KRISHTLINDJE 2020
KRISHTLINDJE 2020
Prania vendimtare
“Emri i tij… Perëndia është me ne” (Matth.1:23)
Këtë vit, Krishtlindjen do ta kremtojmë pa festime sipërfaqësore, pa u mbledhur familjarisht ose me miq të shumtë, por edhe pa pjesëmarrjen e gjerë të besimtarëve në ceremonitë adhuruese. Në të njëjtën kohë, kufizimet për shkak të pandemisë do të kenë edhe disa efekte anësore pozitive. Para së gjithash, ky është një rast për të vlerësuar se sa shumë rëndësi kanë në jetën tonë shpirtërore dhe shoqërore ato gjëra që besimtarët i konsiderojnë të vetëkuptueshme, si për shembull mundësia për të shkuar në kishë, kur të duam ne, për t’u lutur, për të marrë pjesë në shërbesat fetare dhe në misteret e Kishës. Këtë herë bëhet fjalë për një lloj tjetër “kreshme” dhe ushtrimi, të imponuara nga kushtet e jashtme.
Në këtë të kremte të madhe, ndoshta do të jenë më të pakta shfaqjet sipërfaqësore, si zhurma shurdhuese e tepruar dhe elementet pa lidhje që kanë depërtuar brenda saj, me synim kryesor fitimin dhe lavdinë e kotë, duke e tjetërsuar kuptimin e vërtetë të kësaj të kremteje unike. Do të kremtojmë me thjeshtësi, privim, por edhe me dhimbje për ata që ndërruan jetë të vetmuar dhe për sa mbijetuan mes hidhërimit dhe dëshpërimit, të torturuar nga vështirësi të shumëllojta.
Me gjithë këtë tjetërsim dhe shkretim që na kërcënon, në të kremten e Krishtlindjes mbizotëron gjithmonë ngjarja unike: Ardhja dhe prania e Birit dhe e Fjalës së Perëndisë. Krishti nuk vjen si vizitor për të na përshëndetur tërë mirësjellje e më pas të largohet pa u ndjerë. Ai vjen të qëndrojë me ne. Ky është kuptimi i fjalës Emanuel, që do të thotë: “Perëndia është me ne”. Nuk vjen si një njeri i pushtetshëm për të na e hequr lirinë, duke na imponuar vullnetin e Tij. Ai vjen si foshnjë, duke ndarë me ne privimin, të qenit i huaj dhe, me buzëqeshje paqeje e shprese vjen të qëndrojë me ne. Edhe Ai vetë do të vuajë sprova, fyerje, armiqësi, që do të kulmojnë gjatë Pësimit të Tij, teksa merr pjesë në vuajtjet e mbarë njerëzimit. Ai vjen të qëndrojë me ne si i vënë në dyshim nga të tjerët, i përndjekur, që të na mbështesë dhe të na ngushëllojë me premtimin e Tij ngjallësor: “Edhe ja, unë jam bashkë me ju gjithë ditët, deri në mbarim të jetës” (Matth.28:20). Ai është me ne jo vetëm në kohë të gëzuara suksesesh, kur kemi shëndet të mirë dhe marrëdhënie harmonike me të tjerët. Ai vazhdon të qëndrojë mistikërisht me ne edhe në periudha të turbullta, kur qenien tonë e stërmundojnë hidhërimi, dështimi, sëmundja.
Mbi të gjitha, kjo prani vendimtare duhet të jetë e ndërgjegjshme dhe e vazhdueshme gjatë formësimit dhe kontrollit të mendimeve, të ideve, të vendimeve dhe të veprimeve tona. Nuk mund të lutemi që të jetë i pranishëm në orët e vështira të jetës sonë dhe të tregohemi indiferentë e të mos i kushtojmë rëndësi vullnetit të Tij në mentalitetin dhe sjelljen tonë të përditshme. Vetëm ndjesia e vazhdueshme e pranisë së Tij mund të na udhëheqë saktë në peripecitë e jetës sonë.
Pikërisht, këtë prani të Tij të shumanshme ftohemi ta përjetojmë me më shumë intensitet; këtë herë duke u mburrur më pak për dijen tonë, për aftësitë dhe fuqinë tonë njerëzore. Duke bërë më shumë kërkime rreth përparësive të gjinisë njerëzore dhe me më tepër solidaritet në nivel lokal e global. Duke pasur më tepër shpresë. Është diçka simbolike, se vaksina që pritet të japë zgjidhjen për të dalë nga robëria jonë e shumanshme e koronavirusit, vjen në jetën tonë si një dhuratë e veçantë Krishtlindjeje.
Le të rezistojmë brenda kësaj atmosfere izolimi të çuditshëm, vetmie, ankthi dhe frike të imponuar nga pandemia, duke kremtuar Krishtlindjen e sivjetshme me përkushtim të plotë ndaj pranisë çlirimtare të Birit dhe Fjalës së pakrijuar të Perëndisë, i Cili hyn brenda krijesës së dukshme, duke e pasur Ai fjalën e fundit në ecurinë e jetës sonë dhe të mbarë krijesës.
Në vetminë e papërcaktuar dhe të papritur që na ka ngrirë akull, prania mistike e Krishtit e ngroh mendimin dhe i gjallëron mushkëritë tona. Ky mesazh optimist i Krishtlindjes, i pastër si diamanti, pa zbukurime të shumta, pa veshje me ar dhe ambalazhime marramendëse, sivjet duhet të nxirret në pah dhe të përjetohet në një mënyrë të veçantë. Jo si kujtim i thjeshtë i një foshnje që është i denjë për t’u dashur, por si mesazh vendimtar shprese, si shprehja e vetme e dashurisë, e plotfuqishmërisë së Atit, Zotit dhe Krijuesit të gjithësisë; si garanci për faktin se nuk jemi të vetëm në aventurën tonë personale e globale, dhe as në këtë pandemi.
Këtë përvojë vendimtare duhet jo vetëm që ta fuqizojmë brenda vetes sonë, por edhe ta transmetojmë si antitrupa shpirtërorë tek ata që jetojnë rreth nesh. Me dhembshuri, me përulësi, me fjalë, me heshtje, pa egoizëm acarues. Nuk është vetëm koronavirusi që transmetohet pa zhurmë dhe në mënyrë aktive; shumë herë më tepër kjo ndodh me besimin tonë në këtë prani çlirimtare, i cili transmetohet qetësisht dhe në mënyrë të frytshme nga njëri besimtar tek tjetri dhe nga njëri grup tek tjetri.
Vëllezërit e mi, pra, dhurata më esenciale e Krishtlindjes, që mund t’ia ofrojmë vetes sonë dhe atyre përreth, është të kuptuarit dhe dëshmia e pranisë së Shpëtimtarit Krisht në jetën tonë të përditshme.
Krishtlindje të bekuara dhe me shëndet! Viti i Ri 2021 na sjelltë paqe dhe qoftë plot me dritë!
Me lutje të zjarrta te Zoti,
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë