E Tereshënjta Agjioritisa
Kapitulli u shkëput nga libri “Ndërmjetim i Nxehtë-Πρεσβεία Θερμή”.
Përkthimi u krye me lejën dhe bekimin e autorit,
Gjerondit +Arqimandrit Joakim Karahristu,
Igumeni i Skitës së Profetit Ilia në Malin e shënjtë
(ose e Malit të Shënjtë)
Të dashur vëllezër, sonte do të vizitojmë të Tërëshënjtën Hyjlindëse në Kopshtin e saj. Po, e dini shumë mirë që e Tërëshënjta ka kopësht të sajin, kopësht të bekuar për të cilin përkujdeset me shumë dashuri dhe të cilin e mbulon me hirin e saj. Po pra, e kam fjalën për të shumë-njohurin, të shumë-dëgjuarin, dhe të vetmin të këtij lloji Malin e Shënjtë, ku Mbikqyrëse dhe Mbrojteshë është e Tërëshënjta Hyjlindëse Mari. Është e vetmja qënie femërore në këtë vend. Mali i Athosit pra është i “pa-shkelur prej natyrës femërore” dhe kjo gjë ruhet me rigorozitet tepër të madh. Shumë gra, meqënëse nuk janë në dijeni të këtij privilegji të veçantë të Hyjlindëses së Tërëshënjtë, pyesin dhe ngandonjëherë edhe ngrehin zërin duke thënë: “ç do të thotë kjo gjë që nuk lejohen gratë? Çfarë mëkata kemi bërë? Pse nuk n’a lejohet të vizitojmë Malin e Shënjtë?”.
Shpjegimi pra është si më poshtë – dhe këtë shpjegim n’a i jep tradita shekullore dhe Sinaksaristi, të cilat i përkushtoi populli me besën dhe devocionin e tij të shënjtë. E Tërëshënjta Hyjlindëse pas Ngjitjes në Qiell të Birit të saj Jisu Krishtit shkonte shpesh-herë në kopshtin e Gjethsimanisë. Pikërisht atje ku kishte zakon të vinte shpesh edhe Biri i saj së bashku me Nxënësit e Tij. Pikërisht atje ku është dhe varri i saj. Shkonte atje ku hodhi hapat e Tij dhe u lut Zoti. E shplodhte jashtëzakonisht shumë ai vend. Dhe një ditë duke iu lutur Krishtit i tha: Ti e doje shumë kopshtin e Gjethsimanisë, dhe është i yti ky kopësht me pemët shekullore të ullinjve dhe shkëmbinjtë madhështorë. Plot me lule të tapinosura dhe dhe’ të shënjtëruar. Dhe unë, Nëna jote, do të desha shumë të kisha një kopësht timin. Të ec në të, të lutem dhe të përkujdesem për të”. Këtë dhuratë kërkoi dhe Biri i saj menjëherë hodhi syrin e Tij mbi tërë planetin dhe caktoi për të këndin më të kënaqshëm dhe më të qetë, vëndin më të bukur. E zgjodhi pra dhe ia dha Nënës së Tij duke i thënë: “Merre këtë Kopësht dhe le të jetë i yti ndër shekuj dhe i vetëm i këtij lloji – vetëm për ty. Ja pra pse e Tërëshënjta Mari është e vetmja femër atje, është e zonja e Malit të shënjtë. Është prona e Saj, është pasuria e Saj dhe Ajo e qeveris.
Mali i Shënjtë qëllimisht është quajtur dhe Porta e qiellit. Ashtu si Hyjlindësja me Lindjen e Krishtit hapi qiejt dhe u bë “shkallë qiellore nëpërmjet së cilës zbriti Perëndia në tokë, po kështu edhe Mali i Shënjtë është një Portë, prej së cilës kallogjerët oshënarë ngjiten “prej tokës në qiell”. Çfarë thashë? Mali i Shënjtë është një parajsë mbi tokë.
