Familja Ortodokse – Kisha e Perëndisë
Folu fëmijëve rreth jetëve të shenjtorëve dhe të kremteve të mëdha Shenjtorët janë heronjtë e besimit tonë. Të rinjtë kanë nevojë për heronj, për njerëz që t’i shohin si shembuj, që të frymëzohen e të nxiten prej tyre. Shumica e të krishterëve orthodhoksë mbajnë emra shenjtorësh. Qëllimi i vendosjes së emrave të shenjtorëve është që t’u japim atyre një emër të rëndësishëm, që ta imitojnë në jetë.
Kur Aleksandri i Madh mori vesh se ushtari që mbante emrin e tij kishte vepruar si frikacak në një betejë, e detyroi atë ose të ndryshonte emrin, ose sjelljen. Asnjë nga ata që quheshin Aleksandër nuk mund të vepronin si frikacakë.
Prindërit orthodhoksë mund t’i njohin fëmijët e tyre me jetët e heronjve të mëdhenj të besimit tonë, duke ndjekur disiplinën e mëposhtme. Shikoni kalendarin kishtar, në të cilin gjenden emrat e shenjtorëve dhe ditët e kremtimit të tyre. Le të marrim shembullin e shën Nikollës, i cili festohet më 6 dhjetor.
Në mbrëmjen e datës 5 shiko në librin: Jetë Shenjtorësh ose Sinaksari. Tregoju fëmijëve historinë e jetës së shenjtorit. Nëse një nga fëmijët e tu quhet Nikolla dhe është i rritur sa të kuptojë, ai mund të caktohet të lexojë jetën e shën Nikollës dhe t’ua tregojë pjesëtarëve të tjerë të familjes. Pas kësaj, familja mund të këndojë: “Vite të bekuara”. Gjithashtu mund të shërbehet një ëmbëlsirë e veçantë për ditën e emrit. I njëjti person, Nikolla, mund të ketë privilegjin të ndezë kandilin para ikonës së familjes atë mbrëmje. Sigurisht, personi që feston ditën e emrit, duhet të ndjekë liturgjinë në ditën e tij/saj të emrit (ose të dielën që vjen) dhe të marrë Zotin tonë nëpërmjet Kungimit të Shenjtë.
Nëse ngjarja që festohet është nga Shkrimi i Shenjtë, për shembull Metamorfoza e Shpëtimtarit, lexoni Apostullin dhe Ungjillin e asaj dite sipas kalendarit kishtar. Tregoju fëmijëve për leximet dhe si të përdorin kalendarin kishtar. Mësimi i Ungjillit lidhet me historinë e ngjarjes që festohet. Fol rreth kësaj ngjarjeje dhe pyeti: çfarë kuptimi ka ajo për ty. Kërkoju fëmijëve të tregojnë se çfarë shikojnë në atë histori dhe të diskutojnë ndonjë pyetje që mund të kenë.
Kjo lloj disipline familjare do t’i njohë fëmijët me traditën e gjallë të besimit tonë Orthodhoks. Jetët e shenjtorëve dhe ngjarjet e shenjta të Shkrimeve do të përjetohen prej tyre. Ata do të motivohen të ndjekin Krishtin, ashtu siç bënë edhe shenjtorët, të jetojnë jetën, që do t’i sjellë lavdi Perëndisë dhe bekim njerëzve. Kjo është mënyra për të nxjerrë në botën e sotme etër të rinj dhe shenjtorë të Kishës.
Një mësues ka thënë: “Fëmijët kanë nevojë për heronj, ashtu siç kanë nevojë për ushqim”. Mirëpo, ne sot u ofrojmë heronj të rremë. Heronjtë e vërtetë janë shenjtorët e Kishës. Ne duhet ta tregojmë historinë e tyre.