/ Predikime-Katekizma- Artikuj / Fjetja e Hyjlindëses!

Fjetja e Hyjlindëses!

Fjetja e Hyjlindëses!

 

Në 15 gusht kemi një të kremte ngazëlluese, por të vështirë për ta kuptuar. Shumë madje, e quajnë Pashka e beharit! Dhe ku është vështirësia për ta kuptuar këtë të kremte? Pashkën e kuptojmë. Kremtojmë një Ngjallje! Ngjalljen e Zotit tonë! Dhe Ngjallja e Tij është ngjarja më e ngazëllueshme, që ndodhi në tokën tonë. Ndërsa tani kremtojmë një Fjetje. Fjetjen e Hyjlindëses, siç e themi, nënkuptojmë vdekjen e së Tërëshenjtës. Engjëjt e shenjtë morën shpirtin e saj të Tërëshenjtë dhe e drejtuan përnjëherë tek Ai, të Cilin u denjësua ta ketë Birin e saj në këtë tokë!

Fjala e përjetshme e Perëndisë, me pëlqimin e Atit të pafillim dhe me mbiveprimin e Shpirtit të Tërëshenjtë, zbriti dhe u trupëzua prej Hyjlindëses dhe Gjithmonëvirgjërës Mari dhe u bë njeri i përsosur.
E Tërëshenjta u bë shkalla, që e pa patriarku Jakov, nëpërmjet së cilës Perëndia zbriti mbi dhé dhe i ngjiti njerëzit e rilindur në qiell.

Kryezonja e Panjollëshme, i shërbeu përmbushjes së vullnetit të parajetshëm të Krijuesit, që është trupëzimi i Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht. Asnjë nuk e nderoi kaq shumë gjininë njerëzore, sa Ajo. Asnjë nuk ishte në pozitë të çlirojë njeriun nga prishja dhe nga vdekja, siç psalë profeti David: “Zoti vështroi nga qielli bijtë e njerëzve, që të shohë në ka ndonjë të mençur, që kërkon Perëndinë. Të gjithë dolën nga rruga, dhe njëkohësisht u prishën, nuk ka njeri, që të bëjë mirësi, nuk ka as edhe një”. Psalm 13, 2-3.

Perëndia si njeridashës, donte shpëtimin tonë, por nuk gjente asnjë nga i cili do të mund të fillonte veprën e Shpëtimit dhe të shpërndajë dhuratat e Tij hyjnore tek njeriu. Vajza e Panjollëshme është e vetmja Virgjëreshë Hirplotë, e cila ofroi veten e saj tek Çlirimtari, u bë Nëna e Birit të Perëndisë dhe i shërbeu veprës së shpëtimit.

Dhe Biri i saj? Zoti ynë Jisu Krisht? Pas rreptësisë së Tij të dukshme dhe heshtjes së Tij, përgjatë jetës së Tij mbi tokë, kur u gjend mbi Kryq dhe pak para fundit të Tij, i tha ato fjalë të mbushura me dhembshuri, që qëndruan si porosia e Tij e fundit për atë: “Grua, ja biri yt…” dhe i tregoi nxënësin e Tij të dashur Joanin. Dhe duke e kthyer shikimin e Tij nga Joani, vazhdoi: “Ja nëna jote”. E Tërëshenjta, që nga ditët e Ungjillëzimit deri në fund të jetës së Saj iu bind pa nguruar ftesës së saj, duke pasur si rregull të pashkelur, “u bëftë tek unë sipas fjalës sate” Luka 1, 38. Dhe Zoti, -besnik ndaj fjalëve të Tija “Ja tek po vij, o Perëndi, për të bërë, dëshirën tënde”. Hebrenjve 1, 7- nga mosha e Tij fëmijërore deri në orën, që dha shpirtin mbi kryq, iu bind planit të Perëndisë dhe përmbushi ftesën e Tij plotësisht.

Bindja e së Tërëshenjtës sonë vulos vërtetësinë e fjalës, përderisa është ajo që e lumturojnë “gjithë brezat”, si Nënën e Dritës! Por e lumturojnë dhe si Mbretëreshë, e cila e nderuar veçanërisht nga Perëndia, gjendet në të djathtën e Tij, me gjithë shkëlqimin e veshjeve të arta të virtyteve të Saj dhe dhuntive të Shpirtit të Shenjtë që e stolisin. Mbreti David e dëshmoi në mënyrë profetike: “Qëndroi Mbretëresha në të djathtën tënde me veshje të artë e mbuluar, e stolisur”. Psalm 44, 10.

 

Episkop Ignati!

Fjetja e Hyjlindëses!