Dhe tani të dashur vëllezër, më lejoni të theksoj temën e sotshme duke përmendur disa shembuj dhe mrekulli të cilat vëretojnë dashurinë e së Tërëshënjtës për Kopshtin e saj. A kini dëgjuar për Shën Petro Athonitin? Është murgu i parë dhe Asketi i parë që Hyjlindësja vendosi si ruajtës të Malit të Shënjtë. Sinaksari i këtij shënjti n’a thotë që ishte gjeneral i lartë i Perandorisë Bizantine, dhe kur luftonte në Siri u kap rrob dhe u burgos. Dhe atje në burg iu kujtua Perëndia. Sepse kur dikush është në dhimbje apo i tiranizuar atëhere ndjen tepër nevojë t’i afrohet Perëndisë. Iu dha pra mundësia të lutej dhe të pendohej dhe të kërkonte mëshirat e Perëndisë për një mëkatë që kishte bërë. Çfarë mëkat bëri? Kur ishte në moshë të re i premtoi Hyjlindëses së Tërëshënjtë që do t’ia kushtonte jetën e tij Asaj. Më vonë e harroi premtimin dhe u dha pas të dheshmeve. Tani i ndodhur në burg dhe i torturuar solli ndër mend atë që i kishte taksur së Tërëshënjtës dhe me pendesë dhe zemër të thyer i tha Hyjlindëses: “Nëse më ndihmon të dal që këtu dhe të shpëtoj do të përmbush përfundimisht premtimin tim dhe do të bëhem Murg”. Menjëherë, të njëjtën mbrëmje, i paraqitet në ëndërr Shën Kolli dhe i thotë: “Lutiu dhe Shën Simeon Hyjprurësit dhe ne që të dy do t’ia shpiem lutjen tënde Hyjlindëses. Vetëm kij kujdes t’a mbash premtimin këtë rradhë”. Erdhi dhe Shën Simeoni dhe me shkopin që kishte në dorë i çliroi zinxhirët me të cilat ishin të lidhura këmbët e Petros. Zinxhirët u shkrinë ashtu siç shkrihet qiriri, dhe menjëherë rrobi u nis të shkojë të falet në varrin e Apostoll Petros në Romë. Por përpara se të arrinte ai atje, Shën Kolli iu paraqit Papës së atëhershëm në Romë (në atë kohë Kisha ishte një dhe Orthodhokse) dhe i tha: Nesër në mëngjes gjatë orës së Liturgjiës Hyjnore do të ndodhet në Kishë një njeri i ndriçuar. Do të ndritë i gjithi dhe do të veçojë nga gjithë të tjerët. Kape pra dhe bëje kallogjer. Priji flokët, qerotonise dhe përkushtoja së Tërëshënjtës”. Dhe kështu vërtet ndodhi. Ditën e nesërme Papa e dalloi në mes të turmës së njerëzve që merrnin pjesë në Kishën e Shën Petros. Ishte i përulur, i mallëngjyer dhe me lotë në sy dhe kishte sipër kokës së tij një kurorë prej drite. E rrëmbeu menjëherë mënjanë dhe i rrëfeu dëshirën e Zotit. “Duhet patjetër të bëhesh murg dhe t’i përkushtohesh Hyjlindëses së Tërëshënjtë”. U bë vërtet murg, hyri në një anije dhe filloi të lundrojë në pellgun Mesdhetar. E le vehten time, tha, në duart e së Tërëshënjtës. Ku të më nxjerrë anija atje do të qëndroj.
