I Shumëprituri i Madh!
Bijtë e mi të dashur më Krishtin!
I Shumëprituri i Madh!
Mendja dhe zemra e njerëzve priste nga qielli të Vetmin, Çlironjësin unik, që do të vinte mbi dhé, për të shpëtuar njerëzit e tokës. Dhe me shpresë të patundur tek Çlirimtari “i panjohur”, por i vërtetë dhe i tërëmirë, me sy të përlotur dhe duar përgjëruese ndaj qiellit, në gjuhë të ndryshme dhe melodi të ndryshme, hapnin zemrat dhe gojët, që t’i luten Perëndisë. “O Zot, shpëto tani, o Zot, sillna mbarësi tani. I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit… Perëndi është Zoti, dhe u shfaq ndër ne”. Psalmi 117:25-27.
Dhe ja! “Ngrini sytë ndaj ushtrisë qiellore, admironi koret e engjëjve, dëgjoni melodinë e tyre hyjnore; Lavdi Perëndisë në më të lartat dhe mbi dhenë paqe”. -Perëndia përzihet me natyrën njerëzore, që të lartësohet bashkë me Të, njeriu, në lartësinë e Perëndisë.
Buka e jetës, që zbriti prej qiellit, vendoset brenda grazhdit të të paarsyeshmeve, në mënyrë që, të palogjikshmet, duke marrë pjesë nga ushqimi logjik, të bëhen të logjikshme.
Cila e kremte është për ne, më e lartë se ajo? Dielli i drejtësisë shpërndau errësirën e djallit; tani hapet dera e qiellit. Nëpërmjet njerëzve erdhi vdekja dhe nëpërmjet NJERIUT, shpëtimi; njeriu i parë ra në mëkat, i Dyti e ngriti të rënin.
Mbreti i përsosur, këmben lavdinë e Tij me jetën tonë. Pastërtia e Tij hyn në ndotjen tonë, dhe ndotja nuk e prek pastërtinë. Më merr pranë Tij mua më të ulëtin, që të më japë më të lartin. Hirin e shpëtimit.
* * *
Arriti dita e bukur e së Kremtes. Le të thërresim edhe ne me zë të madh, fjalët e psalmistit, duke ndarë gëzimin me Davidin zëmadh: “I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit!” Me të krishterët orthodhoksë të së gjithë botës, do të ftohemi nga Kisha e shenjtë, ta adhurojmë “si djalë” të mbajtur në prehërin e Nënës së Tij të shenjtë, “Atë që është, ishte dhe vjen” Zbulesa 1:8. “Engjëllin e këshillës së madh”, “Sunduesin, Princin e paqes”, “Atin e jetës së ardhshme” Isaia 9:6 -Dhe kjo, sepse ajo Foshnje, e dobët në dukje, është i Tërëfuqishmi, Çlironjësi, Shpëtimtari, Perëndinjeriu.
Duke i parë gjerat me sytë e brendshëm të besës, dimë se kjo Foshnje e dobët, është “Perëndia i përjetshëm”, Zoti i botës dhe i historisë. Duke e parë historinë në këtë perspektivë, mund të shpresojmë se, Ai, Perëndia i Trupëzuar, do ta ndihmojë popullin e Tij, ta kapërcejë krizën. Krizë ekonomike, sepse varfëria dhe skamja fshikullojë shumë nga vëllezërit tanë. Krizë morale, sepse kultura jonë gjithmonë e më tepër, mbështetet tek vetëdashja dhe jo tek dashuria.
Ashtu si në botën e asaj kohe, që gjendej “në errësirën e hijes së vdekjes”, “lindi drita” Mateu 4:16, dhe Zoti Jisu Krisht Perëndinjeri, i ofroi çlirimin, shpresojmë se edhe në fazën e tashme të historisë, Zoti i tërëfuqishëm, nuk do na e privojë hirin dhe bekimin e Tij, dhe nuk do të na lërë të humbasim.
Zoti i shenjtë Jisu Krish, si Gjykatës i botës, mund të ndërhyjë e të na shpëtojë. Mund të ndërhyjë e të veprojë. Por, duke respektuar lirinë tonë, pret edhe bashkëpunimin tonë, që shprehet me pendimin dhe Lutjen tonë. Ai do të kryejë shpëtimin tonë, nëse ne do të bashkëpunojmë. Besojmë se, nëse veprojmë kështu, Zoti njeridashës, jo vetëm do të na ndihmojë, që të kapërcejmë krizën e tashme, por edhe do të na dhurojë, nga hidhërimi i kësaj sprove, fryte të ëmbël dhe shpëtues, siç thotë në mënyrë karakteristike shën Maksim Konfesori: “Edhe të këqijat, që na ndodhin, Perëndia i lejon me mirësinë e Tij, për ndreqjen tonë”.
I falemi Foshnjës hyjnore me besë dhe me shpresë, se me mëshirë do të shtjerë sytë tek populli i Tij.
Krishtlindje të bekuara dhe të shenjta!
IGNATI
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës.
Klerit dhe Besimtarëve!