E Djela e të verbërit
(Joani 9:1-38)
Krishti u ngjall!
Rabbi, cili mëkatoi, ky apo prindërit e tij, që të lindë i verbër? (Jn. 9:2)
Këtë pyetje i bënë nxënësit mësuesit të tyre kur panë një njeri, i cili ishte i verbër që nga lindja e tij.
Edhe sot vazhdon e njëjta histori. Të gjithë ne kur gjendemi përpara vështirësish pyesim se kush e ka fajin?!
Është e vërtetë të dashur besimtarë se sëmundja, dhimbja, vuajtja, pësimet dhe vdekja janë pasojë e mëkatit, viktimë e të cilit u bë qenia njerëzore. Si pasojë e mëkatit imazhi i njeriut u shtrembërua. Në fillim Perëndia e krijoi njeriun të lirë; e krijoi me mundësinë për të qenë i pavdekshëm; e krijoi me mundësinë për të mos u sëmurë; e krijoi sipas imazhit të Tij duke e pajisur me ndërgjegje, me logjikë, me mundësinë për të ndarë të mirën nga e keqja.
Por pasi u mashtrua nga i ligu, jeta e njeriut ndryshoi! Ai iu nënshtrua mëkatit dhe sëmundjes; vuajtjes dhe mundimit; pasioneve dhe në fund edhe vdekjes duke shtrembëruar imazhin e Perëndisë në personin e njeriut.
Edhe i verbëri i historisë së Ungjillit të sotëm vuan që nga lindja e tij pasojat e mëkatit të Adamit dhe të Evës. Prandaj dhe Zoti Krisht u përgjigjet nxënësve të tij se:
As ky mëkatoi, as prindërit e tij, po që të tregohen punët e Perëndisë tek ai. Unë duhet të bëj punët e atij që më dërgoi, deri sa është ditë; vjen nata, kur asnjë s’mund të punojë. Sa të jem në botë, jam drita e botës (Jn. 9:3-5).
Të dashur besimtarë!
Ungjilli i sotëm na prezanton dy mënyra sesi ne mund ta jetojmë jetën tonë.
Mënyra e parë është të jemi indiferentë dhe të bëhemi të “verbër” shpirtërisht ndaj pasojave të mëkatit dhe të vegjetojmë derisa të vijë ora të largohemi nga kjo jetë dhe
Mënyra e dytë është të pranojmë dritën e Krishtit në jetën tonë dhe të shpëtojmë nga verbëria e syve të shpirtit duke na e shtuar gjithnjë e më shumë besimin në Zotin Krisht për çdo vështirësi që na del përpara.
Për këtë arsye dhe Jisui kur dëgjoi se e nxorën jashtë të verbërin që shëroi e gjeti dhe e pyeti: Ti i beson Birit të Perëndisë? Ai u përgjigj e tha: Po cili është ai, o Zot, që t’i besoj? Edhe Jisui i tha: Edhe e ke parë, dhe ai që flet me ty, ai është. Edhe ai tha: Besoj, o Zot, dhe iu fal (Jn.9:35-38).
Gjëja e parë që Krishti kërkoi nga i shëruari ishte Besimi.
Besimi është dhuratë e Perëndisë e mbjellur në shpirtin e njeriut. Besimi është gjithashtu çështje e lirisë sonë personale.
Besimi dhe Liria janë sytë e shpirtit. Megjithëse nuk mund ta shohim Krishtin me sytë e trupit, ne mund ta shohim atë me sytë e shpirtit.
Kur me lirinë që na ka dhuruar Perëndia, besojmë me gjithë zemrën tonë, me gjithë mendjen tonë, me gjithë shpirtin tonë dhe e pranojmë dritën e Krishtit të ndriçojë jetën tonë, vetëm atëherë ne mund të shohim madje edhe me sytë e trupit mrekullitë që ndodhin në jetën tonë, por edhe ato mrekulli që ndodhin rreth nesh.
Shumë njerëz që më parë bënin jetë të zhytur në errësirën e mëkatit dhe pasionit, pasi me lirinë e tyre pranuan dritën e Krishtit të ndriçojë mendjen, zemrën dhe shpirtin e tyre, i shohim të vijnë në Kishë dhe të kenë ndryshuar krejtësisht mënyrën e tyre të jetesës.
Jo vetëm njerëz, por popuj të tërë që më parë jetonin në errësirën primitive të paganizmit, nën dritën e krishtërimit, nata e errët e barbarisë filloi të largohet dhe jeta e re çeli në horizont.
A njohim popuj të tillë? Pothuaj të gjithë popujt e Evropës, gjermanët, italianët, francezët, anglezët, suedezët, rusët u qytetëruan dhe përparuan nga Kisha.
Kur misionarët e parë shkuan në Rusi për të predikuar fiset sllave jetonin në mënyrë primitive. Qytetet e tyre në pjesën më të madhe përbëheshin nga një grumbull i madh kasollesh. Por kur u ndriçuan nga drita e paperënduar Krishtit ndodhi edhe ndryshimi rrënjësor i tyre. Misionarët e krishterë krijuan alfabetin, dhe nisi të formohej një shoqëri me ligje dhe të organizohen shtete të reja. Me anë të fuqisë së Ungjillit, fiset deri dje barbare, zbuten dhe kultivohen nga ana shpirtërore. Zhvillohet arti, kultura, muzika, piktura duke e bërë popullin e rusisë qendër të rrezatimit shpirtëror dhe të shenjtërisë.
Jo vetëm në Evropë, por edhe në Zanzibar, vend që ndodhet në brigjet e Afrikës Lindore, në qendër të qytetit ekzistonte një nga tregjet më të mëdhenj të skllevërve. Pas punës misionare dhe përhapjes së dritës së Krishtit në Afrikën Qendrore dhe Lindore, plaga e madhe e skllavërisë u zhduk dhe aty ku më parë ndodhej tregu i skllevërve, sot ngrihet një kishë madhështore.
Historia e kishës është e mbushur me mrekulli të tilla. Madje në çdo Liturgji Hyjnore pasi kungohemi me trupin dhe me gjakun e shenjtë të Zotit, psalim:
“Pamë dritën e vërtetë, morëm frymë qiellore, gjetëm besën e vërtetë duke iu falur Trinisë së pandarë, se Ajo na shpëtoi”.
Dhe besimi i vërtetë është të pranojmë se çdo gjë në jetën tonë ndodh për lavdi të Perëndisë.
Motra e vëllezër! Nëse kemi gëzim ose vuajtje; nëse gëzojmë shëndet apo jemi të sëmurë; nëse jemi të pasur apo të varfër, gjithmonë duhet të besojmë dhe të mos lëkundemi në besimin tonë; të pranojmë se Perëndia na i jep këto prova për shenjtërimin tonë për të jetuar gjithmonë me dritën e Zotit dhe me besimin se: Krishti u ngjall! Amin.
Përgatitur nga At. SPIRO KOSTOLI
E Djela e të verbërit