/ Predikime-Katekizma- Artikuj / E Tërëshënjta, Më e Lartë se Qiejt

E Tërëshënjta, Më e Lartë se Qiejt

E Tërëshënjta, Më e Lartë se Qiejt

Kapitulli u shkëput nga libri “Ndërmjetim i Nxehtë ”.

Përkthimi u krye me lejën dhe bekimin e autorit,

Gjerondit +Arqimandrit Joakim Karahristu,

Igumeni i Skitës së Profetit Ilia në Malin e shënjtë

Të dashur vëllezërit e mij, virtyti numur një i së Tërëshënjtës Mari, por dhe virtyti numur një për çdo të Krishterë, është përulësia.  Nuk duhet t’a imagjinojmë të Tërëshënjtën ndryshe përveç se duke ulur kryet e Saj dhe me përulësi të pohojë se është shërbëtore e Perëndisë.  Kudo që do të hasni ikonën e saj në ikonografinë e shënjtë Orthodhokse do t’a vëreni gjithmonë të jetë e përulur.  Nëse do t’ia hiqni këtë element dhe këtë stoli atëherë Ajo nuk do të jetë më burim frymëzimi, nuk do të n’a tërheqë më.  Nuk do të jetë më e Tërëshënjta që njohim, dhe le të mos ju skandalisin këto fjalë.  Unë për vehte nuk mund të imagjinoj një të Tërëshënjtë Hyjlindëse tjetër e cila të mos i ketë kryet të përunjur dhe të mos thotë “se hodhi Perëndia sytë mbi përulësinë e shërbëtores së Tij”.  Kështu e ndjej të Tërëshënjtën dhe kështu e mësova që në fëmijëri si i Krishterë dhe më vonë si Meshëtar.  Veç kësaj do të binte në kontradiktë me Shkrimin e Shënjtë që thotë “Zoti nuk do krenarët por të përulurit i jep Hirin e Tij” dhe nga ana tjetër të pranonte Krishti për Nënë dikë që nuk ishte e përulur.  Vetëm të përulurve iu dhuron Krishti Hirin e Tij të Shënjtë, dhe të përulurit janë të zgjedhurit e Tij.  Dhe e Tërëshënjta ishte, është, dhe do të jetë shembull përulësie në jetë të jetëve për të gjithë njerëzit, dhe në mënyrë të veçantë për gratë. 

A doni juve gratë të jetë mbi ju Hiri i Perëndisë?  E çfarë mund të jetë një grua pa Hirin e Perëndisë dhe pa përulësi?  Nuk mund të jetë tjetër përveç se një xhungë, një përbindësh, një nepërkë, një djall.  Ju lutem t’i kushtoni vëmendje të veçantë fjalëve time të thjeshta dhe shëmbujve të përulësisë nëpërmjet së cilës e Tërëshënjta arriti të bëhet më e Gjërë se Qiejt.  Ju kam thënë dhe tjetër herë të vëreni me kujdes Fjalët e Zotit, as edhe një presje të mos ju shpëtojë.  Ashtu si nga Kungata Hyjnore është mëkatë nëse bie qoftë dhe një pikëz e vogël dhe duhet që prifti të ulet dhe t’a lëpijë me gjuhë tokën ku ra, kështu dhe nga Fjala e Perëndisë, kur flasim për Trininë e Shënjtë, për Hyjlindësen e Përmbishënjtë, për Shënjtorët dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me besimin tonë të shënjtë, të mos ju shpëtojë as edhe një presje.  Pikërisht për këtë qëllim dhe unë përpiqem t’i bëj predikimet me fjalë të thjeshta dhe shembuj praktikë në mënyrë që të më ndiqni dhe të më kuptoni se çfarë ju them.

