Metamorfoza e Shpëtimtarit Jisu Krisht (Shën Sotiri)
Pasazhi i Ungjillit: Ungjilli i Mateut 17:1-9
Pasazhi i Apostullit: Letra e Dytë e Pjetrit 1: 10-19
Kjo e dielë për besimtarët orthodhoksë përkon dhe me festimin e një ngjarje të madhe zotërore, Metamorfozën e Zotit Jisu Krisht në malin Tabor. Jisu Krishti bashkë me nxënësit e tij, Joanin, Pjetrin dhe Jakovin ngjiten në malin Tabor. Atje shfaqen dhe dy persona, Moisiu dhe Ilia, të cilët përfaqësojnë të gjithë personat që jetuan me besë para ardhjes së Jisu Krishtit mbi tokë. Kësaj prezence i bashkohet dhe shfaqja e Perëndisë Atë, i cili me zërin e tij hyjnor dëshmon dhe një herë atë që kishte dëshmuar në momentin e Pagëzimit të Zotit Jisu Krisht, që Jisu Krishti është Biri i Tij i dashur, në të është kënaqur dhe që duhet ta dëgjojnë. Sigurisht kësaj atmosfere të prezencës hyjnore i bashkëngjitet dhe ndriçimi apo shkëlqimi i Jisu Krishtit, ku fytyra shkëlqeu si dielli dhe rrobat u bënë të bardha si drita, sa nuk mund t’i zbardhojë asnjë rrobalarës mbi tokë, shprehet ungjillor Marku.
Kështu ngjarja e metamorfozës së Zotit nuk është momenti ku Zoti Jisu Krisht fiton atribute të tjera në prezencë të njerëzve të tjerë qoftë dhe të Perëndisë Atë. Ngjarja është momenti ku Jisu Krishtit, nëpërmjet prezencës së Perëndisë Atë dhe dy personave të Dhiatës së Vjetër, dëshmohet tek tre apostujt. Për t’u treguar se përballë tyre nuk kanë një njeri gjeni, por një Zot, një Shpëtimtar. Gjithashtu tre apostujt duke përjetuar këtë ngjarje të mrekullueshme në jetën e tyre dhe sidomos Petro merr guximin dhe i kërkon që të qëndrojnë atje duke ndërtuar tri çadra. Kjo kërkesë e Petros vjen si pasojë e përjetimit të veçantë, të cilin nuk e kishte përjetuar deri në atë moment të jetës së vet, madje dhe as i kishte shkuar në mendje se mund të kishte një përjetim të tillë. Ata nuk kishin përjetuar në jetën e tyre momente ku bardhësia dhe ndriçimi ishin të papërsëritshme dhe të jashtëzakonshme, sa që ulën kokën dhe mbyllën sytë, se sytë e tyre nuk mund të duronin atë bardhësi dhe ndriçim mahnitës. Gjithashtu ata dëgjuan zërin e Perëndisë Atë, që jo vetëm u dha një dëshmi, por dëgjuan zërin e Tij, i cili është i ndryshëm nga çdo zë çjerrës, shqetësues e i bezdisshëm, ku ëmbëlsia, dashuria dhe kënaqësia janë karakteristika të tij. Kështu këta apostuj u bënë dëshmitarë të lidhjes midis Atit e Birit, të të qenurit Zot të Jisu Krishtit, të komunikimit me Perëndinë të personave që jetuan me besimin tek Ai dhe sigurisht ata u bënë dëshmitarë të përjetimit personal me Perëndinë, ku koncepti i lumturisë nuk është utopik, por real dhe ekzistencial.
Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë
Kisha “Apostull Pavli & Shën Asti”, Durrës