Duke kaluar anija në ujrat detare të Greqisë, atje afër Malit të Athosit, zuri një furtunë e madhe. Dallgët ishin aq të mëdha sa detarët u trembën dhe u frikësuan. Ndonjë çudi do jetë kjo, menduan. Anija nuk lëvizte as përpara as mbrapa. Sikur ishte e gozhduar nga një forcë e padukshme. Atëhere u shfaq Petroja dhe iu thotë që ai ishte arësyeja për të cilën anija nuk lëvizte. Jam murg, i përkushtuar tek e Tërëshënjta Mari, dhe ndoshta është dëshira e saj të dal këtu. E nxorrën pra nga anija dhe ai vend atje i Athosit u emërua Karavosta’si (Καραβοστάσι) që do të thotë Stacioni i Anijes. Shën Petro Athoniti pra është banori i parë i Krishterë i Malit të Shënjtë. Është punëtori i parë i Kopshtit të Hyjlindëses Mari. E pasuan dhe plot të tjerë asketë, bij të shkretëtirës, e cila lulëzoi dhe nxorri Oshënarë të mëdhenj, të cilët i shërbyen të Përmbishënjtës Hyjlindëse derisa arriti atje Shën Athanas Athoniti, i cili themeloi në Malin e Shënjtë jetën monahale të përbashkët. Kallogjerët donte e Tërëshënjta si rruajtës dhe punëtorë në Kopshtin e saj, ndaj dhe i ndërmori ata nën mbrojtjen e saj.
Njëra çudi dhe mrekulli është kjo, vendosja pra e Shën Petros në malin e Athosit. Dy mrekullitë e tjera të cilat dua të përmend sonte lidhen me dy ikona çudibërëse të Hyjlindëses Mari. Njëra prej tyre është ikona A’ksion esti’ – Άξιον εστί – ose Të ka hije me të vërtetë. Historia e kësaj ikone është mbresëlënëse dhe mësim-dhënëse. Vargjet “Të ka hije me të vërtetë të të lumërojmë Ty Hyjlindësen, gjithmonë të lumurën, të përmbikulluarën dhe Nënën e Perëndisë sonë” ishin të panjohura deri në vitin 1004. Deri në këtë pikë ishin shkruajtur himnet më të bukura të Hyjlindëses së Përmbishënjtë dhe kishin dalë himnografë të mëdhenj si Shën Joan Dhamasqinoi, Roman Melodhi, Shën Grigor Theologu etj. Askush nuk e dinte himnin “Të ka hije me të vërtetë”. Papritur në një qeli të Malit të Shënjtë, ku nderohej veçanërisht Fjetja e Hyjlindëses, u dëgjua ky himn për herë të parë. Jetonte atje një Gjerond së bashku me nxënësin e tij. Një natë Gjerondi do të shkonte në agripni dhe i tha nxënësit të tij, rri ti këtu dhe bëj kanonin që të dhashë, unë do të kthehem në mëngjes. Atë mbrëmje trokiti në portën e qelisë një Murg i huaj, dhe nxënësi i Gjerondit e pranoi dhe e mirëpriti në qeli. E ftoi të bënin së bashku shërbesën e natës. Dhe ndërsa po psallnin këngën e 9-të përpara ikonës të Hyjlindëses së Përmbishënjtë dhe nxënësi po theshte “Më të nderuar se Qeruvimet dhe më të lavdëruarën se Serafimet”, e ndërpret Murgu i panjohur duke i thënë, jo kështu, por do të shtosh edhe këto fjalë “Të ka hije me të vërtetë të të lumërojmë…”. Nuk i di këto fjalë, i përgjigjet nxënësi, dhe do t’i harroj sepse për herë të parë i dëgjoj. Atëherë po t’i shkruaj, i thotë Murgu. Më sill një pllakë. Sjell një pllakë të gurtë dhe Murgu i panjohur fillon të shkruajë duke gdhëndur me gisht fjalët e himnit dhe menjëherë u zhduk. Ishte Ëngjëll i dërguar nga Zoti. Nxënësi e kuptoi mrekullinë që kishte ndodhur dhe plot çudi i tregoi Gjerondit të tij kur u kthye pllakën ku Krye-Ëngjëlli Gavril kishte gdhëndur himnin. Pllaka me himnin e gdhëndur u çua në Karie’ (qëndra e Ajonorosit, Malit të Shënjtë) dhe që andej më