Kur të ktheheni në shtëpitë tuaja, do të hapni Dhjatën e Vjetër dhe do të lexoni këtë shembull që po ju sjell sonte.  Sepse në Dhjatën e Vjetër bëhet shumë herë fjalë për të Tërëshënjtën Hyjlindëse.  E Tërëshënjta është shkalla për të cilën bën fjalë Jakovi, me anë të së cilës “zbriti Perëndia”.  Ajo, e Tërëshënjta, është “ferra që zjarr nxirrte dhe nuk digjej”.  Edhe plot Profetë të tjerë e parashikuan atë përpara Krishtit, por në mënyrë të veçantë e parashikoi profeti Isaia, i cili e përshkruan me hollësi atë Bijën e përulur të Nazaretit, të bekuarën dhe të zgjedhurën e Perëndisë.  Ju drejtoj pra në kapitullin e 38-të të librit të Isaias ku do të lexoni një ngjarje e cila i referohet të Tërëshënjtës Virgjëreshë Mari.  Mbret i Israelit ishte në atë kohë Ezekia, të cilit iu kujtua papritur Perëndia. Kur iu kujtua?  Më thoni ju pra.  Kur n’a vjen ndër mend Perëndia më tepër? “Ndër hidhërime të kujtova ty o Zot”.  Kur jemi në dhimbje e sipër, të stërmunduar, të plagosur.  Kur jemi të hidhëruar nga ligësia e njerëzve.  Atëhere n’a kujtohet Perëndia. 

Ezekia pra, si mbret që ishte, i dehur nga gradat e larta që kishte e keqpërdori fuqinë që kishte në dorë.  Ndoshta bëri padrejtësi, e harroi Perëndinë.  Por kur u sëmur dhe kishte dhimbje erdhi ora të pendohej.  Si, në çfarë mënyrë?  E vizitoi në krevatin e dhimbjes Profeti Isaia, i cili i foli tepër ashpër.  Profetët ishin tepër të ashpër dhe kritikonin me rigorozitet pandershmërinë dhe mëkatin, ndaj dhe të gjithë kishin fund prej martiri.  “Mbret i dashur, nga krevati ku ke rënë s’ke për tu ngritur.  Pas pak kohe do të vdesësh.  Dhe meqënëse bëre mëkata të rënda dhe e zemërove Perëndinë shiko të pendohesh një sahat e më parë”.  S’ka më mirë se t’iu flasësh njerëzve pa u shtirur, pa iu bërë komplimenta, pa i kapur me të mirë dhe me temenara.  Të thuash të vërtetën pa frikë fare, pa vlerësuar asgjë tjetër.  Sot të sëmurët mbeten pa u kunguar shpesh-herë, vetëm e vetëm se të afërmit e tyre kanë frikë t’iu thonë që janë të sëmurë rëndë dhe të mos i thonë që duhet të kungohesh.  O të Krishterë, Kungata Hyjnore është burim jete.  Kam dëgjuar plot raste të tilla, akoma dhe nga njerëz besimtarë.

Shkon pra Profeti Isaia, i ndershmi, i sinqerti dhe i vërteti, të vizitojë Mbretin e sëmurë dhe i thotë që “s’ke për tu ngritur nga krevati, por do të vdesësh, ndaj shiko të pendohesh”.  Dhe çfarë bëri Ezekia? Ashtu siç ishte i shtrirë në krevat, u kthye më brinjë për nga muri dhe filloi të qajë me dënesë.  Qau aq shumë sa i bëri qull edhe jastëkun, edhe rrobat dhe çarçafët.  Duke qarë kërkonte mëshirat e Perëndisë.  Dhe në mes të ngashërimeve me zemër të thyer dëgjoi Perëndinë t’ia zgjatë jetën edhe 15 vjet të tjera.  Pa një vizion.  Pa diellin të kalojë sipër dritares së tij dhe sipër orës me diell që kishte dhe pastaj dielli u kthye mbrapsht duke përshkuar 9 vija.  Në vënd që të shkonte përpara u kthye mbrapsht dhe hyri në një hije të madhe.  Qëndroi dielli në atë hije dhe pastaj doli akoma dhe më i ndritshëm.  Dhe kur lindi dielli Ezekia u shërua.  Mori mesazhin që i ishin falur mëkatat dhe do të rronte akoma dhe 15 vjet të tjerë.  Kështu n’a i përshkruan këtë ngjarje Profeti Isaia.  Interpretimin n’a i jep Ilia Miniati.

