/ Predikime-Katekizma- Artikuj / «Ja Krishti lind lavdërojeni;ja Krishti qiellit vjen dilni priteni;ja Krishti mbi dhenë ngrehuni» v.23

«Ja Krishti lind lavdërojeni;ja Krishti qiellit vjen dilni priteni;ja Krishti mbi dhenë ngrehuni» v.23

«Ja Krishti lind lavdërojeni;ja Krishti qiellit vjen dilni priteni;ja Krishti mbi dhenë ngrehuni» v.23

 

Qëndrojmë të shtangur përpara misterit të pakuptueshëm të Trupëzimit Hyjnor. Përpara “misterit që u mbajt i fshehur prej kohësh të përjetshme” Romakëve 16:25, ku Perëndia bëhet njeri, “që të bëjë Adamin perëndi sipas hirit”. Perëndia i trupëzuar, Jisu Krishti, mori natyrën njerëzore, që të na shenjtërojë me shenjtërinë e Tij, të na pasurojë me hirin e Tij, të na bëjë të urtë të vërtetë me mësimdhënien e Tij, të na shpërblejë me gjakun e Tij, të na japë jetë me vdekjen e Tij. Shën Thanasi i Madh, kryepiskopi i Aleksandrisë, vëren: “Ai u trupëzua që ne njerëzit të hyjnizohemi…” E megjithatë, kjo ngjarje botëshpëtuese, pritja e kombeve, kjo ngjarje që ndau historinë më dysh, harrohet kaq lehtë. Zgjat vetëm një ditë, ndërkohë që do të duhej të zgjasë dhe të rilindë gjithë jetën tonë.

* * *

Por përse të kalojë kaq shpejt një ngjarje kaq historike për botën? Përse të harrojmë, se Krishtlindja nuk është dita e shkëmbimit të dhuratave. Është dita e Dhuratës hyjnore, që ofron Ati qiellor tek bijtë e Tij. “Sepse Perëndia aq e deshi botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që të mos humbasë kushdo që t’i besojë atij, po të ketë jetë të përjetshme” Joani 3:16.

Krishtlindja nuk është një gëzim i shkurtër. Është burimi i gëzimit tonë. “Fjala u bë mish, dhe qëndroi ndër ne” Joani 1:14. Krishtlindja është burimi i paqes sonë. Jo i një paqeje të çfarëdoshme, që e anullojnë mjetet luftarake dhe ligësia e njerëzve. Por i paqes së vërtetë, që psalnin Engjëjt atë natë të shenjtë, dhe ruan që atëherë, jo kufijtë e kombeve, por zemrat e besimtarëve. Krishtlindja është stacioni i shpresës sonë, fillimi i gëzueshëm në udhëtimin tonë të madh. Kërcen shpirti ynë nga ngazëllimi, “sepse populli që rrinte në errësirë pa një dritë të madhe” Matheu 4:16.

* * *

Nuk jetojmë “në vend e në hije vdekjeje” v.16, ecim me yllin udhëheqës të besës, që ndriçon jetën tonë. Krishtlindja është fillimi i fundit, fillimi i gëzimit tonë, që paralajmëron fundin e dënimit tonë. “Se një bir na lindi dhe një djalë na u dha” Isaia 9:5. Krishtlindja nuk është një kujtim i hershëm, i qashtër fëminor. Është “përmbushja e kohës”, gjatë së cilës “Perëndia dërgoi të birin e Tij… që të marrim birësinë” Galatianëve 4:4-5. Nuk jetojmë më me shpresën e pritjes. Krishtlindja nuk është e shkuara. Është e tashmja dhe e ardhmja. Sepse Krishti edhe sot jeton midis nesh. Lindja e Tij është garanci për plotësimin e gjithë premtimeve të Perëndisë. Nuk është një foshnjë e pafuqishme në grazhd. Është Perëndia i tërëfuqishëm, që erdhi për të qëndruar përgjithmonë pranë nesh, Shpëtimtari dhe Shpërblenjësi ynë.

* * *

Krishtlindje! Qëndron shpirti ynë me ndrojtje përkundrejt vizitës hyjnore, vizitës më të madhe që priti ndonjëherë bota. Është e kremtja e dashurisë së pakufishme, përgjatë së cilës, Vizitori qiellor “banoi mes njerëzve” Baruku 3:38. Pyetja është, nëse e duam Krishtin banor të përhershëm të zemrës sonë. Nëse e kemi zemrën tonë grazhd mikpritës, që ta pranojë. Atëherë lindja e Tij do të jetë rilindja jonë. Krishtlindje të tillë ja vlen ta jetojmë. Krishtlindje që mbetet, që zgjat përgjithmonë, që shenjtëron gjithë jetën tonë. Krishtlindje e vazhdueshme bashkë me Krishtin, që erdhi midis nesh dhe qëndron “bashkë me ne gjithë ditët deri në mbarim të jetës” Matheu 28:20. Krishtlindja nuk është një kujtim i hershëm fëminor. Është “përmbushja e kohës”. Nuk jetojmë më me shpresën e pritjes. Jetojmë përmbushjen e pritjes sonë.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Grazhdet dhe pemët e Krishtlindjes, kalojnë. Dritat fiken, ëmbëlsirat mbarojnë, barinjtë kthehen në stanet e tyre, “magët shkojnë në vendin e tyre nga një tjetër udhë”, engjëjt ngjiten në qiell, por “Mbreti i lindur” i shpirtrave tanë, Perëndia që u trupëzua, mbetet gjithmonë pranë nesh. Kështu, Krishtlindja zgjat për shumë ditë, për gjithë vitin, për gjithë vitet e jetës sonë. Sepse brenda zemrës sonë, banon Foshnja hyjnore, Perëndia i mishëruar, Shpëtimtari dhe Shpërblenjësi ynë.

Gëzuar Krishtlindjen!

 

IGNATI

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës.
 
Bijtë e mi të dashur më Krishtin!