vonë u transferua në Patrikanën Ekumenike, ndërsa ikona “Të ka hije me të vertetë” u çua në manastirin e Protatosit, dhe u vendos në Ajovimë (therroren) ku ndodhet deri më sot. Atje qëndron e përmbilartësuar dhe madhështore, Arkondeshë e vërtetë e Malit të Shënjtë. Çuditë dhe mrekullitë e saj janë të shumta, ashtu si dhe besëtarët që i falen janë të panumurt. Besëtarët burra, të cilët kanë privilegjin e veçantë të hyjnë në Malin e Shënjtë, patjetër që shkojnë atje dhe i falen, i rrëfejnë dhimbjen e shpirtit të tyre dhe marrin bekimin e saj. Po gratë?! Edhe gratë tregojnë dashurinë e tyre kur ikona nxirret nga Mali i Shënjtë. Lule dhe qëndisma, lotë dhe lutje janë blatimet e botës femërore që ia shfaqin të Tërëshënjtës Hyjlindëse. Me orë të tëra presin gratë në rradhë deri sa arrijnë përpara ikonës së Saj dhe bien në gjunjë përpara Hyjlindëses, i pëshpëritin të fshehtat e tyre, i rrëfejnë mundimet dhe problemet e tyre, dhe në fund e përqafojnë me dashuri duke thërritur “O Nënë e Zotit Krisht, ruaji fëmijët tanë”. Rasti i një gruaje më prek jashtëzakonisht tepër. Sa herë që dëgjon himnin “Të ka hije me të vërtetë” kthehet për nga Mali i Shënjtë dhe bie në metani. Qoftë e bekuar!
Dua të them dy fjalë dhe për një ikonë tjetër të Hyjlindëses së Përmbishënjtë. Është ikona Portaitisa – ose Shën Maria e Portës. Njëra ikonë është e Portës, dhe është në manastirin e Protatosit, ndërsa tjetra është ikona e Portës dhe qëndron sipër portës së manastirit të Ivirit. Rruajtëse në qëndër të Malit të Shënjtë është njëra, dhe mbrojteshë buzë detit është tjetra. Ndoshta e kini dëgjuar historinë e një gruaje të ve’, e cila në kohën e përndjekjes së ikonave, kur i digjnin ikonat në Kostandinopojë, kishte atë ikonë të Hyjlindëses Mari në shtëpinë e saj. Nga frika se mos vinin t’ia merrnin për t’a djegur ose përdhosur e mori ikonën dhe e hodhi në det. “Merre ti det këtë ikonë, tha, dhe me valët e tua shpjere ku të dojë”. Dhe ja çudia! Duke qëndruar drejt mbi det, arriti një ditë ikona përballë manastirit të Ivirit, dhe nxirrte dritë duke lajmëruar kështu murgjërit që të vinin t’a merrnin. Dhe erdhi oshënar Gavrili i shkretëtirës, i cili iu afrua ikonës duke baritur mbi det. Ra më gjunjë, e puthi, dhe duke e mbajtur në krahë e nxorri në tokë. Etërit e manastirit të Ivirit e vendosën me nderime në Kishën e manastirit. Por ikona, në mënyrë çudibërëse, ikte prej andej dhe vendosej sipër portës kryesore të manastirit. Sikur desh t’iu thoshte etërve që “këtu është vendi im, dua të jem rruajtëse e portës”. Prandaj e quajtën këtë ikonë Portaitisa – e Portës pra, dhe ndërtuan atje për nder të saj një Kishë brenda së cilës ajo qëndron dhe njerëzit i falen atje. Kjo ikonë është kaq imponuese sa nuk guxon dot t’i ngresh sytë. Përkushtimi që ndjen dhe vështrimi i Saj serioz të bëjnë të shtrihesh përtokë i tëri atje përpara saj. Të lumur janë gjithë ata që e kanë këtë privilegj.
Të dashur vëllezër, vendoseni dhe ju ikonën e të Përmbishënjtës sipër portave të shtëpive tuaja dhe kijeni ruajtësen dhe mbrojteshën tuaj. Nuk kini nevojë për sisteme alarmesh – mjafton thirrja e lutjes suaj. Në çdo rrezik, në çdo vështirësi, në çdo sulm ngasjesh do t’ju mbulojë Nëna e Përmbikulluar e Krishtit.
Ju lutem më lejoni të mbyll fjalën time sot për të Tërëshënjtën Agjioritisa (ose të Malit të Shënjtë) me këto: në Gjerontiko përmendet Ava Iperohio. Ky Ava n’a thotë që kur udhëtari lodhet tepër nga baritja, me qëllim që të harrojë dhimbjen apo mundimin, fillon të këndojë, dhe në qoftë se është besëtar fillon të psallë. A nuk ju ka ndodhur kjo gjë ndonjëherë?! Për shembull, në agripnitë që bëjmë këtu në manastir, me psalmodhitë dëbojmë mendimet e këqija, largojmë dhe gjumin. Dhe në vend që të ndjehemi të lodhur nga agripnia ikim me forca të ripërtërira, dhe shkojmë në punët tona sikur të mos kishim qëndruar gjithë natën në agripni.
Personalisht, sa herë që më vjen gjumi të më vizitojë e largoj duke filluar të psall himnet e Kishës. Dhe e dinë këtë gjë etërit e Manastirit, sepse filloj të psall sidomos kur jam duke ngarë në makinë. Kallogjerët duhet të qëndrojnë vigjilentë duke bërë agripni, të luten, të mundohen, dhe të lavdërojnë pa pushim Perëndinë me qëllim që të mos e humbin rrugën për në Parajsë. Dhe në lidhje me këto që sapo thashë po ju tregoj diçka nga ekpserienca time personale gjatë së cilës kuptova se e Tërëshënjta Shën Mari i ruan dhe i mbulon me hirin e Saj kallogjerët akoma dhe kur ata i ze gjumi dhe flenë. Një natë sapo kishte mbaruar agripnia në një Manastir të largët ku kishim shkuar me rastin e Fjetjes së Hyjlindëses. Mbaruam në orën tre mbas mesnate dhe po ktheheshim. Duhej të ngisja unë makinën ndaj dhe duhej të isha vigjilent. Psallëm së bashku të gjithë himnet e të Përmbishënjtës. Kur filluam t’i afrohemi një pjese të rrugës me kthesa, gjatë së cilës kishin ndodhur shumë aksidente në të kaluarën, papritur më zuri gjumi. Pashë një ëndër duke ngarë në timon. Dhe kur u përmënda e kuptova që kisha bërë 1000 metra rrugë ndërkohë që flinja. Kush ngiste pra makinën?! Kur unë isha duke dremitur e Përmbishënjta Hyjlindëse mori timonin nën kontrollin e Saj dhe drejtonte makinën. Pikërisht nga kjo ëndër u zgjova. Kishim përshkuar të gjithë pjesën e rrugës me kthesa dhe makina nuk kishte dalë nga rruga. Çfarë të them më tepër përveç se të përmënd padenjësinë time? “Mbrojetshë të jetës të kemi dhe ruajtje të sigurt o Virgjëreshë”. Këto pra kisha për t’ju thënë sonte. Çfarë mund të themi që t’a falenderojmë ashtu siç duhet të Përmbishënjtën dhe të rrëfejmë madhështitë dhe çuditë e Saj? Ju kërkoj të gjithë juve të më bëni një nder. Kur i luteni të Tërëshënjtës t’i luteni dhe për mua dhe për të gjithë monahët, që kështu t’a falenderojmë duke iu përkushtuar asaj në jetën tonë, duke qënë shërbëtorë të Saj të përulur, të denjë të misionit tonë apostolik. Zoti n’a mëshiroftë të gjithëve me ndërmjetimet e Saj. Amin.
Përktheu nga Greqishtja,
Aleksandër P. Filip
15 Gusht, 2008
Me rastin e Fjetjes së Hyjlindëses Shën Mari
Falenderoj,
Gjerondin +Arqimandrit Joakim Karahristu,
Igumenin e Skitës së Profetit Ilia në Malin e shënjtë
për lejën dhe bekimin që më dha për
përdorimin e librit të tij «Πρεσβεία Θερμή».