Marrëdhëniet dhe Lidhjet paramartesore
Nguroj, të dashurit e mij, të flas. Nguroj për dy arësye. E para sepse nuk jam i sigurt nëse ka akoma dhe sot e kësaj dite veshë që të dëgjojnë me pastërti shpirti Ungjillin e Shënjtë. Dhe e dyta sepse tema që do të prek sot është një temë tepër e nxehtë.
E keqia që është përhapur sot kudo duhet goditur patjetër që në rrënjë. Bota sot edhe pse kryen krime dhe gjynahe të mëdha flet me një gjuhë të sjellëshme. Të keqen e bën por gjërat nuk i thotë dot ashtu siç janë sepse i vjen turp; përpiqet të justifikohet, përpiqet me çdo mënyrë të keqen t’a paraqitë si të mirë. Jetojmë pra në një kohë ku mbizotëron eufemizmi, lavdërimet, përkëdhelitë dhe ledhatimet. Përpiqen pra sot njerëzit të mbulojnë turpet me një pëlhurë si rrjeta e merimangës. Uthullën e quajnë të ëmbël, farmaqin e quajnë mjaltë dhe shurup, dhe – më falni për shprehjen – laviren e konsiderojnë apo e quajnë mikeshë dhe shoqe. Oh çfarë ipokrizie! E lejojnë në këtë mënyrë të keqen të përhapet dhe zhvillohet akoma më tepër.
Por ne jemi të detyruar t’i themi të bardhës e bardhë dhe të zezës e zezë, errësirën t’a quajmë errësirë ashtu siç është, dhe dritës t’i themi dritë. Kështu pra do t’i shtjelloj gjërat sot dhe nuk më ze shumë meraku për kritikën tuaj. Jam sot i detyruar të përdor gjuhë tepër të ashpër dhe përvëlonjëse. Nuk ju kërkoj të më quani të sjellshëm – më quani çfarë të doni, nuk më ze meraku. Kam obligim shpirtëror të dëshmoj dhe të them të vërtetën. Shën Joan Gojëarti, mbreti i amvonit, thotë në një nga predikimet e tij “Do t’a ndyj gjuhën”. Ashtu si doktori që kryen operacionin i ndyn duart dhe uniformën e tij me gjakra dhe papastërti, kështu dhe unë që po kryej këtu operacion shpirtëror jam i detyruar të ndyj gjuhën time, dhe le të skandalizohen të përkëdhelurit dhe të sjellshmit e dynjasë. Doktor shpirtëror jam dhe duhet t’a ngul thikën e fjalës shumë thellë.
Motiv për fjalët që do të them sot bëhet Himni Akathist, ky himn lavdërues ndaj së Tërëshënjtës Hyjlindëse i cili mbyllet me ato fjalët e shkëlqyera “Me bukurinë e virgjërisë sate dhe me shkëlqimin e qashtërisë sate…”. Në këtë himn hymnizohet virgjëria e së Tërëshënjtës Mari.
Por çfarë është virgjëria? Virgjëri është një fjalë me kuptim tepër të thellë, ka kuptimin e diçkaje që nuk e ka prekur njeri me dorë. Do shëmbuj të virgjërisë? Ngjitu në majën e malit Olimp. Dëbora atje në majë është e pashkelur nga këmba e njeriut, është e virgjër. Të virgjëra janë majat e pashkelura të maleve. I virgjër quhet dhe pylli i cili për shkak të bimësisë së dendur nuk u shkel nga këmba e njeriut dhe brenda në të vetëm zogjtë këndojnë të ulur në degët e pemëve.
Është gjithashtu e vërtetuar dhe nga ana psikologjike: njeriu nga natyra do të pastrën. Është një prirje apo tendencë të cilën e mbolli vetë Perëndia tek njeriu. I do njeriu të gjitha të pastra, do që kupa me të cilën do të pijë të mos jetë përdorur nga ndonjë njeri tjetër, do që këpucët që do të veshë të mos i ketë veshur njeri tjetër përpara tij, iu shmanget të vjetrave dhe të përdorurave. Po kështu e do edhe gruan edhe bijën e vet, të paprekur nga dorë njeriu deri në ditën e martesës.
Është vrojtuar historikisht që virgjëria nderohej tepër në lashtësi, në mënyrë të veçantë nga Grekët e lashtë. Provë e kësaj është edhe Parthenoni i Akropolit në Athinë, tempull i cili u ndërtua për nder të virgjëreshës Athina. Por edhe Romakët e nderonin virgjërinë. Në Romë, në tempullin e Vatrës, ruhej i ndezur zjarri prej vashash të virgjëra.
Por më vonë erdhi një periudhë rënieje dhe dekadence. U korruptuan edhe të lashtët nga sofistët dhe materialistët dhe si rezultat virgjëria nuk nderohej më. Mënyra e adhurimit ndryshoi dhe nëpër tempuj në vënd që të shërbenin virgjëreshat shërbenin laviret dhe kështu tempujt u shndërruan në shtëpi publike. I tillë ishte edhe tempulli i Afrovitit në Korinth i cili katandisi në shtëpi publike. Në të shërbenin me mijëra lavire të cilat me paranë e fëlliqur që nxirrnin siguronin të ardhura të mëdha. Në vënd të virgjërisë nderohej publikisht kurvëria, dhe kjo bëhej në emër të perëndive dhe perëndeshave.
