Mbledhja adhuruese!
Një nga aspektet themelore të jetës shpirtërore të besimtarëve është kishërimi ose e thënë ndryshe “pjesëmarrja në mbledhjen adhuruese”. Me anë të adhurimit njeriu shfaq besimin e tij dhe hyn në marrëdhënie dhe komunikim me Perëndinë. Adhurimi është manifestimi, me fjalë dhe me vepra, i shpresëtarisë që ndien njeriu ndaj Hyjnores, jo vetëm si individ, por dhe si komunitet fetar. Adhurimi është zëri i bashkuar i komunitetit fetar, që dëshiron me një ngritje shpirtërore të komunikojë me Krijuesin e tij.
Që nga Veprat e Apostujve e në vazhdim të Dhiatës së Re flitet shumë për mbledhjet adhuruese, pra, për kishërimin e të krishterëve të parë dhe të komuniteteve të para. Aty thuhet se të krishterët mblidhen së bashku në një vend dhe në një orë të caktuar që të kryejnë mbledhjen e popullit të Perëndisë, d.m.th. Kishën.
Shndërrimi i mbledhjes së besimtarëve në mbledhje adhuruese
Prania e priftit si meshtar i të Lartit Perëndi, e shndërron mbledhjen e thjeshtë në mbledhje adhuruese. Pa priftin, grumbullimi i besimtarëve është një grumbullim i thjeshtë fetar, si ato që bëhen nëpër salla të ndryshme. Prifti, me funksionin e tij liturgjik hyjnor, i jep mbledhjes së besimtarëve kuptim dhe dimension të ri. E bën mbledhjen “diçka tjetër”, që nuk është më “prej kësaj bote”, por një pjesë të mbretërisë së Perëndisë: “E bekuar është mbretëria e Atit edhe e Birit edhe e Shpirtit të Shenjtë”. Në këtë mënyrë, komuniteti fetar shndërrohet në komunitet liturgjik.
Liturgji, sipas teologut të shquar rus Aleksandër Shmeman, do të thotë veprimtari e përbashkët, me anë të së cilës një “grup njerëzish” bëhet bashkërisht diçka që nuk ishte më parë si individë të thjeshtë. Bëhet diçka shumë më e madhe dhe më e fuqishme nga ç’është grumbullimi veç e veç i individëve. Bëhet më e madhe, sepse prania e Perëndisë mes besimtarëve – “Sepse ku të jenë dy a tre veta të mbledhur në emrin tim, atje do të jem edhe unë” (Mattheu 18:20) – e ndryshon, e transformon dhe e lartëson mbledhjen e besimtarëve. Fuqia, shenjtëria dhe frytshmëria e mbledhjes nuk varet se çfarë individësh janë besimtarët – me të mirat dhe të këqijat e tyre – por nga fuqia dhe shenjtëria e Zotit me praninë e Tij. Ai jep vetë Trupin dhe Gjakun e Tij, që të ushqejë dhe t’i japë jetë qenies shpirtërore të besimtarëve.
Ky është dimensioni real i mbledhjes adhuruese. Pa këtë mbledhje, Kisha nuk ekziston. Vazhdimisht, që nga fillimi e deri më sot, e gjejmë Kishën të grumbulluar gjithnjë rreth Tryezës së Zotit, rreth Kungatës Hyjnore.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë