së Mbretit vrau 14.000 foshnja. Të gjithë këta persona dhe këto fakte historike të dokumentuara me ose pa dashjen e tyre vërtetojnë këtë të vërtetë se Krishti, Biri i Perëndisë erdhi me të vërtetë të tokë.
Por edhe pas 30 vjetësh pas lindjes, Zoti e shfaq dhe e zbulon përsëri veten e tij kur pagëzohet prej Joanit në ujërat e lumit Jordan. Prandaj dhe dita e pagëzimit të Zotit Krisht quhet Theofani = shfaqje e Perëndisë sepse këtë ditë u zbulua dhe u shfaq Trinia e Shenjtë. Pasi u pagëzua, Krishti doli prej ujit, qiejt u hapën dhe Shpirti i Shenjtë zbriti në formë pëllumbi dhe në të njëjtën kohë u dëgjua zëri i Atit pre qiellit, i cili tha: “Ky është Biri im i dashur, që e kam pëlqyer” (Mt.2:17).
Si në lindjen e Krishtit ashtu edhe në Pagëzimin e tij, turma të tëra njerëzish ishin dëshmitarë okularë, që jashtë çdo dyshimi na vërtetojnë se në ujërat e lumit Jordan u pagëzua Biri i Perëndisë, personi i dytë i Trinisë së Shenjtë, Zoti ynë Jisu Krisht për të larë mëkatet tona.
Pagëzimi i Joanit ishte pagëzim pendimi për faljen e mëkateve. Krishti duke qenë se është Perëndi është i pamëkatshëm dhe për pasojë nuk kishte nevojë as të pagëzohej. Por Ai u pagëzua për të pastruar natyrën njerëzore që kishte marrë. Bashkë me Të u pagëzua e gjithë natyra njerëzore duke larë në këtë mënyrë njollën e mëkatit të Evës edhe të Adamit.
Me pagëzimin e tij, Zoti Krisht i dha njeriut ndriçimin dhe hirin që njeriu kishte përpara rënies në mëkat, prandaj dhe ungjillor Mattheu në pjesën e ungjillit të sotëm citon fjalët e profetit Isaia, që thotë: “Populli që rrinte në errësirë pa dritë të madhe, dhe mbi ata që rrinin në vend e në hije vdekjeje lindi dritë” (Mt.4:16).
Të dashur besimtarë! Krishti është drita e botës. Kjo është edhe arsyeja që ne të krishterët ndezim qirinj në kishë. Drita dhe energjia e qiriut simbolizojnë dritën dhe hirin që Krishti solli në botë. Ne nuk ndezim qirinj vetëm për veten tonë, por edhe për të afërmit tanë. Kjo ka një domethënie shumë të madhe. Ne nuk duhet që ta mbajmë vetëm për vete dritën e Krishtit, por këtë dritë duhet ta ndajmë edhe me të tjerët.
Të gjithë ne që jemi të pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë ftohemi të bëhemi pjesë e kësaj drite për të trashëguar Mbretërinë e Qiejve. Çelësi për hyrë në këtë Mbretëri është Pendimi.
Predikimin e sotëm dua ta mbyll me fjalët që Krishti filloi predikimin e tij mbi tokë dhe kjo fjali duhet të na shoqërojë gjatë gjithë jetës sonë: “Pendohuni, sepse u afrua Mbretëria e Qiejve” (Mt.4:17). Amin.

 

Përgatitur nga At Spiro Kostoli