Ezekia i sëmurë rëndë përfaqëson gjithë brezin njerëzor i cili ishte i rënë përtokë dhe i sëmurë.  Përfaqëson njeriun mëkatar dhe të mjerë.  Dhe ndërkohë që Perëndia ishte gati t’i jepte fund botës papritur dielli u kthye mbrapsht.  Cili Diell?  Dielli i Drejtësisë, personi i Dytë i Trinisë së Shënjtë, Jisu Krishti përshkoi 9 vija.  Dy simbolizime jepen për këto 9 vija.  Janë të 9 Ushtëritë e Ëngjëjve dhe 9 muajt e shtatzanisë.  Juve gratë e dini fort mirë se ç’do të thonë 9 muaj shtatzanie.  Juve e dini se çfarë hiqni gjatë këtyre muajve të barrës.  U kthye pra Krishti 9 muaj mbrapsht dhe hyri në hije. Hyri pra në barkun e së Tërëshënjtës dhe pas 9 muajsh barre lindi Dielli i Drejtësisë, dita e Krishtlindjes pra.  Kështu thotë dhe tropari i Lindjes Hyjnore.  Kështu pra u ndriçua bota, që ishte “llauzi që rronte nën hijen e vdekjes”.

Erdhi në mëngjes një vajzë nga Gjermania së bashku me nënën e saj.  Ishte një krijesë plot hijeshi e cila më tha se quhej Anatoli’ (e kthyer në shqip do të thotë Lindje).  U përpoqa t’i shpjegoj se ç’do të thotë emri i saj, Lindja e Lindjeve, u përpoqa t’i shpjegoj se ç’do të thotë Eos=Agim dhe Eosfor.  Mirëpo vajza ishte rritur në Gjermani dhe shumë gjëra nuk i kuptonte.  Meqënëse u dha rasti sot, po ju them dhe juve se ç’do të thotë Eos=Agim dhe Eosfor.  Eos=Agim do të thotë Lindje dhe Kryeëngjëlli që sillte dritën (agimin pra) u quajt Eosfor=Dritëmbajtës/Dritësjellës.  Ky është kryeëngjëlli i dritës që u rrëzua nga Perëndia dhe u bë djall i mallkuar.  Dritësjellës pra Eosfori dhe Kryeëngjëll i Lindjes ishte ky i trish-mallkuar.  Dhe Lindja e Lindjeve është Krishti, të cilin e solli në botë e Tërëshënjta Hyjlindëse Mari.  Solli Dritën në botë, ndaj dhe fytyra e saj është e ndritur dhe shkëlqen.

Dhe vazhdon Ilia Miniati që Krishti, Dielli i Drejtësisë, përpara se të lindte hyri në mitrën virgjërore të së Tërëshënjtës, hyri në hijen e bekuar të përulësisë së saj.  Dhe që nga brenda përulësisë doli plot ndriçim.  Përulësisa e Virgjëreshë së Tërëkulluar e bëri të jetë banesë e Perëndisë dhe Nënë e Zotit.  Kjo përulësi e tregoi “më të Lartë se Qiejt”.  Kjo përulësi e ngriti më lart edhe se Ëngjëjt dhe e bëri më të ndershme se Qeruvimet.

Të dashur vëllezër, plot herë kini dëgjuar që Zoti ngreh lart të përulurit.  Ndaj dhe ne duhet të kemi përulësi.  Por përulësia n’a mungon.  Kemi mëndjemadhësi të theksuar e cila i shkakton Perëndisë neveri.  Shën Kosmai i Kolkondasit n’a thotë “nëse has në rrugë një njeri të përulur, përulem dhe i puth dorën, sepse ai njeri është Krishti”.  Edhe juve të gjithë më puthni dorën dhe kërkoni bekimin tim.  Por nëse nuk jam i përulur nuk e meritoj këtë gjë.  Më merren mëndtë kur e mendoj këtë gjë.  Por je Meshëtar dhe duhet të të puthin dorën.  Nëse nuk jam i përulur a mundet të jem Meshëtar?  Mjerr ai prift që është mëndjemadh dhe krenar dhe nuk u gjunjëzua me përulësi kur Hiri i Shpirtit të Shënjtë erdhi mbi të gjatë qerotonisjes së tij.  Pa hidhjuni një sy ikonave murale të Etërve të Shënjtë në Ieroren e Shënjtë!  Të gjithë ata janë me krye të ulura përpara Therrores, të gjithë janë të përulur.  Dhe ndërsa Etërit e Shënjtë të gjithë janë të përulur ai tjetri n’a thotë që është i pamëkatëshëm.  A e dini se si nënshkruan papa i Romës? Servus Servorum Dei, që do të thotë, shërbëtori i shërbëtorëve të Perëndisë.  Kush kështu?  Ai që pretendon dhe predikon se është përmbi të gjithë të tjerët, i pamëkatëshëm dhe nuk e mohon pozitën e tij të mallkuar si numuri një në tërë botën, pozitë e cila e përçau Kishën.  Dhe nga ana tjetër n’a flet për përulësi.  Prandaj mos ju zini besë të gjitha fjalëve të përulëta që dëgjoni.  Ka njerëz që me fjalë dhe në aparencë janë të përulur, por në realitet kanë shpirt të shtrembër dhe janë mëndjemëdhenj.  Me vepra dhe në jetën e vërtetë duket ai që është vërtet i përulur, dhe sidomos kur të tjerët e shajnë dhe i punojnë padrejtësira.