Vetëm kur erdhi Krishti në botë e ngriti përsëri njeriun. E mori gruan, e cila kishte katandisur një leckë me të cilën fshinin trupin të gjithë vagabondët, dhe e ngriti lart. Askush tjetër nuk e nderoi kaq shumë gruan sa Krishti. E ngriti shumë lart, përmbi galaksitë e qiellit, në botën shpirtërore. E ngriti pra gruan në personin e së Tërëshënjtës Mari, e cila quhet jo thjesht “virgjëreshë” por “e gjithmonë-virgjër”. Mbeti pra gjithmonë virgjër, përpara se të lindte ishte e virgjër, gjatë lindjes mbeti e virgjër dhe pas lindjes gjithashtu e virgjër – Gëzohu o e gjithmonë-virgjër Mari!
Për këtë arësye pra Kisha gjithmonë e nderon virgjërinë. Është kusht martese. Kur bashkohen një e re e virgjër dhe një i ri i virgjër krijojnë në këtë mënyrë një martesë apo lidhje ideale.
* * *
Kohë më parë ekzistonin standarte morale tepër rigoroze. Deri përpara njëqind vjetësh nëse nusja nuk gjendej e virgjër dëbohej nga shtëpia brenda natës së parë të martesës – shoqëria e atëherëshme nuk i toleronte aspak gjëra të tilla. Kështu ishte atëhere, rrallë mund të gjenje vashëz jo të virgjër. Më pas dolën demonë të tjerë, rryma të reja, nga bota moderne, të cilat filluan të tallen dhe të tronditin rëndë devocionin ndaj virgjërisë.
Në 1944 shërbenja në qytetin e Kozanit. Në ato ditë zbritën nga mali nja treqind gra partizane dhe bënë paradë me parrulla të tilla si “Poshtë virgjëria”, dhe thërrisnin “Poshtë virgjëria” – kjo ishte një diçka e papranueshme. Nuk po ju them fantazira, i pashë me sytë e mij dhe i dëgjova me veshët e mij. Ku përfunduan ato gra? As laviret e Parisit nuk iua nxe goja të thonë se ku përfunduan ato gra. Talleshin me virgjërinë duke e quajtur paragjykim fetar dhe bestytni.
Paragjykim virgjëria? Do t’ju them dhe diçka tjetër – më falni që po e ndyj gojën. Nuk e dija, m’a tha një profesor i lartë universiteti. Kërkimet e fundit shkencore, më tha, tregojnë që kur bashkohet me burrë një grua e cila kishte lidhje të mëparëshme me një të dashur tjetër, në momentin që përqafon bashkëshortin e saj mëndja e saj shkon tek i dashuri i saj i mëparshëm, dhe bën krahasime. Dhe a e dini se ç’ndodh? Përderisa shpirti i saj është i lidhur me të dashurin e mëparshëm, fëmija që do të lindë nuk do t’i ngjasë bashkëshortit legjitim por do t’i ngjasë të dashurit të saj!
O Kisha, Mëma jonë e ëmbël! Sa të drejtë ke që n’a mëson të mos kemi lidhje paramartesore, por ne largohemi prej fjalëve të Tua dhe iu shmangemi.
Para pak kohe më erdhi një vajzë e re. Qante dhe shante djaloshin që e kishte lënë shtatë muaj me barrë dhe kishte krisur e kishte ikur pasi kishin krijuar marrëdhënie menjëherë pas fejesës me nxitjen e prindërve!…
Por le të lavdërojmë Perëndinë o vëllezër sepse në kohët tona kur mishi më i lirë katandisi mishi i gruas virgjëria nuk u zhduk tërësisht. Ka akoma raste që ruhet si një lule e rrallë.
Akoma edhe kurbetërit nuk ia lejojnë vehtes të kenë lidhje paramartesore. Dhe është gjynah për ne të Krishterët Orthodhoksë që të marrim mësime nga popuj barbarë të feve të tjera të cilët e dënojnë atë që çnderon vajzën me varje në shtyllën elektrike për një javë.
* * *
Ndryshuan pra shkrimet e Kishës, dolën përjashta shkrimet e Kishës dhe hynë shkrimet e shejtanit. Ndërsa psallim “Me bukurinë e virgjërisë sate dhe me shkëlqimin e qashtërisë sate…” bota i këndon bukurisë së flertit, bukurisë së tradhëtisë bashkëshortore, lavirësisë dhe degjenerimit.
O vajza, mos dëgjoni se ç’thotë bota. Dëgjoni fjalët e Kishës sonë. Qëndroni të paprekura deri në martesë. Rrëmbeni një dru apo shufër prej hekuri dhe thyejauni kokat atyre kafshëve që ju ngacmojnë që kështu të mos vajtoni më vonë.
Ja ku po jua nënshkruaj me firmën time. Burri ka etje për grua. Nëse ju qëndroni të qashtra atëherë s’do të ketë grua që të mbetet pa martuar, akoma dhe më e shëmtuara do të martohet. Ndërsa sot edhe ato më të bukurat mbeten vetëm në “vitrinë”. Ja pra se kush është rezultati i mosbindjes.
Ju lutem ndërgjegjësohuni për mëkatin e madh të marrëdhënieve dhe lidhjeve paramartesore dhe me pendesë kthehuni tek rrënjët tona shekullore.
+Episkop Avgustini
Përktheu nga Greqishtja,
Aleksandër P. Filip
“Me bukurinë e virgjërisë sate dhe
me shkëlqimin e qashtërisë sate…”
Predikim i mbajtur nga Episkop Avgustini në Kishën
e Shën Pandelimonit në Follorinë më 8 Mars, 1985