Dikur shkoi një kallogjer i ri në moshë të këshillohet për disa çështje shpirtërore me një Gjerond në shkretëtirë i cili kishte shumë eksperiencë.  Dhe midis të tjerash e pyeti se cili virtyt është virtyti më i madh për kallogjerët.  Gjeroni nuk foli fare por hoqi skufon nga koka, e hodhi përtokë dhe filloi t’a shkelë me këmbë.  A e kuptove biri im cili është virtyti më i madh për kallogjerët?  Ashtu si skufoja ime nuk bën zë kur e shkel, nuk më thotë “jam për kokën tënde dhe jo për këmbët e tua”, kështu është dhe njeriu i përulur.  Ky është virtyti më i madh bir, të të shkelin me këmbë dhe ti të mos nxjerrësh zë.  Shumë herë them me vehte – dhe gjej ngushëllim – “çdo gjë që pëson e ke hak, e meriton, sepse nëse do të ishe i denjë nuk do të pësonje.  Dhe çfarëdo që të ndodh është për të mirën tënde.  Mos protesto!”.

Për temën e përulësisë janë shkruajtur plot në jetët e Shënjtorëve.  Asketin Arsen, e vizitoi një herë në shkretëtirë Patriku i Aleksandrisë Theofil dhe i tha: Rroj në botë dhe kam nevojë për këshillat e tua.  Të lutem shumë më thuaj një fjalë të mirë ku të mbështetem.

Dhe Arseni i cili ishte shumë i thjeshtë dhe i përulur i përgjigjet: Do të të them diçka por dua të më premtosh në fillim që atë që do të të them do t’a bësh.

Sigurisht që do t’a mbaj premtimin tim, i thotë Patriku Theofil.

Tjetër herë, i përgjigjet Arseni, të mos shkosh tek mëkatari Arsen dhe t’i kërkosh këshilla, sepse nuk është i denjë dhe i vyer të thotë fjalë të mira. 

Ja pra se çfarë përulësie kishte.  Dhe e kuptoni pse e respektoi Patriku atë njeri të thjeshtë dhe të përulur.  Mos vetëm Patriku?!  Akoma dhe bishat e egra e respektojnë njeriun e përulur.  Edhe djalli ia ka frikën.

Dhe përpara se të mbyll fjalën përreth temës së përulësisë, dua të sjell edhe një pasqyrë tjetër përulësie, në të cilën të shikohemi mirë ne të gjithë se kush jemi dhe çfarë bëjmë.  E kini dëgjuar Ava Moisiun?  Jo Moisiun që mori 10 Porositë në Malin Sina, por Moisiun e Ethiopisë.  Ishte vjedhës dhe kusar, u pendua dhe u bë Asket dhe Oshënar i madh.  Një herë pra në Skitën e Ava Moisiut erdhi një arkond dhe donte të bisedonte për një çështje me Ava Moisiun pasi kishte dëgjuar se ishte njeri me virtyte të mëdha.  Përpara se të arrinte në Skitë u ndesh gjatë rrugës me vetë Ava Moisiun të cilin nuk e njihte dhe e pyeti nëse mund të takohej me të virtytshmin Moisi.  Dhe ai i përgjigjet: Atë të marrin do shkosh të takosh?  Çfarë kërkon nga ai, njeri i marrë nga mëndtë është. 

Por arkondi mendoi: erdha që erdha deri këtu le të shkoj deri tek Skita.  U ngjit atje dhe pyeti Monahët:  Kaq i marrë qënkërka ai Moisiu, dhe unë u mundova dhe erdha deri këtu t’a takoj!

Kush t’a tha ty këtë gjë, – e pyetën.

Ja, atje pak më poshtë takova një Monah.

Si ishte ai?

Ishte i gjatë, zeshkan, me rroba të grisura.

Ai është Ava Moisiu, – i thanë, dhe t’i tha këto fjalë për vehten e tij, që të mos shkosh ta lëvdosh dhe t’i rëndohet barra sipër shpatullave të tij.

Kjo pra është përulësia e vërtetë.

Akoma dhe një ndodhi tjetër përshkruhet në jetën e Ava Moisiut të Ethipisë, e cila nxjerr në pah përulësinë e tij të madhe.  E qerotonisi prift Patriku i Aleksandrisë Theofil dhe i veshi rroba meshimi të bardha dhe i tha: me këto stoli të bardha të meshimit dukesh i bardhë si pëllumb. 

I përgjigjet Ava Moisiu: jam si pëllumb nga jashtë apo nga brenda?  Nga brenda jam akoma i zi, edhe pse kam veshur stoli të bardha meshimi.

Atëherë Patriku iu thotë priftërinjve të tjerë që pasi të zhvishet t’a dëbojnë, me qëllim që të shihnin si do të sillej.  Dhe me të vërtetë, shkon njëri prej priftërinjve dhe i thotë: akoma këtu je ti arrap?  Ajde ikë tutje se n’a nxive vëndin këtu.

Doli përjashta Ava Moisiu dhe nuk bëri zë fare.  Nuk tha “ç’janë këto fjalë që thoni dhe përse m’i thoni”.

Ndërsa neve kur n’a thonë ndonjë fjalë që nuk n’a pëlqen nuk e harrojmë por vazhdimisht bëjmë pyetjen “pse të m’a theshte këtë fjalë?”.  E dini se si i tha vehtes së tij Ava Moisiu?  Mirë të thonë more arrap!  Ç’kërkon ti dhe vete me njerëzit?

Nëse nuk je i përulur atëhere nuk pranon asnjë vërejtje.  Nëse nuk je i përulur atëhere nuk pendohesh.  Nëse nuk je i përulur atëhere nuk ndreqesh dot.  Nëse nuk je i përulur nuk mund të shpëtosh dot shpirtin.  Nëse nuk je shërbëtor i përulur i Perëndisë atëherë nuk mund të shpresosh tek mëshirat e Perëndisë.

Mendoj të dashur vëllezër që nga këto pak fjalë që thashë sot del një konkluzion: “Zoti vetë u përul duke marrë fomë shërbëtori… që Perëndia t’a ngrerë Atë lart”.  E Përmbishënjta Hyjlindëse tha “Ja shërbëtorja e Perëndisë, le të bëhet mbi mua sipas dëshirës së Tij”, ndaj dhe është më e Lartë se Qiejt.  Të gjithë Shënjtorët besonin që edhe pse përpiqeshin dhe luftonin tepër prapëseprapë janë “shërbëtorë të mjerë të Perëndisë”, ndaj dhe sot gjenden në Mbretërinë e Tij.  Davidi thërret “rrëzove të fortët nga froni dhe të përunjurit i lartësove”, dhe Apostoll Petro n’a këshillon “të përulni vehten tuaj nën krahun e fuqishëm të Perëndisë që kur të vijë koha t’ju ngrerë Zoti lart”.  Pas gjithë këtyre që ju thashë sonte, ju lutem shumë të synoni të gjithë dhe gjithmonë përulësinë.  I lutem dhe më të Lartës se Qiejt t’ju bekojë dhe t’ju mbulojë me hirin e Saj.  Zoti n’a mëshiroftë me ndërmjetimet e Nënës së Tij të Përmbishënjtë. Amin.

Përktheu nga Greqishtja,

Aleksandër P. Filip

15 Gusht, 2008

Me rastin e Fjetjes së Hyjlindëses Shën Mari

Falenderoj,

Gjerondin +Arqimandrit Joakim Karahristu,

Igumenin e Skitës së Profetit Ilia në Malin e shënjtë

për lejën dhe bekimin që më dha për

përdorimin e librit të tij

E Tërëshënjta, Më e Lartë se Qiejt